Shanset që Mauro Icardi të rikthehet në Seria A në janar janë shumë të mëdha. Fillimisht u fol për dëshirën e tij për të përfaqësuar sërish ngjyrat zikaltër, por sipas mediave në Argjentinë ish-sulmuesi i Interit është pranë kalimit te Juventusi.
TyC Sports” shkruan se bardhezinjtë janë aktualisht në pozicionin më të favorshëm për të siguruar shërbimet e sulmuesit 33-vjeçar, i cili është pa skuadër pas përfundimit të aventurës me Galatasarayn në muajin qershor.
Interi i mbyll dyert, Icardi kërkon rikthimin
Dëshira e parë e Icardit ishte rikthimi te Interi, skuadër me të cilën ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës. Madje, argjentinasi ishte i gatshëm të pranonte një ulje të ndjeshme të pagës dhe një rol dytësor në ekip.
Megjithatë, përgjigjja nga drejtuesit zikaltër ka qenë negative. Presidenti Beppe Marotta ka bërë të qartë se rikthimi i Icardit nuk është pjesë e planeve të klubit.
Spalletti, faktori që mund të vendosë gjithçka
Pas refuzimit nga Interi, Juventusi është shfaqur si alternativa më konkrete. Një nga arsyet kryesore është prania e Luciano Spallettit në stolin bardhezi.
Trajneri italian e njeh mirë Icardin, pasi ka punuar me të gjatë periudhës te Interi, ku sulmuesi argjentinas ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Juventusi po kërkon një qendërsulmues që mund t'i japë më shumë alternativa repartit ofensiv, ndërsa drejtuesit nuk janë plotësisht të kënaqur me vazhdimësinë e Kolo Muani dhe Woltemade.
Janari mund të sjellë ‘bomba’ në Torino
Nga ana e tij, Icardi raportohet se është i gatshëm të pranojë një reduktim të konsiderueshëm të pagës, vetëm për të realizuar rikthimin në Itali.
Për momentin nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të përfunduar, por pista Juventus po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje.
Ribashkimi me Spallettin mund të jetë çelësi i këtij transferimi, ndërsa merkatoja e janarit pritet të tregojë nëse Mauro Icardi do të rikthehet në Serie A, këtë herë me fanellën bardhezi.











Komente
Komento