Shqipëria ka fituar ndeshjen e tretë  miqësore përballë ekipit të San Marinos me rezultatin 0-3. Kuqezinjtë e kaluan me shumë lehtësi kundërshtarin modest duke i shënuar tre gola, dy në pjesën e parë dhe një në pjesën e dytë.

45’ e para të ndeshjes San Marino-Shqipëri kanë përfunduar me rezultatin 0-2 për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian De Biasi.

Shqipëria zbriti në fushë me formacionin e dytë për shkak të mungesave të futbollistëve të ekipit të parë.

Por mungesat nuk kanë ndikuar aspak, pasi kuqezinjtë kanë kaluar në avantazh shumë shpejt me Mavrajn në minutën e 27, i cili devijoi bukur një top nga një goditje e lirë duke e ndalur në rrjetë.

Ndërsa pak minuta më pas në të 32’ Vajushi shënon një super gol nga një gjuajtje e fuqishme nga jashtë zone. Në pjesën e dytë të ndeshjes Vila shënoi golin e tretë duke vulosur rezultatin.

Formacioni i Shqipërisë: Berisha, Lila, Aliti, Mavraj, Hysaj, Vila, Abrashi, Lilaj, V.Rama, Vajushi, Kapllani. Tr: G. De Biasi

 
Prag ndeshja
De Biasi mbrëmë në orën 18:00 zhvilloi seancën e parafundit stërvitore me kuqezinjtë, ndërsa sot në orën 10:00 do të zhvillojë stërvitjen e fundit përpara se në 20:30 të zbresë në fushë ekipin përballë San Marinos.

Trajneri De Biasi ndeshjeve miqësore në plan të parë nuk i ka dhënë rëndësi rezultatit, por humbjet e njëpasnjëshme me Rumaninë dhe me Hungarinë në të njëjtën mënyrë me të njëjtin rezultat dhe me gola të pësuar në minutat e fundit ka lënë një shije të hidhur te tifozët, por edhe te vetë tekniku që është revoltuar tej mase me futbollistët. Në dy ndeshjet e para është vërejtur në fushë një mungesë motivimi, disipline, por edhe lodhje pas një edicioni të gjatë ku pjesa më e madhe e futbollistëve kuqezi kanë qenë të impenjuar në disa kompeticione.

Megjithatë sonte De Biasi do të tentojë që me cdo kusht të fitojë përballë modestëve të San Marinos për t’u ngushëlluar me një fitore pas dy humbjeve, edhe pse as kjo nuk e shpëton nga kritikat. Në prag të fillimit të eliminatoreve për Europianin e 2016, Shqipëria pas ndeshjeve miqësore u duket se ka shumë mangësi dhe se ende nuk është gati për të pritur kundërshtarë të niveleve të larta. Presidenti Duka i ka vendosur si kusht De Biasit vendin e tretë në përfundim të eliminatoreve të Francës me qëllim arritjet e fazës së ‘Play – off-it’ por nëse gjërat do të ecin në këtë mënyrë objektivi do të kërkojë shumë kohë.
 


d.b/shqiptarja.com