Një akt heroik është ai i 32-vjeçarit shqiptar Elton Zefi, në Padova të Italisë teksa i shpëtoi jetën një personi, i cili rrezikonte të mbytej në lumë tku kishte rënë me automjetin e tij.

Në një lidhje telefonike për Report Tv me gazetarin Ermal Qori në ‘Studion Live’, Zefi tregon se u ndodh në vendngjarje rastësisht teksa ishte devijuar nga rruga kryesore për shkak të trafikut. Ai tregon se pas 200 metrash, panë një grumbull njerëzish që po kërkonin ndihmë dhe se nuk hezitoi për asnjë moment dhe u hodh në lumë. 32-vjeçari tregon se në ndihmë i erdhi dhe një tjetër qytetar italian.

“Unë u ndodha rastësisht, po kthehesha ng një takim pune. Rruga kryesore kishte trafik dhe devijuam. Ecëm 200 metra dhe pamë një grumbull njerëzish që kërkonin ndihmë. Zbritëm dhe pamë një makina që kishte rënë në lum. Pashë që kishte njerëz brenda dhe nuk hezitova fare, hoqa rrobat dhe u hodha. Aty m dha ndihmë dhe një qytetar tjetër Italian, kishte shumë kurajë dhe ai. Kishte rrymë shumë të forta dhe në një moment kur makina kur po fundosej, qytetari që më erdhi në ndihmë, hipi sipër makinës dhe tentoi të thyente xhamin e bagazhit.

Në atë moment pashë dorën e personit që po mbytej nga xhami. E kapa nga krahu dhe nuk e lëshova më derisa e nxora. Ai tani është shumë mirë, e mori ambulanca dhe në darkë ka shkuar në shtëpi. Në darkë më mori në telefon dhe më falënderoi shumë. Kam punuar tek shtëpia e tij, për një firmë që punoja më përpara, nuk ka qenë punëdhënësi im. Kemi pasur njohje se jemi takuar tek shtëpia e tij kur kemi bërë punime”, tha Elton Zefi.

Kjo ngjarje ka bërë jehonë jo vetëm në media, por gjithashtu dhe në botën e politikës. Përveçse në Shqipëri, ka qenë dhe kryeministrja Giorgia Meloni, e cila gjithashtu ka vlerësuar aktin heroik të shqiptarit. Zefi tregon se është telefonuar gjithashtu dhe kryebashkiaku i Padovas, me të cilin do të takohet ditën e premte. Gjithashtu Eltoni tregon se të dielën do të takohet dhe me personin të cilin i shpëtoi jetën.

“Më ka telefonuar kryetari i bashkisë së Padovas, kam një takim të premten me të që do të bëjnë falënderime. Kam dhe takim me zotërinë që po mbytej të dielën sepse nuk e kam takuar akoma. Ai ishte hutuar për një moment dhe përfundoi brenda në lumë”, tha 32-vjeçari.

Ndërkohë gjerësisht në media u shkrua se personi që i rrezikohej jeta, Giuseppe Salvalajo, ka qenë dikur punëdhënësi i Elton Zefit. 32-vjeçari sqaron se kjo nuk është e vërtetë, por se njihej me të vite më parë, kur një kompani që ai ishte i punësuar, ka kryer disa punime në shtëpinë e tij.