Shpëtojeni këtë familje, nga halli i madh që iu ka rënë sipër!

Shpëtojeni këtë familje, nga halli i madh që iu ka rënë sipër!

Shumë familje shqiptare janë në hall por njëra prej tyre ka hall më të madh se të tjerat. Halli i saj nuk është mungesa e strehës. Tërmeti nuk u shkaktoi dëme as vilës marramendëse që ka në Lalëz, as asaj që ka në Kodrën e Diellit. Nuk besohet që tërmeti të ketë dëmtuar ndonjë metër katrorë nga mijëra të tilla që kanë apartamentet e saj në Tiranë. Lexuesit të na falin që po kufizohemi vetëm tek ato hapësira banimi që janë të deklaruara apo që janë prona të sigurta të saj. Megjithëse bashkëshortja shprehet se “nuk na dalin paratë për të ushqyer fëmijët”, familja nuk është pa para sepse çdo vit paguan mbi 150 mijë euro vetëm për shkollimin e fëmijëve të vet në Londër. Familja nuk është prekur as nga korona-virusi, sepse korona është shumë e dobët për të cenuar imunitetin e anëtarëve të saj të rëndësishëm. Kjo është aq fatbardhësi për të, saç është fatkeqësi për mijëra familje shqiptare që prej vitesh po vuajnë pasojat e euro-virusit që ka prekur familjen në fjalë.

Në vitet ’90 të dy bashkëshortët u shfaqën në skenën politike si armiq të komunizmit dhe, pasi e mallkuan (anatemuan) atë për varfërinë e shkaktuar, premtuan përparimin dhe pasurimin e shqiptarëve. Sot, pas 30 vitesh, familja, megjithëse dikur e varfër dhe e ardhur nga periferitë, pa kryer asnjë lloj pune dhe pa pasur asnjë biznes, zotëron pasuri të tundshme dhe të patundshme sa njëmijë familje shqiptare së bashku. Ndërkohë që me politikën, ligjet dhe administratat e tyre ua hoqën mundësinë të marrin pronat e veta qindra familjeve shqiptare, ata pretendojnë se pasuritë e sotme përrallore i kanë vënë duke “zhvilluar” tokën që babai i tyre me banim në qytet paska marrë me ligjin 7501 që, siç dihet gjerësisht, iu jepte tokë vetëm banorëve të fshatit. Nga halli që kanë nuk i zë gjumi. Iu nevojitet, më shumë se ta shtojnë, ta mbrojnë këtë pasuri, sidomos të mbulojnë rrugët e krijimit të saj. Dhe, mënyra më e mirë për ta bërë këtë është politika si biznes.

Kanë qenë në politikë për 30 vjet dhe kanë pasur postet më të lartë shtetërore, por tani na thonë se klasa politike e këtyre tridhjetë viteve ka dështuar. Dhe jo vetëm kaq. Ata konsiderojnë të dështuar të gjithë të tjerët përveç vetes së tyre. Sipas mendimit dhe propagandës që bëjnë, ata nuk kanë gisht në dështimet tridhjetë vjeçare të politikës shqiptare dhe, madje, duhen konsideruar prej nesh si shpëtimtarët e popullit, prandaj na bëjnë thirrje t’iu shkojmë pas “njëlloj si në vitin 1990”. Në fillim të viteve ’90 çifti iu bashkua ish-partisë komuniste me qëllim “rinovimin e saj” dhe, pasi i morën nga hambari gjithçka deshën, kur kuptuan se nuk mund të qëndronin në krye të saj përjetësisht, shpallën ndarjen me të “për arësye parimore” dhe, duke i shkëputur asaj një batalion kryesisht gjahtarësh të posteve e privilegjeve, krijuan një “parti të re” të cilën e përdorën si biznes familjar për të marrë peng politikën shqiptare duke u përpjekur të minojnë krijimin e çfarëdo qeverie, të majtë apo të djathtë, pa pjesëmarrjen e tyre.

