Brikena Zenunaj, vajza e Besnik Zenunaj, i cili humbi jetën tragjikisht në shpërthimin e Velipojës, si edhe motra e Hektor Zenunaj, i cili ndodhet në një spital të Turqisë në gjendje kritike për jetën, në një intervistë për median lokale, u shpreh se intervista e dhënë nga halla e saj, Fatmira Zenunaj është një gënjeshtër.
 
Brikena tregon se familja e saj nuk komunikon me hallën prej kohësh ndaj kërkon që ta lënë qetë në hallin e familjes së saj.

Brikena shprehet se gjëja e vetme që i intereson është jeta e vëllait të saj që vazhdon të jetë në gjendje të rëndë në një spital të Turqisë dhe jo deklaratat e hallës së saj që kanë qëllime përfitimi.

Gjithashtu Brikena u shpreh se i kanë gjetur paratë për kurimin e vëllait të saj.

Halla juaj ka dhënë një intervistë duke thënë se nuk është nevoja që shkodranët të dhurojnë para për të shpëtuar jetën e Hektor Zenunaj, vëllait tuaj. Si qëndron e vërteta?
Nuk kemi asnjë kontakt të saj sepse nuk kemi folur prej vitesh me të dhe gjysma e intervistës që ka dhënë është gënjeshtër, duke filluar që nga spitali ku ajo mendon se është shtruar vëllai. Ju lutem të mos përhapen intervista dhe lajme të tilla që prishin imazhin e familjes tonë.
 
Vazhdoni që të kërkoni para për vëllain?
Jo. Tashmë i kemi gjetur.
 
A ndodheni në Turqi momentalisht?
Jo, nuk jam në Turqi.
 
Por halla juaj pretendon se është në brendësi të gjithçkaje?
Kush do flasë, do flasë. S’ja mbyllim dot gojën. Ne kemi hallin e jetës së vëllait ndërsa të tjerët duan përfitime. Ju lutem mos na shqetësoni më në lidhje me fjalët e rreme që thotë ajo apo njerëz të tjerë që nuk dinë asgjë dhe duan të hedhin baltë mbi familjen tonë.
 
Cili është mesazhi juaj?
A ka mundësi të na lënë në hallin tonë dhe të mos e përdorin këtë tragjedi. Ne duam të shpëtojmë jetën e vëllait ndërsa të tjerët dalin të bëjnë analizën e babait. Ju lutem të mos tregohen të pashpirt por të na lënë në hallin tonë.

Halla e saj, Fatmira Zenunaj për Report TV u shpreh se:
 
"Të gjitha pagesat për trajtim janë shlyer, ky apel është bërë nga njerëz që duan të dëmtojnë imazhin e të ndjerit vëllait tim".
fatmira

Të mërkurën e shkuar shpërthimi në restorantin familjes Zenunaj, la të plagosur 4 persona.

Plagët më të rënda i mori Besnik Zenunaj, i cili pësoi djegie në 90 përqind të trupit e për pasojë ndërroi jetë, ndërsa Hektor Zenunaj, i biri i tij vazhdon kurimin në Turqi. 

Redaksia Online
E.S/Shqiptarja.com