TIRANE- Greqia dhe Shqipëria bien dakord për hartimin dhe firmosjen e një memorandum  bashkëpunimi për Bujqësinë, ku do të përfshihen gjithë sektorët që nga prodhimi organik, siguria ushqimore, peshkimi etj. Propozimi është bërë sot nga ambasadori i Greqisë në vendin tonë z. Leonidas C. Rokanas në një takim me Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave  Edmond Panariti.
 
Gjatë takimit të zhvilluar sot në ambientet e ministrisë, dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord se bujqësia është një sektor mjaft i rëndësishëm dhe jetik për të dy vendet si Shqipërinë dhe Greqinë. 

Nga ana e tij Ministri Panariti theksoi se tashmë është koha që të ketë hapa konkrete dhe bashkëpunim konkret në fushën e bujqësisë, përveç vullnetit për të bashkëpunuar nga dy palët.

Ndërkohë që Z. Rokanas propozoi firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi posaçërisht në fushën e bujqësisë, ku do të përfshihen gjithë sektorët që nga prodhimi organik, siguria ushqimore, peshkimi etj.

”Ministri Panariti mirëpriti këtë propozim dhe siguroi z. Rokanas se shumë shpejt Qeveria shqiptare do ta shqyrtojë dhe do të firmosë këtë memorandum bashkëpunimi që do ta ngrejë në një nivel të ri dhe konkret marrëdhënien mes Greqisë dhe Shqipërisë në fushën e bujqësisë. Ky memorandum do të firmoset mes Ministrave të Bujqësisë së dy vendeve në një të ardhme të afërt.”- thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Bujqësisë.

Gjithashtu u ra dakord të organizohen dhe aktivitete të ndryshme, ku prodhuesit shqiptare dhe ata grekë të prezantojnë së bashku produktet e tyre.

Ne foto takimi i sotëm i Edmond Panaritit me Leonidas Rokanas)
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)