Tani që e shohin veten larg tryezës ku ndodhet “tepsia”, pasi gruaja që hoqi çizmen dhe e braktisi Parlamentin dhe burri që nuk ka një post aty ku fitohen tendera, shpallën zemërimin me sistemin dhe, sidomos, me Qeverinë. Thonë se “jemi kthyer tridhjetë vjet pas”, por nuk kanë kohë të na thonë se prej kujt vajtëm pas. Për shkak të këtij zemërimi, i kanë shpallur të paligjshme të gjitha institucionet shqiptare përveç Presidencës ku ndodhet burri dhe janë betuar se “do të rikthejnë ligjshmërinë e institucioneve duke ia kthyer ato popullit”.

Kontributi i tyre kryesor 30 vjeçar si deputetë do të shënjohet dhe kujtohet për rrëmbimin dhe thyerjen e vazove të luleve në sallën e Parlamentit, si dhe për goditjen e kundërshtarëve politikë me atë çizme laneti. Ndërsa “elokuenca” e tyre intelektuale dhe politike do të kujtohet për fyerjet dhe etiketimet amorale të kundërshtarëve politikë si kriminelë, halabake rrugësh, gruaja e Bilalit, murtaja, laraska, minj, dele etj.etj. Parlamentin e quajnë “parlament delesh”, ndërsa Qeverinë e kanë shpallur “bandë mafioze”.

Presidenti i vendit Ilir Meta dhe gruaja e tij Monika Kryemadhi janë në hall të madh pasi vetëm një hall i madh mund ta shtyjë dikë të bëhet jo vetëm qesharak, por edhe shoqërisht dhe publikisht i dëmshëm. Gruaja ka deklaruar parvjet se “jam gati për t’i hapur rrugë fillimit të negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE me kusht që të largohet Rama”, ndërsa burri President e ka pohuar se “opozita po e saboton fillimin e negociatave me BE-në”. Ata po na thonë me ngulm se gjithçka po bëjnë ka si synim shpëtimin e vendit nga “grushti i shtetit”.

Por edhe ne me ngulm duam të mbajmë mend se prej katër vjetësh, herë me fjalë dhe shpesh me veprime, kanë rrethuar Kuvendin dhe Qeverinë me hunj e molotovë në prag të fillimit të negociatave me BE-në, duke i vënë gurë e shkopinj nën rrota përparimit të mëtejshëm politik drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa raportuesi i BE-së për Shqipërinë Knut Flektenshtajn thoshte vjet se “vendimi për fillimin e negociatave do të varet shumë edhe nga pamjet në rrugët e Tiranës”, gruaja po vjet ua vuri flakën këtyre rrugëve. Dhe ja, burri ka thirrur në 2 mars një protestë në Tiranë “në mbrojtje të Kushtetutës” dhe “kundër grushtit të shtetit”. Nuk do shumë mend për të kuptuar se fillimi i negociatave me një vend ku Presidenti i tij pretendon se ka ndodhur “një grusht shteti” është gati i pamundur.

Pasi e kanë shpallur Qeverinë vendase “bandë”, Komisionin e Venecias “me vlerë zero”, trupin diplomatik perëndimor në Tiranë “një organizatë e strukturuar (d.m.th. kriminale) diplomatike”, ata po përpiqen të na rrisin vigjilencën duke na njoftuar për një Organizatë Ndërkombëtare Mafioze që synon futjen në dorë të të gjithë Shqipërisë nëpërmjet celulës vendase. Nga ana tjetër, duke e shpallur veten mburoja kryesore dhe e vetme kundër ndarjes territoriale të Kosovës Presidenti Meta pretendon se çfarëdo përpjekje për ta shkarkuar atë është e sponsorizuar nga UDB-ja jugosllave, megjithëse ajo nuk ekziston prej disa dekadash.

