Autoritetet turke akuzuan të hënën futbollistin izraelit Sagiv Jehezkel për nxitje të urrejtjes pasi ai shprehu solidaritetin me njerëzit e mbajtur peng nga organizata militante Hamas gjatë një ndeshjeje të ligës së lartë. Fillimisht ai u arrestua dhe më pas u lirua nga paraburgimi në pritje të një gjykimi në gjendje të lirë.
Lojtari i Antalyaspor ishte arrestuar për t'u marrë në pyetje të dielën vonë pasi ai shfaqi një fashë në kyçin e dorës me fjalët "100 Ditë 7.10" - në lidhje me 7 tetorin, ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin dhe disa njerz u morën peng.
Shtetasi 28-vjeçar izraelit i tha policisë se ai thjesht po bënte thirrje për t'i dhënë fund luftës.
Ministri i Drejtësisë Yilmaz Tunc tha të dielën vonë se Jehezkel ishte nën hetim për "nxitje të hapur ndaj publikut për urrejtje dhe armiqësi".
Tunc tha në një deklaratë të postuar në X se Jehezkel ishte përfshirë në "një gjest të shëmtuar në mbështetje të masakrës izraelite në Gaza".
Gjesti u konsiderua si provokues në Turqi, ku ka një kundërshtim të gjerë publik ndaj veprimeve ushtarake të Izraelit në Gaza dhe mbështetje dërrmuese për palestinezët.
Antalyaspor e pezulloi Jehezkelin nga skuadra dhe njoftoi se po fliste me avokatët e klubit për mundësinë e ndërprerjes së kontratës së tij.
Lojtari pritej të kthehej në Izrael më vonë gjatë ditës me një avion privat së bashku me anëtarët e familjes së tij. Gjatë marrjes në pyetje në polici, lojtari mohoi akuzat se ishte përfshirë në një akt provokues.
Komente










