Shpëtojne nga trafiku ikonat
origjinale të Onufrit e Shpatarakut

Shpëtojne nga trafiku ikonat<br />origjinale të Onufrit e Shpatarakut
TIRANE- Rezultojnë 223 ikona të rëndësishme të vjedhura nga 1077 veprat e artit të sekuestruara gjatë operacionit për kapjen e trafikantëve, të cilat u ekspozuan dje në mesditë në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Kryeministri Rama e ka cilësuar operacionin “Ikonat” si një ndër aksionet më të mëdha antitrafik, duke shtuar se kjo betejë sapo ka nisur.
 
Ikona origjinale 400-500-vjeçare, pamje shenjtorësh nga të gjitha kishat e vendit, rozeta dyersh, muresh, tavanesh, copa gdhendjesh e aredimesh të drunjta të shkulura nga muret e kishave mesjetare mesjetare të Shqipërisë. Tek-tuk disa ikona të kopjuara, por edhe disa vepra arti të kohëve të vona... Ikonat origjinale kanë autorë kolosët e ikonografisë shqiptare, si David Selenica, Onufri, Kostandin Shpataraku, plejada më e mirë e shkollës së ikonografisë që ka pasur jo vetëm Shqipëria, por gjithë Europa Juglindore e shek. XVII-XVIII...

Kjo ishte pamja e koleksionit të mbi 1 mijë veprave të ardhura në Galerinë Kombëtare të Arteve, pasi janë sekuestruar nga operacioni i policisë “Ikona” tek zona e “Don Boskos” në mbrëmjen e së martës.  “Operacioni ishte i jashtëzakonshëm, më i madhi në këtë fushë, gjatë të gjithë këtyre viteve të shkatërrimit të trashëgimisë tonë kulturore.

Falënderoj të gjithë ata që kapën këtë bandë apo këtë bërthamë banditësh të veprave të artit”, tha dje kryeministri Edi Rama i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit ikonave në galerinë Kombëtare të arteve së bashku me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Dje Ministrja e Kulturës Kumbaro e vlerësoi gjestin e policisë me këto fjalë: Falënderoj punonjësit e policisë, fjalët janë të panevojshme. Një pasuri e jashtëzakonshme që ikte nga vendi, e rëndësishme është që këto vlera të jashtëzakonshme e shumë të rrezikuara ndodhen në institucionin publik të kulturës”. 

Ndërsa gjatë fjalimit të tij kryeministri Edi Rama falënderoi efektivët e policisë që kryen operacionin për kapjen e veprave të vjedhura nga Galeria e Arteve, duke u shprehur se: “Një thesar që deri mbrëmë ishte në duart e keqbërësve dhe rrezikonte fatin e shumë thesareve të tjerë që kanë dalë nga kufijtë e vendit flet për gjendjen skandaloze të sigurisë në vend, jo vetëm për jetën e njerëzve, pronën e qytetarëve e as publike, po për këtë pasuri të paçmuar që nuk zëvendësohet dot me asgjë.

U jam mirënjohës të gjithë atyre që morën pjesë në këtë operacion, edhe për një arsye tjetër, që pavarësisht se marrin një rrogë shumë modeste e punojnë në kushte shumë të vështira, e asnjëherë nuk janë respektuar sa duhet për sakrificat, nuk janë tundur para vlerave marramendëse monetare, por i kanë shërbyer misionit të tyre. Ata janë shembull sesi duhet të funksionojë policia e shtetit”.
 
Rama: Po shkatërrohen themelet e identitetit tonë evropian
Pasi ka vizituar edhe koleksionin e sekuestruar nga policia dje në Galerinë Kombëtare të Arteve, kryeministri Rama u shpreh se: “Është rrëqethëse sesi janë shkulur muret e kishave. Kjo tregon jo vetëm barbarinë se ku jetojmë, por që tregon se thika e krimit ka vajtur në kockë, edhe muret po shkulen se gjithçka tjetër është grabitur. Jemi këtu për të përcjellë një mesazh shumë të fortë, për t’u kërkuar qytetarëve solidaritet të madh në kushtet e lëngatës së madhe të trashëgimisë, shoqërisë që e ka harruar prej kohësh se ky vend është vendbanimi ynë i përkohshëm, por i përjetshëm i brezave që vijnë që ne detyrohemi i atdheun që na kanë lënë të parëve tanë.

Atdheun e këtyre thesareve që nuk çadresohen me dhunë e duhet të mbrohen e garantohen”. Më tej Kryeministri Rama ka komentuar se “Shqipëria është në mes të Europës, qytetarët e dëgjojnë propagandën e integrimit evropian çdo ditë, por në këmbët tona po shkatërrohen themelet e identitetit tonë evropian dhe qytetar. Ajo që e bën Shqipërinë evropiane, dhe i jep kombit tonë identitetin e vet, është trashëgimia jonë kulturore dhe jo propaganda e përditshme.Fakti që një thesar i këtyre përmasave, i barabartë me një muze, ishte në duart e keqbërësve, flet vetë për gjendjen  alarmante, skandaloze dhe të papranueshme të sigurisë në vend.
 
Ligji Nr.7867, datë 12.10.1994
PER MBROJTJEN E PASURISE KULTURORE TE LUAJTSHME
DHE TE PALUAJTSHME
 
Neni 8
Çdo person juridik a fizik që zotëron një pasuri kulturore të luajtshme, brenda 1 viti nga data e daljes së këtij ligji, duhet ta deklarojë atë pranë organeve të kulturës në pushtetin lokal ose institucionet e specializuara. Kur personat e mësipërm shkelin këtë afat, ata gjobiten sipas sanksioneve të parashikuara në këtë ligj.
 
Neni 9
Çdo person juridik a fizik që ka në pronësi një objekt të regjistruar si pasuri kulturore të luajtshme, është i detyruar të krijojë kushte të mira për mirëmbajtjen e tij. Ai ka të drejtë ta shesë atë brenda vendit, sipas autorizimit të lëshuar nga komisionet e ngritura me miratimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sproteve.
 
Shkrimi u publikua sot (10.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar

Modena/ Dy ‘skifterët’ shqiptarë grabitën 400 mijë euro mall në tetë ditë, 19 vjedhje në seri! Njëri i dënuar dhe për plagosje, plaçkitjet me orar