Në aventurën e tij qesharake dhe dëmsjellëse Ilir Meta pretendon se “grushti i shtetit” ka ndodhur sepse shumica qeverisëse po përpiqet të fusë në dorë Gjykatën Kushtetuese dhe se ai vetë do të flijohet për të ruajtur pavarësinë e saj. Që Gjykata Kushtetuese dhe gjithë sistemi gjyqësor ka qenë i kapur dhe i korruptuar 30 vjet me radhë këtë e dinë të gjithë shqiptarët, por shqiptarët nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë Metën të thoshte se Shqipëria ndodhet në kushtet e “grushtit të shtetit”. Ilir Meta nuk e ka konsideruar dhe as e konsideron “grusht shteti” kapjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë për aq kohë sa ai ka pasur mundësi ta kontrollojë dhe komandojë këtë kapje. Në momentin që ai vëren se sistemi po i del jashtë kontrollit dhe se nuk do të ketë më gjykata që vendosin siç i pëlqen pushteti politik, për t’i verbuar shqiptarët që t’i binden “ligjërisht” se ato që kanë parë me zë dhe figurë për korrupsionin e tij prej 7% me fondet shtetërore, nuk janë të vërteta, atëherë, ai hidhet në aksion. Kur mëkatarët e djeshëm dhe “shpëtimtarët” e sotëm i kontrollonin gjykatat përpiqeshin të na bindnin se “ne jetojmë në demokraci dhe shtet ligjor”. Tani që po humbin kontrollin dhe komandën mbi to na shpallin gjendjen e emergjencës për t’i shpëtuar “grushtit të shtetit”.

Që Edi Rama dëshiron ta kontrollojë Gjykatën Kushtetuese kjo s’ka kurrfarë dyshimi, por askush nuk mund ta vërë në dyshim që Ilir Meta dëshiron të bëjë të njëjtën gjë. Pra të kap Gjykatën e re, se të vjetrën të kapur e kishin prandaj edhe u zhbë. Aksioni i tij politik ka lidhje me mbrojtjen e “pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese” po aq sa mund të jetë e vërtetë se dy ujqër përleshen me njëri-tjetrin për t’i shpëtuar jetën deles dhe jo për ta ngrënë atë.

Sa herë ndjejnë se po iu afrohet ndonjë rrezik këta lloj politikanësh bëjnë çmos që të bindin popullin se “Atdheu është në rrezik” dhe motivi: në shesh po dalin për ne sepse ata për vete janë mirë dhe s’kanë asnjë shqetësim. Megjithëse ka thirrur një miting për vete, Meta ka porositur pjesëmarrësit të mbajnë parullën “Për Shqipërinë”; megjithëse interesat e veta familjare dhe politike po i vë mbi të ardhmen e Shqipërisë ai ka porositur parullat “Shqipëria e para”; megjithëse thirrjet dhe veprimet e tij janë përçarëse ai do të dalë në tribunë me parullën ” Për unitetin kombëtar ” dhe megjithëse në aventurën e tij ka kundër metropolet perëndimore dhe prandaj i ka shpallur ato “Mafie ndërkombëtare”, ka urdhëruar protestuesit të mbajnë parullat “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Nuk duhet të çuditemi nëse tingujt e këngës “Për ty Atdhe” do t’i dëgjojmë të dala nga gojët e varrmihësve të Shqipërisë.

Në aksionin e tij antikushtetues, presidenti i vendit ka thirrur në ndihmë opozitën politike dhe figurat kryesore të saj të cilët Kushtetutën dhe Shtetin Ligjor i kanë përdorur për tridhjetë vjet si mjete të sundimeve dhe përfitimeve. Pikërisht për këtë shkak lindi nevoja për një Drejtësi të Re dhe pikërisht për këtë arsye kjo opozitë, e ndihmuar edhe nga Meta, bëri çmos ta sabotonte dhe mallkonte Refomën në Drejtësi.

Aksioni haxhiqamilist i Presidentit është një shembull historik kotësie, hipokrizie dhe mashtrimi, jo pse qeverisja aktuale s’ka të meta dhe gabime të rënda, jo pse ne kemi qeverisjen më të mirë të mundshme, por sepse protagonistët e aksionit “për rivendosjen e rendit kushtetues” janë rrënimtarët më të mëdhenj të vendit. Për këtë shkak janë figura të pabesueshme, të padenja dhe të diskredituara pasi kanë tridhjetë vjet që na propagandojnë drejtësi e demokraci me fjalë, parulla e premtime dhe veprojnë e sillen në mënyrë antidemokratike, të paligjshme dhe kompromentuese. Sjelljet dhe veprimet që kryejnë i diskreditojnë dhe kompromentojnë tërësisht fjalët e tyre. Kur dikush ka provuar disa herë me vepra se është i gatshëm të bëjë të kundërtën e asaj që shpesh propagandon me fjalë, atëherë sinqeriteti dhe pretendimet e tij nuk mund të kenë kurrfarë besueshmërie dhe nuk meritojnë të ndiqen.

