45 mjekë e ndihmësmjekë kryejnë “vizita falas” për qytetarët në Kuçovë e Berat. 2 dentistë, 3 okulistë, 5 mjekë specialistë, 3 mjekë të përgjithshëm dhe 2 mjekë të sëmundjeve të brendshme janë pjesë e kësaj organizate amerikane mjekësore, të quajtur “Shpresa e Ripërtërirë”. Radhë të panumërta qytetarësh për vizita dhe medikamente falas.

Organizata amerikane “Shpresa e Ripërtërirë”, agjencia misionare mjekësore, ka mbërritur prej disa ditësh në qarkun e Beratit. Pas ndalesës së tyre të parë prej dy ditësh në qytetin e Kuçovës, kjo organizatë mjekësore po vazhdon punën e saj edhe në qytetin e Beratit.

Të pozicionuar në ambientet e Bibliotekës “Vexhi Buharaja” të qytetit, mjekët dhe ndihmësmjekët janë sistemuar në dhoma sipas profileve të tyre mjekësore, për të kryer vizitat falas për qytetarët beratas. Ndërkohë, stafi mbështetës dhe përkthyesit janë vendosur në një tendë të ngritur në hyrje të bibliotekës, ku pasi bëjnë regjistrimin e qytetarëve, i shpërndajnë ata tek mjekët specialistë përkatës.

Pjesë përbërëse e stafit mjekësor janë 2 dentistë, 3 okulistë, 5 mjekë specialistë, 3 mjekë të përgjithshëm dhe 2 mjekë të sëmundjeve të brendshme. Radhët e qytetarëve për kryerjen e vizitave kanë qenë të mëdha, ndërkohë që në fund të çdo ekzaminimi të kryer, medikamentet u janë dhënë pacientëve falas.

“Kjo ështe hera e parë në qarkun e Beratit. Ne sigurojmë ndihmë mjekësore për njerëzit në nevojë. Kemi 44 vullnetarë në këtë skuadër, 43 nga Amerika dhe 1 nga Hondurasi, ndërkohë që 25 janë staf mbështetës nga Shqipëria. Gjysma e skuadrës janë mjekë të specialiteteve të ndryshme dhe pjesa tjetër ndihmësmjekë.

Kapacitetet e klinikave tona kanë qenë të tejmbushura në qytetin e Kuçovës dhe këtu në Berat, ku interesi më i madh i qytetarëve kanë qenë vizitat e syve. Kemi bërë EKG, kemi kryer ndërhyrje të caktuara dhe kemi këtu një farmaci, ku pas vizitave pacientëve u ofrojmë medikamentet falas. Motoja jonë është: ‘Prek zemrën e njeriut që të arrish edhe shpirtin e tij’”,  ka thënë organizatori i këtij stafi, mjeku i sëmundjeve të brendshme, Daniel Jons.