Shqipëria: Kantieret e mëdha të qeverisë së re

Shqipëria: Kantieret e mëdha të qeverisë së re
Me ardhjen në pushtet, në shtator 2013, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk i ndërpreu përfundimisht lidhjet me jetën e tij prej artisti. Sapo u vendos në detyrë, ai rimodeloi Sallën e Hartave, brenda selisë së Kryeministrisë. Për t’i rritur vlerën, ai vendosi disa harta të shkëlqyera antike të Shqipërisë dhe tapiceri fine të përpara luftës. Ky piktor-artist zgjodhi gjithashtu disa drejtkëndësha kuqezi që nxjerrin në pah pikturat dhe i sjellin një qasje më moderne këtij salloni qeveritar.

Është më e lehtë të ribësh një sallë se sa një shtet. Kryeministri socialist, Edi Rama ka hapur shumë kantiere për të modernizuar Shqipërinë. Ai i është përkushtuar një reforme të ndarjes territoriale të vendit, një reforme universitare dhe premton luftë kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Por, për të gjitha këto ka nevojë për Europën. Ky është qëllimi i takimit të tij në Paris, të mërkurën 11 Qershor, me Presidentin e Republikës, François Hollande.

Ky frankofon që ka jetuar disa vite në Paris shpreson të ketë mbështetjen e Francës në samitin europian të 26-27 qershorit, gjatë të cilit Tirana shpreson të përfitojë statusin kandidat, etapa e parë e një procesi të gjatë të integrimit në Bashkimin Europian. Në dhjetor 2013, Franca, ashtu si edhe Gjermania, Holanda apo Britania e Madhe kundërshtuan këtë hap të parë, kryesisht me arsyen e pamjaftueshmërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Korrupsioni është mbi të gjitha një sëmundje e mungesës së modernizimit”, shpjegoi Edi Rama, në një takim në mes të majit në Tiranë. Modernizmi i Shqipërisë është detyra që i është caktuar pasi triumfoi përballë paraardhësit të tij të së djathtës, Sali Berisha. “Kemi hapur reforma në të gjithë sektorët”, siguron Rama.

“Policia më e moshuar dhe më pak e edukuar e Europës”

Qeveria e re ndërmori një reformë në polici. “Kemi policinë më të moshuar dhe më pak të edukuar të Europës”, kontaton Edi Rama, duke shpjeguar që ka vënë në jetë një konkurs të rekrutimit. 39 efektivë janë larguar nga detyra që prej shtatorit 2013 për arsye disiplinore. Ai nënvizon gjithashtu se qeveria e tij, më e reja dhe me më shumë prezencë femërore ndonjëherë, ka një linjë të qartë të sjelljes shembullore. “Pas vitesh të imunitetit të plotë, ministra, deputetë dhe funksionarë të lartë duhet të paguajnë për herë të parë gjobat e tyre”, thekson Kryeministri.

Qeveria firmosi një marrëveshje me FMN për të shmangur falimentimin dhe për të ecur përpara me modernizimin e ekonomisë. Një tjetër kantier i madh, universitetet. Shqipëria ka parë të lulëzojnë qindra universitete private, jo gjithmonë të interesuara për cilësinë e mësimdhënies. Djali i ish-drejtuesit të Lega Nord në Itali, Umberto Bossi, u diplomua në një universitet shqiptar pa shkelur kurrë në vend, në këmbim të pagesës. Zoti Rama frymëzohet nga sistemi britanik për reformën universitare.

Tony Blair dhe Michel Rocard

Kryeministri punoi me ish-këshiltarin e Tony Blair, Alastair Campbell gjatë fushatës elektorale dhe takimi me ish-kryeministrin britanik në Tiranë u bë shumë mediatik. Edi Rama dashuron laburistët e rinj britanikë. Është gjithashtu një fans i Michel Rocard në Francë. Ai ka punuar gjithashtu me Riccardo Haussmann, i Qendrës së Zhvillimit Ndërkombëtar të Harvardit.

Megjithatë, ndërmarrja më e vështirë është reforma në drejtësi. “Nevojiten dhjetë vjet për të realizuar këtë reformë në drejtësi, por ne do ta realizojmë dhe do të jetë kjo reformë që do të na udhëheqë drejt anëtarësimit në BE”, thotë ai. Dosje të shumta korrupsioni janë depozituar në organet gjyqësore. Ekzistojnë gjithashtu pesë hetime për korrupsion brenda vetë institucioneve gjyqësore.

Në një raport të publikuar në 4 qershor, Komisioni Europian vlerëson që “veprime konkrete” janë ndërmarrë prej qeverisë së Tiranë për të “përforcuar profesionalizmin dhe meritokracinë, si dhe në luftën kundër politizimit, inefikasitetit dhe korrupsionit në një pjesë të madhe të sektorit publik”. Si rrjedhojë, Komisioni i rekomandon Këshillin e Europës që t’i akordojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, që është vetëm etapa e parë në një proces të gjatë që do të hapë vite negociatash, përpara anëtarësimit në BE.

Shkrimi i përkthyer nga Le Monde
       

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç