Hetuesit ende nuk kanë një përgjigje për shkakun e shpërthimit të fuqishëm në pikën e karburantit “Eida” pranë Brrylit në Tiranë.
Tre punonjësit që mbetën të lënduar janë marrë në pyetje dhe kanë deklaruar se në momentin e shpërthimit po furnizonin me gaz një automjet, por nuk dinë të thonë se nga nisi gjithçka. Sipas dëshmive të tyre, pranë zyrave ndodhej edhe një bombolë gazi, e cila po verifikohet nga grupi hetimor nëse ajo ka qenë shkaku i shpërthimit.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar nëse shpërthimi lidhet me automjetin që po furnizohej, me ndonjë defekt në pompën e gazit apo me një rrjedhje nga bombola.
Pikëpyetjet për shkakun e ngjarjes u shtuan që në orët e para pas shpërthimit. Zjarrfikësja ngriti dyshime se ai mund të kishte ndodhur në zyrat e karburantit, të cilat u shembën plotësisht, ndërsa ISHTI dha një tjetër version paraprak.
“Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet në territorin e stacionit të karburanteve, i cili është shoqëruar edhe me eksplozion”, tha ISHTI.
Tre punonjësit e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. Në Komisariatin nr. 1 dje u shoqëruan administratori, drejtuesi teknik dhe menaxheri i karburantit.
Paralelisht po verifikohet i gjithë dokumentacioni i pikës së karburantit, për të kontrolluar aktivitetin e saj, kontrollet e kryera ndër vite dhe nëse dispononte lejet përkatëse të parashikuara nga ligji. Pika e karburantit me emrin tregtar “Eida” rezulton e regjistruar si “Skënderi G” sh.p.k. dhe është në pronësi të Frident Kuqit.









Komente
Komento