Shqipëri-Kosovë, 2 herë taksa
biznesit, ekspertët kosovarë kritika

Shqipëri-Kosovë, 2 herë taksa <br />biznesit, ekspertët kosovarë kritika
TIRANE - Shqipëria dhe Kosova ende nuk kanë një marrëveshje për shmangien e tatimit të dyfishtë për bizneset e tyre, ndërkohë që shumë premtime nga kryeministri Berisha kanë mbetur vetëm në letër, përveç rrugës së kombit. Në dy të përditshme të Kosovë, Express dhe Kosova Sot, pikërisht ditën e përvjetorit të shpalljes së Pavarësisë, janë publikuar kritika dhe vërejtje lidhur me dështimin e bashkëpunimit në fushën ekonomike, që do të ishte një bashkim real i ekonomive të dy vendeve, të cilat plotësojnë njera-tjetrën në shumë fusha.

Gazeta Express ve në dukje se Oda Ekonomike e Kosovës, në një konferencë për media, është shprehur se Kosova dhe Shqipëria duhet të arrijnë marrëveshje për shmangien e tatimeve të dyfishta. Vendi ynë deri tani ka arritur marrëveshje të tilla me një numër shumë të madh vendesh, por jo me Kosovën.
Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës, theksoi se "përcaktimi i tregut të përbashkët, krijimi i një kornize ligjore në Prishtinë dhe Tiranë për nxitjen e proceseve integruese, rregullimi i sistemit të qarkullimit të mallrave mes dy vendeve dhe heqja përfundimtare e barrierave, nxitja e investimeve nga njëri në vendin tjetër dhe anasjelltas, do të ishin pika referimi për bashkëpunimin ekonomik". Ai ka avancuar me idetë e tij, duke vënë në dukje nevojën për rregullim të qarkullimit të kapitali si p.sh. krijimi i bursës së përbashkët, "brandimi" i produkteve me etiketën "Albanian", harmonizimin e standardeve teknike dhe legjislacionit, harmonizimin e sistemit të edukimit si dhe krijimin e qendrave të përbashkëta për shërbime të biznesit.

Sipas kreut të Odës Ekonomike, për t'i arritur këto, kërkohet një vullnet politik në Prishtinë dhe Tiranë për të krijuar kornizat e tregut të përbashkët. Këtu përfshihen "shmangia e tatimit të dyfishtë, zëvendësimi i importit nga vendet e treta me import nga Kosova dhe Shqipëria, kur kjo është e mundur, përcaktimi i listës së produkteve ku të dyja vendet kanë avantazh konkurrues dhe komplementar, zgjidhja e problemeve në anën e Shqipërisë për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit, përgatitja e studimit për fizibilitetin e ndërtimit të hekurudhës Prishtinë-Tiranë-Durrës, zgjidhja e problemeve ujore në mes të dy vendeve si dhe implementimi i vendimit mbi portin e Shëngjinit", ka thënë ai.
Gërxhaliu deklaroi se, në këtë 100-vjetor të parë të Shqipërisë, duhet filluar puna me shmangien e tatimeve të dyfishta.

Infrastruktura
Ekspertët e ekonomisë në Kosovë deklarojnë se janë të zhgënjyer nga mungesa e hapave drejt realizimit të idesë së përdorimit të portit të Shëngjinit kryesisht në dobi të Kosovës. Sipas tyre, nevojiten shpenzime të mëdha për ta ngritur një port që do të ishte i përdorshëm për kosovarët dhe qeveria nuk ka kapacitete për ta ndërtuar atë.

Në një prononcim për gazetën Kosova Sot, Lekë Musa, ekspert i ekonomisë, thekson se porti i Shëngjinit si ide ka qenë më shumë mediatike dhe politike. "Qeveria e Kosovës nuk ka kapacitete për ta financuar portin. Po të ishte në funksionim, do t'i kishte ndihmuar ekonomisë, pasi krijon dalje në vendet evropiane, kështu edhe kostoja e transportit do të ishte më e ulët, mirëpo për momentin shpenzimet janë jashtëzakonisht të mëdha", tha Musa.
Arian Zeka, kryetar i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha gjithashtu se porti i Shëngjinit nuk shfrytëzohet fare për shkak se, përveç një premtimi, i cili është dhënë nga qeveria e Shqipërisë diku në vitin 2006, nuk ka pasur ndonjë hap konkret të saj drejt përmbushjes së premtimit.
Arta Istrefi, këshilltare për median në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë deklaron se "për momentin nga totali i mallrave që importohen në Republikën e Kosovës përmes porteve detare, shumica e mallrave hyjnë nëpërmjet portit të Selanikut dhe shumë pak hyjnë nëpërmjet portit të Shëngjinit, për shkak të kapaciteteve të vogla të këtij porti dhe vështirësive të tjera".

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash

Po drejtonte trajlerin e ngarkuar me krom, humb jetën 37-vjeçari në Kalimash