Në përgjigje të akuzave të Partisë Demokratike se kriminalizimi i shpifjes synon të godasë median e lirë, qeveria u shpreh përmes faqes zyrtare Transparenca.al se ky draft prek vetëm politikanët të cilët ngrenë akuza ndaj zyrtarëve të shtetit të cilat janë "penalisht shqetësuesie për opinionin publik".
"Duke qenë se formulimi i projektligjit linte mesa duket hapësirë për të keqinterpretuar dhe përfshirë edhe median në objektin e vet, projektligji është tërhequr për t’u riformuluar në mënyrë që të mos krijohet asnjë lloj paqartësie. Ndryshe nga si mund të jetë keqinterpretuar, projektligji nuk synonte mbrojtjen e përfaqësuesve të zgjedhur të popullit apo të partive politike parlamentare nga shpifja, por përkundrazi, vendosjen e këtyre të fundit përpara përgjegjësisë ligjore për të provuar me fakte çdo akuzë të ngritur", thotë qeveria.
Gjithçka nisi me një ndjesë publike të kryeministrit Edi Rama ndaj një keqkuptimi siç e quajti ai, se pjesë e burgosjes për shpifje ishin edhe gazetarët. Ai sqaroi se ky nen nuk prek median por vetëm politikanët që shpifin ndaj zyrtarëve të lartë. Një ndjesë e cila erdhi në fakt pas revoltës që shpërtheu në rrjetet sociale jo vetëm nga gazetarët por edhe shoqëria civile, që e cilësuan këtë propozim të kryeministrit si shtypje të lirisë së fjalës.
I pari që foli për formulim jo të saktë të nenit ishte kryeparlamentari Ilir Meta. Aleati në qeverisje i Ramës tha se ka një keqkuptim mes qëllimit të iniciativës së qeverisë dhe formulimit të nenit, keqkuptim për të cilin kreu i LSI shprehu besimin se do të reflektohej dhe do të zgjidhej.
E në fakt kështu ndodhi. Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj deklaroi në emër të qeverisë tërheqjen e kësaj nisme për ta formuluar nenin e për ta sjellë sërish për shqyrtim në Kuvend.
"Për të shuar këtë lloj debati këtë lloj keqkuptimi në emrin tim personal natyrisht dhe në emër të qeverisë ju them që ne do ta tërheqim atë nismë për të saktësuar pikërisht këtë moment në mënyrë që të mos ndodhi ky lloj diskutimi. Por një gjë duhet të jetë e qartë që politikanët duhet të kenë një marrëdhënie korrekte me të vërtetën kanë detyrimin për sa kohë paguhen nga taksat e publik të shprehin të vërtetën dhe të luftojnë për të vërtetën në Kuvendin e Shqipërisë dhe kudo ku ne detyrohemi të kryejmë detyrat tona, pra ky është qëllimi i vetëm"
Ajo tha se qëllimi i kriminalizimit të shpifjes dhe fyerjes nuk është që të dënohet media dhe njerëzit e zakonshëm por vetëm zyrtarët që shpifin ndaj njëri-tjetrit. Felaj tha se shpifja dënohet fillimisht me gjobë, dhe vetëm kur nuk shlyhet dhe është e përsëritur kalohet në dënimin me burg deri në tre vjet.