Kryeministri Berisha sulmoi sërish gazetat. Për pasionin e tyre të madh për kronikën e zezë, për titujt e mëdhenj, me të cilët ato lajmërojnë ngjarjet makabre që aq shumë e kanë bërë këtë vend të pajetueshëm. Foli për drejtorë, kryeredaktorë dhe gazetarë seriozë që lejojnë pse këto tituj të mëdhenj dalin nëpër tezgat e gazetashitësve çdo ditë. Po çfarë të bëjmë?

Po jap disa shpjegime, jo justifikime, si kryeredaktor, edhe pse "Shqiptarja.com" nuk shquhet për pasionin e saj ndaj kronikës së zezë dhe pse suksesin me këtë zhanër, e kanë gazetat që janë afër qeverisë. Shqipëria ta shpif, është e zezë dhe kronika po ashtu do të jetë, ndryshe nuk do themi të vërtetën.
Le ta marrim nga fundi: vdekja e 11-vjeçarit pse në Shqipëri mungon ilaçi anestezik, që do t'i kishte shpëtuar jetën këtij fatkeqi, viktima më e fundit e eksperimentit çnjerëzor që bëhet në spitalet shtetërorë të Shqipërisë, edhe pse kryeministri e thotë me krenari se është mjek. Para tij, vdekja e Luca Olivottos, 27-vjeçarit nga Katania, që vdiq pse në Shqipëri, nën hundën e Ministrisë së Shëndetësisë, Urdhrit të Mjekëve që e ka licensuar, një mashtrues italian kuronte kancerin me sodë buke! Mendoni të kishte ndodhur kjo në Itali dhe çfarë do të kishte thënë kryeministri Mario Monti.

Le të përmendim vrasjet makabre të pak ditëve më parë në Mamurras. I mbijetuari i vëllezërve Shkreta akuzoi publikisht policinë e shtetit dhe mjekët: uniformat blu dhe ambulanca, edhe pse u njoftuan erdhën vetëm pas tre orësh dhe vëllai i tij i plagosur dha shpirt nga hemoragjia në një rrugicë, si qen. Ka më tmerr???
Kalojmë në Kukës: 5 orë bllokim autostrade, që ka kushtuar 1.2 miliardë euro me lekët tona që i paguajmë me këstet dhe interesat e borxhit publik, nga shtetas që nuk paguajnë energjinë elektrike, sepse ashtu janë mësuar në këmbim të votës për PD-në. Njerëz të trimëruar nga mungesa e shtetit tënd kryeministër, që terrorizuan udhëtarët e bllokuar, shumica nga Kosova, të cilëve iu plaçkitën edhe sendet nëpër makinat e zëna në pritë.

Kthehemi në Durrës: T'u vra kryekomisari, prej një mbështetësi publik të partisë tënde nëpër fushata, me vëllezërit që janë përfaqësues të partisë tënde atje, që bëni terror dhe vrisni edhe njëherë për ato vota të qelbura që ju mbajnë në pushtet. Mbetemi në Durrës: Prej tre vitesh janë vrarë katër djem nënash nga një vrasës gjakftohtë, që sot tallet me gjyqtarët dhe prokurorët në sallën e gjyqit. Njërit prej tyre i vdiq edhe babai, polic edhe ai. Nuk e mori Zoti, por shkoi pas të birit, me një gjuajtje arme. Ia dha vetes nga marazi, se ç'ta donte jetën, kur evlati i tij prej 3 vitesh kalbet në dhe, ndërsa vrasësi majmet në burg, nën mbrojtjen e shtetit tënd.

Kalojmë në behar, doktor, kur ti sapo ktheheshe nga Lojërat Olimpike të Londrës për të vendosur redordin kinez të mbajtjes nga poshtë në detin e Dhërmiut. Në rrugët ku ti kalon si era, me supereskortë, të janë vrarë mbi 400 njerëz këtë vit, sepse kështu janë rrugët që bën ti doktor-kryeministër, gjobëvënës barkderra janë policët që lejojnë kamikazët për 1000 lekë të qelbura, kështu janë rrugët, ku ti derdh asfaltin elektoral, por nuk ke vënë asnjë mbi-nënkalim, ku Kodi Rrugor përgjaket, fëmijë, të rinj, prindër e të moshuar, bëhen kontigjent agjencish funerale e pavionesh spitalore si thertore katundi.
Shqipëria jonë është shumë e bukur dhe nuk i meriton këto lajme që ne me zemër në dorë i vëmë në faqe të parë, që na dridhet shpirti për çdo jetë të dhunuar, apo të fikur. Por s'kemi ç'të bëjmë: Kjo është Shqipëria jote nën qeverisjen tënde Doktor. E zezë, e dhimbshme, plot ngjarje që të ngjethin mishtë. Shqipëria jote ta shpif dhe ne vetëm jemi lajmësit. Do të tjerë që të bëjnë reklamë? Por kujdes së mos të mërzitet Fahriu me shokë, prandaj mendoje mirë.

Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)