Shqipëria në llogore luftrash,
ja imazhet nga 1912 deri në 1922

Shqipëria në llogore luftrash,<br />ja imazhet nga 1912 deri në 1922
Universiteti “ILLYRIA”- Albumi “Kujtesë (Memoire) Shqipëria në Llogore Luftrash” përgatitur nga Valter Gjoni, paraqet  përmes fotografisë një kronikë historike shqiptare të ngjarjeve të zhvilluara kryesisht në vitet e Luftës së Parë Botërore dhe pasojave të saj në trevat Shqiptare. Fotot  i  takojnë viteve 1911-1922. Paraqitja e tyre realizon një nga qëllimet e botimit të këtij albumi, që të ilustrojë me material fotografik e dokumente këtë periudhë të historisë  Kombëtare Shqiptare dhe të vërë në dukje  ndihmesën e madhe që kanë dhënë këta fotografë dhe veprimtarë diplomatik, politik dhe ushtarak në fiksimin e këtyre ngjarjeve.

Ato hedhin dritë jo vetëm për veprimtarinë dhe pasqyrimin e faktorit ndërkombëtar kryesisht të Francës dhe të vendeve ballkanike fqinje, por dhe të faktorit vendas. Nuk mund të lëmë pa përmendur dhe udhëtarët e huaj, që kanë kaluar nëpër Shqipëri në këto vite dhe kanë lënë pas kujtimet e tyre dhe fotografi, që kanë fiksuar dëshmi të ralla për historinë e popullit tonë.

Botimi i  fotove të bëra prej tyre në këtë album memorial, vlerëson mjaft mirë misionin dhe vështirësitë, si bashkëudhëtarë dhe pjesëmarrës  në ngjarjet historike që lidhen kryesisht me fatin dhe historinë e një populli  të vogël siç qenë shqiptarët dhe vendit Shqipërisë. Këtë mision ka ditur ta vlerësoi dhe ta japë mjaft mirë  në këtë album, përgatitësi i tij Valter Gjoni, njohës i kulturës, frankofil e frankofon, që puna e  apasionuar  i dha mundësinë të mbledhë  fotografitë e botuara në shtypin e kohës, sipas një  tematike të mirë përcaktuar.

Autori ka ditur të grumbullojë, seleksionojë,  klasifikojë dhe përpunojë me kujdes një numër të konsiderueshëm fotosh rreth 600, ku 80% e tyre  kanë qenë të panjohura për publikun shqiptar. Albumi është një burim i veçantë dokumentar  ku lënda e tij vjen nga shtypi i huaj francez, nga revistat më prestigjioze të kohës dhe agjensitë e ndryshme të shtypit,  fotot e të  cilave  nga fakti dhe vërtetësia e dokumentimit të ngjarjeve që sjellin shpesh herë ja kalojnë dhe dokumentit të shkuar. Botimi i këtij albumi me prurjet që sjell, i shërben të vërtetës historike , kulturore e njërëzore dhe i hap horizont studiuesve, historianëve, etnologëve, studiuesve të fotografisë etj.

Fotot japin faqe të vërteta historie, kujtime për jetën e përditëshme njërëzore dhe pamje të qyteteve dhe fshatrave gjatë perriudhës së Luftës së Parë Botërore. Shumica e realizuesve të këtyre fotove ishin Robert Vaucher zviceran, Andrez Kertesz hungarez, Ted Dubray algjerian, Leon Krajevski francez , fotografi i njohur  shqiptar Kel Kodheli – Marubi e mjaft të tjerë të cilët përmenden në Album, fotografë dhe korrespondentë të Agjensisë së shtypit Rol,revistave dhe gazetave franceze  L’Illustration, Le Petit Journal, Le Petit Parisien, Le Globe Illustre si dhe të gazetave të tjera të huaja,  të cilët kanë shoqëruar trupat ushtarake në territoret shqiptare ose kanë qenë present .

Ata kanë fiksuar mjaft mirë praninë franceze në këto 10 vjet në Shqipëri nga 1912 deri më 1922 vit që shënoi dhe vendosjen e marrdhënieve diplomatike midis Francës dhe  Shqipërisë si dhe praninë e forcave ushtarake të huaja austrohungareze, italiane dhe ato të vendeve ballkanike si greke, serbe e malazeze, që pushtuan territoret shqiptare gjatë luftës.

