Kontakti i parë me Shqipërinë
“Në fillim informimi” - Kjo është motoja që pret secilin nga turistët që zgjedhin të vizitojnë Shqipërinë në pikat e saj hyrëse. Agjensia Kombëtare e Turizmit gjatë kësaj periudhe mundësoi ngritjen e 11 kioskave Info-Point me material dhe informacione bazë, harta e broshura, pa pagesë, që çdo turisti të huaj do t’i shërbejnë gjatë qëndrimit në vëndin tonë. Duke nisur nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, projekti vazhdoi në secilën nga pikat doganore. Një sipërmarrje të cilën AKT-ja kërkon ta zhvillojë edhe më tej si një model i ri komunikimi me turistët.
Gjithashtu, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, u realizua për herë të pare botimi i një fletë-palosje me të gjitha oraret e linjave ndër urbane dhe të trageteve që do të gjenden në këto Info-Point. Transporti është një element i rëndësishëm për çdo destinacion turistik dhe për këtë arsye ky hap i hedhur do të kursejë kohë dhe do të mundësojë lëvizjen pa probleme.
Ky standard i munguar në informimin e vizitorëve të huaj, e rikthen Shqipërinë në gjendjen normale për një vend që aspiron të ketë një turizëm të qëndrueshëm dhe konkurues. Në secilën nga pikat e ngritura, Agjensia Kombëtare e Turizmit ka patur një bashkëpunim për t’u përshëndetur me qeverisjen lokale, duke garantuar mbështetjen e nevojshme logjistike.
Rëndësia që kanë këto zyra informimi është, jo vetëm në imazhin pozitiv që japin që në çdo pikëhyrje, por gjithashtu në volumin dhe cilësinë e informacionit që përcjellin. Materialet e botuara nga AKT-ja sjellin në të dyja gjuhët, si shqip ashtu edhe në anglisht, informacion mbi vendin ku janë stacionuar këto pika Info-Point dhe në rang kombëtar me gjithçka që Shqipëria turistike ofron (destinacione kulturore, site arkeologjike, muzetë në çdo qytet, etj).
Hapësira në të cilat janë vendosur këto pika i japin mundësinë çdo turisti që, sapo zbret në tokën shqiptare, të marrë menjëherë informacionin e parë në mënyrë lehtësisht të aksesueshëm dhe të botuar në një formë të thjeshtë për t’u orientuar. Që prej ditës së parë të funksionimit të tyre, AKT-ja me kënaqësi konstaton se fluksi i tërheqjes së këtyre materialeve ka qenë përtej çdo parashikimi, duke i furnizuar për herë të dytë dhe të tretë disa prej tyre. Kontakti i krijuar me ata që i tërheqin këto broshura ka qenë inkurajues. Një prej tyre, Helen Dorothy, turiste që vjen nga Kanadaja, e pyetur në aeroportin e Rinasit, u shpreh pozitivisht për këtë zhvillim të ri në mënyrën se si Shqipëria i pret vizitorët e saj.
“Është hera e dytë që vij në vendin tuaj, por më duhet ta pranoj, u befasova sepse ndryshe nga 2009-ta kur, përveç informacioneve që merrje online në mënyrë private, nuk kishte asnjë të dhënë, tashmë ke mundësinë të marrësh një informacion zyrtar, i cili vlen shumë, sidomos për planifikimin siç duhet të kohës së qëndrimit. Më në fund Shqipëria ka filluar të ngjasojë jo pak me cilindo vend normal që unë vizitoj”. Ndërkohë një tjetër turist që hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Murriqanit, si pjesë e një udhëtimi përgjatë gjithë ballkanit, Marek Novotny nga Çekia, tha se ndihet i kënaqur me informacionin e lexuar sidomos oraret e linjave ndër urbane meqenëse do t’i duhet të udhëtojë shumë me autobus gjatë kësaj kohe. Këto ishin vetëm dy nga prononcimet që i morëm atyre turistëve të huaj që po hyjnë në Shqipëri përgjatë kësaj periudhe të sezonit turistik.
Kjo nismë e Agjensisë Kombëtare të Turizmit do të vijojë edhe në të ardhmen duke u shtrirë në zona të tjera me interes turistik.
Redaksia Online