Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka fituar gjyqin për shpifje kundrejt italianit Gabriele Tarroni Longinotti, të cilin e paditi në vitin 2023 pas një interviste të dhënë në emisionin “Piranjat” në Syri Tv. Dy vite pas kallëzimit, Gjykata e Tiranës ka dalë në përfundimin se të gjitha pretendimet e italianit Gabriele Tarroni Longinotti ndaj Veliajt janë të pavërteta.

Gabriele Tarroni Longinotti u shfaq në një intervistë në televizionin e familjes Berisha vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore të 2023-shit, ku pretendonte se Veliaj, kishte marrë pjesë në blerjen e një inceneratori të dështuar, pajisje që kompania “Bruno Presezzi” SPA kishte marrë nga Rumania për skrap, pasi më parë s’e kishte shitur dot as në Zimbabve. “Piranjat” raportuan se Longinotti ishte takuar disa herë me Veliajn, herë në Itali, në zyrat e “Bruno Presezzi” SPA, herë në Tiranë, në “Cioccolati Italiani” dhe restorantin “Tribe”.

Por, ishte vetë Longinotti që përmes një deklarate noteriale të firmosur në shtator 2025, pasi u kallëzua për shpifje, hodhi poshtë çdo akuzë që kishte artikuluar ndaj Veliajt. “Gjithçka ishte shpifje për para”, deklaroi Longinotti, duke pranuar se nuk është takuar kurrë me Veliajn as personalisht dhe as në prani të personave të tjerë, por se këtë shpifje e kishte bërë kundrejt parave që i kishte premtuar televizioni i familjes Berisha.

“Të gjitha deklaratat që kam dhënë për zotin Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat”, si dhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to për përfitime financiare”, thuhej në deklaratën noteriale të nënshkruar në Modena para noteres Rosa Chiarini.

Pasi, italiani pranoi edhe njëherë në gjyq, përmes avokatit të tij se kishte gënjyer, atëherë mbrojtja e Veliajt vendosi t'i kërkonte Gjykatës mbylljen e çështjes, e cila u pranua nga gjyqtarja Sonjela Voskopi. 

“Qëllimi i klientit tonë është e vërteta, jo dënimi i njerëzve të përdorur për luftë politike. Ky qëllim u arrit me pranimin e fajit nga i akuzuari për shpifje”, thotë mbrojtja e Veliajt.

Pas dëshmisë së rremë të Gabriele Tarroni Longinotti  të transmetuar në emisionin “Piranjat” nisën edhe protestat 2-vjeçare para Bashkisë së Tiranës, ndërsa vetë Veliaj më herët e ka konsideruar një kurth të ngritur ndaj tij, që pasoi jo vetëm protestat para Bashkisë, por edhe kallëzimin nga anonimi “Nesti Angoni”, vettingu 20-vjeçar ndaj tij, siç ai e cilëson, e deri tek kërcënimi i dëshmitarëve, persekutimi i familjes dhe izolimi në qeli.

“Po postoj për të gjithë, rrëfimin e parë të një serie rrëfimesh, nga ata që, me ose pa dashje, kontribuan në kurthin e ngritur ndaj meje, që prodhoi një hetim të paligjshëm nga anonimati, një vetting 20 vjeçar të të gjithë jetës sime nga rinia, një Kryeqytet të sabotuar teksa ishte në kulmin e suksesit, një persekutim çnjerëzor të familjes sime, e një izolim grotesk, si të isha kriminel lufte apo drejtues kartelesh.

Lexojeni, se prej kësaj gënjeshtre të parë nisën protestat e rreme, u amplifikuan me kallëzime anonime, u ngjizën akuza me kërcënim dëshmitarësh e u bitis me shkallmimin e Kryeqytetit tonë Tiranës. Ndaj, secili duhet ta lexojë apologjinë noteriale të Gabriele Tarroni Longinotti-t, si leksion për të ardhmen”, shkruante Veliaj më 1 tetor 2025. 

Ndërkohë, mbrojtja e Veliajt bën me dije se procesi gjyqësor është ndarë më herët për palët, pasi shtetasi italian Gabriele Tarroni Longinotti nuk po gjendej për muaj të tërë. Për personat e tjerë të kallëzuar nga kryebashkiaku, konkretisht gazetarin Bledian Koka dhe producentin e emisionit “Piranjat”, Vojo Bregu, procesi penal për shpifje vijon ende dhe nuk ka përfunduar.

***

Ja çfarë deklaron Gabriele Tarroni Longinotti në dokumentin noterial ku pranon se shpifi ndaj Erion Veliajt

(1) Nuk e kam parë kurrë zotin Erion Veliaj të udhëtojë, vetëm apo në praninë e personave të tjerë, në Itali ose të takojë dikë, aq më pak që qëllimi i një vizite të tillë të ketë qenë i lidhur me inceneratorin;

(2) Nuk e kam takuar kurrë zotin Erion Veliaj, as personalisht e as në praninë e personave të tjerë, as në Itali e as në Shqipëri pranë “Cioccolati Italiani” ose “Tribe”, dhe as nuk kam komunikuar ndonjëherë me të, personalisht apo nëpërmjet të tjerëve, nëpërmjet telefonatash, mesazhesh apo ndonjë forme tjetër komunikimi;

(3) Nuk kam as njohuri dhe as prova që zoti Erion Veliaj të ketë marrë pjesë ose të ketë qenë i përfshirë në blerjen e inceneratorit që kishim në Rumani;

(4) Të gjitha deklaratat që kam dhënë për zotin Erion Veliaj, në intervistat e mia për programin “Piranjat”, si dhe ato që kam lënë të kuptohet, janë të pavërteta dhe janë bërë prej meje në këmbim të premtimeve nga ana e këtyre mediave televizive dhe personave të afërt me to për përfitime financiare.

(5) Deklaratat e tjera që kam bërë në media në lidhje me çështjen e inceneratorit dhe çështje të tjera të lidhura, të cilat nuk janë transmetuar nga mediat (deklarata që nuk lidhen me z. Erion Veliaj), janë të vërteta dhe kam prova në mbështetje të tyre.

 

Deklarata noteriale e nënshkruar nga Gabriele Tarroni Longinotti në shtator 2025, ku pranon se shpifi për Veliajn