Fotot e botuara në shtypin francez të ilustruar japin mjaft realitete të ngjashme historike shqiptare nga krijimi i shtetit shqiptar e deri në përfundim të Luftës së  Parë Botërore, ato mëshirojnë dhe interesat e publikut francez dhe të atyre pjesëve ku lidhet historia e popullit shqiptar me veprimet e forcave ushtarake, misionin e shtrirjen e tyre në territoret shqiptare të pushtuara nga këto forca.

Fotografët dhe reporterët e shtypit me fotot e bëra janë  përpiekur të riprodhojnë në mënyrë të drejtë dhe të  japin ide të tyre, të cilat ndikojnë në interpretimin tonë të ngjarjeve historike. Kur  shikojmë këto fotografi të dokumentuara, duhet të kemi parasysh faktin që çdo njëra prej tyre është krijuar prej një fotografi me një pikëpamje të caktuar. Opinioni i tij vetiak ndikon në tipet e ndryshme të pamjeve që ai fikson, dhe këto fotografi na ndikojnë si ne t’i mendojmë duke i mbajtur mend ngjarjet historike. Ato janë një paraqitje e së shkuarës, dhe pamjet që ato japin janë mjaft të rëndësishme. Ato shpalosin  hapësirën në të cilën historia është bërë dhe dokumentuar.

Pikërisht në këtë dokumentim të historisë nëpërmjet fotografisë vijnë në ndihmë arkivat dhe filialet e tyre të specializuara në ruajtjen dhe përpunimin shkencor të fotografisë historike, si dhe botimi i nje sërë albumeve dhe revistave historike, të cilat ruajnë një trashëgimi të madhe fotografike, që shquhen për cilësin artistike dhe vlera të mëdha historike. Ato janë  realizuar  në natyrë dhe në vendin e ngjarjeve dhe u krijojnë mundësinë studiuesve dhe dashamirësve të fotografisë që të perceptojnë, nëpërmjet tyre, nëpërmjet pamjeve që ato sjellin, ngjarjet historike se kur ato kanë ndodhur dhe ku. Këtij synimi ia kanë arritur më së miri personalitetet dhe fotografët, prurjet e të cilëve janë sjellë në këtë album. Ato arritën të përçojnë  në publik ndjesitë që të jep fotografia në përftimin e fakteve historike, cilësi këto që dalin mjaft mirë në fotografitë e grumbulluara dhe të botuara nga Valter Gjoni në këtë album.

Me një vështrim të hollë, del mjaft qartë objektiviteti i tyre, i sjellë përmes riprezantimeve të sakta të ngjarjeve, si në përmbajtje ashtu dhe në paraqitje. Duke u ndërthurur me ngjarjet e kohës, përbëjnë fakte të rëndësishme për publikun, me hapësirën kohore dhe kuptimin e veçantë në kontekstin e ngjarjeve. Vlen të përmëndet se shumica e fotove janë bërë nga aktorë present në ngjarjet historike  të ndollura në Shqipëri të ndërthurara me prezencën e  veprimtarisë së tyre diplomatike, politike dhe ushtarake nga veriu i Shqipërisë e deri në jug duke përfshirë dhe trevat shqiptare të Kosovës, Çamërisë e Maqedonisë.

Fotot e sjella  i përkasin  periudhave  të rëndësishme të historisë sonë kombëtare të popullit shqiptar, lidhen me ngjarje si Shpallja e Pavarësisë, luftrat ballkanike, konferencat e mëdha ndërkombëtare që lidhen me caktimin e kufijve të Shqipërisë, krijimit të shtetit kombëtar shqiptar duke sjellë përmes tyre  fakte të reja historike për ngjarje të nxehta të zhvillimeve politike në vend. Ato ngjallin interes dhe hapin dritare në përshkrimin e mjaft ngjarjeve historike duke filluar me ribotimin e deklaratës së  pavarësis, së bashku me një foto të  Ismail Qemalit si deputet në parlamentin osman në vitin 1911.

