SHKODËR - Banorët që kanë shtëpitë në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” kanë bllokuar punimet për rikonstruksionin që po bëhet. Sapo rinisën punimet pas pritjes të daljes së analizave gjeologjike dhe sizmike, banorët nuk kanë lejuar fadromat që të punojnë sepse u rrezikohet prishja e shtëpive. Edhe pse iu tha dhe iu premtua se ndërtesat e tyre nuk do të preken gjatë ditës së hëne pikat se ku do të përfundojë tribuna qëndrore janë vendosur ngjitur me muret rrethuese të shtëpive. Automatikisht kjo lë të nënkuptohet se edhe banesat do të prishen duke qenë se nuk ka vend për rrugën e po ashtu edhe për parkingun.

Menjëherë disa prej këtyre banorëve u mblodhën për të reaguar. Të revoltuar ata thonë se kjo nuk është aspak e drejtë duke qenë se më pare vetë deputetët e Qarkut Shkodër i kanë dhënë fjalën se askush s’do ketë punë me godinat e shtëpive të tyre. “Kanë vendosur piketat ngjitur me muret. Njëri nga ata më tha se nesër do vij të hedh në tokë murin rrethues në një kohë që më parë deputetët por edhe vetë FSHF që është donator na kanë premtuar se banesat tona nuk do të prishet. Mesa duket deri tani na kanë vënë në gjumë ose kanë ndryshuar sërish projektin.

Si mundet të vijnë për të prishur muret e banesat apo të futen në tokë me tapi pa sjellë asnjë projekt apo pa dhënë asnjë dëmshpërblim për shpronësimet. Kjo është totalisht e jashtëligjshme. Këtu s’ka asnjë projekt vetëm po punohet kot. Kur bie që tribuna qëndrore të jetë ngjitur me muret tona atëherë automatikisht do të duhet të prishen edhe shtëpitë dhe me këtë ashtu si në fillim nuk jemi aspak dakord. I bëjmë thirrje që ta rishohin edhe njëherë dhe ta mbajnë fjalën që vetë na e kanë dhënë. Ne do të zhvillojmë sërish protesta dhe nuk do lejojmë që punimet të vazhdojnë nëse gjërat nuk bëhen ashtu siç duhet”,shprehen banorët, ndërkohë që protesta do ketë edhe sot.


Shkrimi u publikua sot (12.05.2015) në Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)