Vetë zgjedhja e datës “2 mars” për aksion është kulmi i hipokrizisë politike dhe i papajtueshmërisë historike. Ky nuk është “2 marsi i gjithë shqiptarëve” siç rreket të na bindë ndonjë Biber pa shije, por është qartësisht dita kur hipokrizia, dyfytyrësia dhe mashtrimi shfaqen në tribunë dhe në shesh me maskat e sinqeritetit, të virtytit dhe të drejtësimbrojtësve. Ne do të shohim në tribunë dhe në bulevard duartrokitësit, miratuesit, avokatët dhe ekzekutuesit e shkeljeve antikushtetuese të këtyre 30 viteve të derdhin lot krokodili dhe të betohen për mbrojtjen e Kushtetutës.

Do t’i shohim ata si ushtarë të rremë të mbrojtjes së Kushtetutës t’i vihen në dispozicion Presidentit aktual i cili, deri tani, e ka shkelur Kushtetutën, të paktën pesë herë (duke mosdekretuar ministrat e qeverisë; duke anuluar datën e zgjedhjeve lokale; duke sulmuar njërën palë politike dhe vënë veten në krye të përpjekjeve të palës tjetër për ta sjellë atë në pushtet me rrugë antidemokratike; duke bërë thirrje për “rrëmbim armësh” në 2017 dhe 2019 dhe, para pak ditësh, për “revolucion”, si dhe duke shpallur të paligjshme zgjedhjet e viteve 2017 dhe 2019 kur kjo është kompetencë vetëm e KQZ-së, Kolegjit Zgjedhor dhe Gjykatës Kushtetuese).

Ata nuk do të jenë në tribunën e sheshit se i ha meraku për Kushtetutën, por sepse me ligësi dhe mendjelehtësi besojnë se një President i pazgjedhur nga populli, gjoja në emër të popullit, do të mund të ndryshojë vullnetin popullor me dekrete antikushtetuese, gjë që ka shumë të ngjarë ta çojë nesër në burg.

Në mënyrë që të zgjidhet halli i kësaj familjeje politike të korruptuar dhe dëmsjellëse nevojitet që Ilir Meta të shkarkohet si President, OFL-ja t’iu dorëzojë të dy bashkëshortëve formularët dhe, pastaj, të tjerat vijnë vetvetiu. Nuk mund të mbahet Shqipëria peng e hallit të një familjeje, të miqve dhe sivëllezërve të saj moralë e politikë. Tridhjetë vjet janë tepër për të livadhisur mbi shpinën e shqiptarëve./Tema

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aliu: 02/03/2020 12:37

    Ky basatard president duhet te ndeshkohet ligjerisht nga SPAK,te tjerat jane pallavra te PD-LSI.

    Përgjigju
  • Drejtesia: 01/03/2020 20:38

    Turp per te dy hajdute familie e shthurur flasin dò dalim ne proteste per femijet Po femijet e vet ku i kane ne angli turp i math

    Përgjigju
  • Pru: 01/03/2020 18:59

    Familje rrace mu*** i

    Përgjigju
  • Haha: 01/03/2020 17:58

    Familje mender me then familje mu***

    Përgjigju
  • Ver Llapa: 01/03/2020 17:40

    Hyp xhixhi hyp Mona

    Përgjigju
  • O tej: 01/03/2020 17:27

    Kjo eshte familje mafioze vampiresh.Shpeton vetem duke i bere nje topmut te madh

    Përgjigju
  • FSHATI NE FESTE: 01/03/2020 16:27

    Kete artikull duhet ta lexojne te gjithe ata qe do marrin pjese neser ne proteste qe ta kuptojne se kush jane prijesit e tyre.

    Përgjigju
  • Spart: 01/03/2020 14:41

    Analize e perkryer...bravo!

    Përgjigju
    • Nino: 01/03/2020 18:56

      Ky esht realiteti

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje

'Ka nisur një fushatë dizinformimi', Policia reagon pas deklaratave të babait të shokut të Martinit: Kemi pamje filmike, nuk ka autor të dytë në ngjarje