Në Prishtinë shihet me brengosje të madhe takimi i kryeministrit Hashim Thaçi me homologun e tij serb, Ivica Daçiq, në Bruksel, në Perëndim shihet si një moment i mirë, për disa madje edhe historik,që do të mund t'i niste Kosovën dhe Serbinë në drejtim të pajtimit të ndërsjellë dhe të rrugës së integrimeve evropiane. Sapo u takuan Thaçi e Daçiqi, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ngutën për ta përshëndetur këtë hap, posaçërisht pasi që bëhet fjalë për armiq të deridjeshëm të urryer - Thaçi është ishlideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Daçiqi dikur ka qenë zëdhënës i Slobodan Milosheviqit dhe regjimit të tij kriminal. Pa marrë parasysh këtë "koincidencë" të çuditshme, në Perëndim shumëkush beson se janë pikërisht këta dy njerëz që Kosovës dhe Serbisë mund t'i sjellin të ardhme më të ndritur dhe pajtim. Ideja themelore e zyrtarëve perëndimorë ishte që dialogu tashmë i nisur mes Prishtinës dhe Beogradit, i ashtuquajtur teknik, të ngrihet në nivel të ri, politik, ashtu që të hapet mundësia e "normalizimit" të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të thotë të gjendet një lloj Modus Vivendi për situatën ekzistuese. Serbia me kokëfortësi refuzon ta njohë realitetin e Kosovës së pavarur, derisa Kosova, gati pesë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ende nuk po arrin të transformohet plotësisht në një shtet funksional, posaçërisht në veri të vendit, ku liderët lokalë të popullatës shumicë serbe, me përkrahje politike dhe financiare nga Beogradi, refuzojnë çfarëdo integrimi në shoqërinë kosovare. Ai dialog i ri politik e pati premierën e vet me takimin e përmendur të Thaçit me Daçiqin, në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, dhe tani pason vazhdimi i procesit që do të duhej të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ngjashëm me modelin me të cilin bashkëjetonin njëra me tjetrën dikur dy Gjermanitë - Perëndimorja dhe Lindorja. Qytetarët nuk i pyet askush Natyrisht, para se të nisë zgjidhja e çështjes kryesore, do të ketë "ngrohje", meqë do të vazhdohen marrëveshjet mes çështjeve "më të vogla", sikur që janë marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë në sistemin energjetik rajonal, në sistemin e telekomunikacionit, të hapësirës ajrore, të kontrollit kufitar… dhe vetëm më pas do të kalohet në "normalizim" të plotë. Kjo do të duhej të arrihej përmes të ashtuquajturit model gjermano-gjerman, sipas të cilit Serbia do të pranonte ekzistimin e Kosovës së pavarur - me këtë edhe të integritetit territorial të shtetit të ri - por nuk do të jetë e detyruar ta njohë edhe formalisht atë. Nga ana tjetër, Kosova, në shkëmbim, do të duhej që serbëve në veri t'u japë autonominë shumë më të gjerë, politike dhe territoriale, me çka veriu i Kosovës nominalisht do të mbetej brenda kufijve të shtetit, por faktikisht do të mund të ndërtonte marrëdhënie autonome me Beogradin. Për këtë lloj të ri të autonomisë për serbët në veri të Kosovës janë përmendur modele të ndryshme - prej Tirolit Jugor deri te Katalonia - ndërsa përmendja që qytetit të Mitrovicës, që tani është i ndarë përgjatë lumit Ibër në pjesën shqiptare dhe atë serbe, t'i jepet një status i ngjashëm me Bërçkon në Bosnjë- Hercegovinë, vetëm sa i shton vaj zjarrit. Zjarr ky që tashmë është ndezur, meqë dialogu me Serbinë i ka ngritur tensionet politike në Prishtinë, ku javën e kaluar u shënuan demonstratat kundër negociatave të reja me Serbinë, ndërsa kundër demonstruesve policia përdori edhe forcën, për shumëkënd në masë të panevojshme dhe të tepruar. Nga ana tjetër, shumica e qytetarëve të Kosovës jeton në një situatë të paqëndrueshme sociale dhe ekonomike - Kosova është shtet me rreth dy milionë banorë, prej të cilëve 60 për qind janë më të rinj se 30-vjeç, dhe nivelin e papunësisë e ka në rreth 40 për qind, dhe me rreth 15 për qind të popullatës që jeton në varfëri.
Qytetarët e Kosovës nga Qeveria presin më shumë që të merret me problemet e tyre ekonomike dhe sociale, andaj injorimi i tyre për hir të proceseve politike me Serbinë tashmë e ka ngritur edhe më shumë pakënaqësinë me pushtetin dhe shtetin. Ndërsa shumë prej tyre edhe pyetën: nëse duhet të bisedohet me Serbinë, pse nuk hapen së pari çështjet nga koha e luftës - mijëra të zhdukur, përgjegjësia për më shumë se 10,000 civilë të vrarë, reparacionet për dëmet e luftës, vrasjet, djegiet dhe plaçkitjet, që u organizuan nga pushteti shtetëror në Beograd. Brengosja dhe mosbesimi Politikisht, ideja që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të "zgjidhen" me modelin gjermano-gjerman - që në praktikë do të thotë pranim i Kosovës nga Serbia, por jo edhe njohje e saj, ndërsa Kosova t'u japë serbëve në veri shkallë më të lartë të autonomisë - në Prishtinë shihet me brengosje të madhe, për së paku dy arsye. E para është se me një lëshim të tillë do të pranohej si legjitim pozicioni i Serbisë kundër pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, me çka lihet e hapur mundësia që kurdo në të ardhmen Serbia ta rihapë çështjen e statusit të Kosovës si të pazgjidhur. Arsyeja e dytë lidhet me autonominë e veriut, me çka në njëfarë mënyre do të "kopjohej" modeli i Republika Sërpskës, që pashmangshëm shpie në zhvillim të ngjashëm të situatës sikur në Bosnjë-Hercegovinë. Krijimi i një shteti brenda shtetit në veri të Kosovës gjithsesi se do të pamundësonte funksionimin e pushtetit dhe do ta vinte në pikëpyetje multietnicitetin si bazë të një shteti qytetar, meqë qartë shihet se do të çonte drejt ndarjes në vija etnike. Në Prishtinë brengosja shtohet edhe më shumë për shkak të ndjenjës së përhapur se, përkundër të gjithave që kanë ndodhur, Perëndimi, i njëjti Perëndim që më 1999 e bombardoi Serbinë për shkak të krimit shtetëror kundër Kosovës, sot kërkon kompromis. Për shumë kosovarë ky është një kompromis mes viktimës dhe xhelatit, ndërsa shikimit populist të situatës i shkon posaçërisht në favor që sot në krye të Serbisë janë njerëzit e njëjtë që për shumëkënd i takojnë së kaluarës së saj të errët: Tomislav Nikoliqi dhe Ivica Daçiqi.
(Kjo analizë e kryeredaktorit të "Kohës Ditore" në Kosovë është botuar në internetportalin e stacionit televiziv)
(sg/shqiptarja.com)