Shqipërinë e ndajnë edhe pak orë nga ndeshja e tretë kualifikuese për kampionatin botëror, Brazil 2014, trajneri De Biazi duket se ka dalë mbi dilemat duke vendosur për formacionin që do të zbresë në fushë përballë Islandës. Italiani do të tregohet mjaft i guximshëm në sulm, pasi artilerinë e rëndë e ka lënë në stol.

Pas disa senacave stërvitore dhe ndeshjes miqësore në mesjavë, tekniku ka vendosur që në portë t’i besojë Saimir Ujkanit. Reparti i mbrojtjes, aty ku është pika më e dobët e kuqezinjve, De Biazi nuk do të ndryshojë shumë nga dy ndeshjet e para,pavarësisht ardhjes së Currit.

Kapiteni Cana dhe Mavraj do të formojnë dyshen e qendrës, ndërsa nga krahët do të jenë Dallku me Lilën. Në mezin e fushës, ndryshimi i vetëm pritet që të jetë në krahun e djathtë, Vila do të zëvendësohet nga Lika, i cili po kalon një moment të mirë me Tiranën.

Ndërsa pjesa tjetër do të mbetet e pandryshuar me Bulkun, Kukelin dhe Mehën që do të jetë edhe në rolin e fantazistit. Reparti ofensiv ka pësuar më shumë ndryshime, Salihi dhe Bogdani do ta shohin ndeshjen nga stoli, pasi trajneri ka vendosur t’i besojë formës mjaft të mirë që po kalojnë Sadiku dhe Cani.

Të dy sulmuesit kanë shënuar ndeshjen e parë me Qipron në Tiranë. Ndeshja do të luhet në oën 19:00, sakaq, biletat mësohet se janë shitur duke treguar edhe njëherë që interesi për kombëtaren nuk mungon.

(d.b/shqiptarja.com)