Përgatitësi ka sjellë foto mjaft interesante të përfaqësuesve të gjashtë fuqive në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912-1913 si dhe të delegacioneve të vendeve ballkanike në Konferencën e Ambasadorëve në Londër nga Serbia, Greqia, Mali i Zi të cilat kanë qenë të panjohura dhe të pa publikuara në shkrimet historike të historianëve shqiptarë. Të dhëna sjellin fotot mbi luftën për mbrojtjen e Shkodrës dhe bashkimit të saj me Qeverinë e Vlorës,  kalimit të saj nga pushtimi malazez në duart e kontrollit ndërkombëtar etj. Mjaft fotografi mbi Esat Pashë Toptanin të viteve 1913 -1918 të lënë të pozicionosh figurën dhe qëndrimin e tij në raport me Malin e Zi, me Turqinë dhe me Shqipërinë. Interes ka publikimi i intervistës së Esat Pashë Toptanit  dhënë korrespondentit të L’illustaration  Franz de Jessen më 28 maj 1913, ku i deklaron se është Gjeneral turk dhe se ai nuk mund të ketë lidhje me Qeverinë e Vlorës. Kjo intervistë e tij tregon dhe një herë arësyet se pse ai nuk bashkëpunoi me Qeverinë e Vlorës dhe u vu kundër saj.

Foto të reja  interesante janë mbi Princ Vidin që nga nëntori i 1913 për afrimin e fronit, mbritjen e tij në Durrës më 1914, mbi  inspektimin e forcave të ushtrisë shqiptare prej tij, Isa Boletini , Esad Pashë Toptani dhe  Kolonelit Thomson., dhe deri ke pasqyrimi i  kryengritësve anti vidistë dhe  mbyllja e tij në Durrës deri në momentin e largimit të tij më 3 shtator 1914 pas gjashtë muajsh qëndrimi në  Shqipëria dhe që su kthye më.

  Një vend të veçantë në album  zënë fotot e sjella nga zona e pushtimit francez  në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore, ato japin veprime të reparteve të ushtrisë franceze të Armatës së Lindjes, të cilat më 1916 pushtuan Korçën dhe më 1917 Pogradecin. Para ardhjes së forcave franceze  qyteti i Korçës ishte në duart e ushtrisë greke që nga 1914, pushtim që kishte rritur shumë pakanaqësinë e popullsisë.

Fotografi dhe gazetari i revistës L’illustartion Robert Vaucher me aparatin e tij ka fiksuar mjaft ngjarje dhe momente që i takojnë Korçës, duke sjellë pamje të qytetit dhe momente historike  të saj, si mitingu i 10 dhjetorit 1916 ku  komanda franceze nënshkroi me përfaqësuesit e këtij qyteti një protokoll ku Korça së bashku me Kolonjën Gorën dhe Oparin  do të formonin një krahinë autonome të administruar prej shqiptarëve dhe  nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake franceze. Foto të Kolonelit Descoins komandant  i forcave ushtarake franceze të Korçës me prefektin e Korçës Themistokli  Gërmenji.

Ato flasin për një bashkëpunim të forcave ushtarake franceze me ato shqiptare si dhe dorëzimin e Korçës Th. Gërmenjit. Protokolli me komandën franceze përbën aktin e vetëm politik të nënshkruar gjatë luftës së parë botërore mbi baza pariteti midis shqiptarëve dhe forcave të huaja, ajo shënoi një faqe në marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe francezëve. Por ky bashkëveprim nuk vazhdoi gjatë se më 16 shkurt 1917 francezët e vunë këtë krahinë nën administrimin e tyre duke abroguar protokollin e dhjetorit të vitit 1916 dhe e mbajtën atë deri  në maj të vitit 1920. Fotot japin dhe momentet nga largimi i forcave bullgare nga Pogradeci si dhe të forcave ushtarake greke.

Informacion të ri historik e dokumentar sjellin dhe fotot e  misioneve humanitare amerikane më 1917 në Korçë  si dhe fotografitë panoramike të fshatrave  Hoçishtë, Leskovik,  Bilisht. Reporterët nuk kanë lënë jashtë vëmëndjes dhe pasqyrimin në foto të pritjes madhështore që iu bë deputetit francez Justen Godart në Bilisht dhe Korçë, mikut të ngushtë të shqiptarëve që bëri aq shumë për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor të vitit 1920 dhe për konsolidimin e shtetit shqiptar.

 Vend zënë dhe fotot nga pushtimi austrohungares, pushtimi serb në Elbasan, në Shkup, Mitrovice, Manastir, largimi i ushtrisë serbe nga Durrësi, si dhe nga pushtimi grek i Shqipërisë së jugut deri në Sarandë e Gjirokastër.
 Fotot e përzgjedhura të botuara nëAlbum, nga krahina e Çamërisë dhe qyteteve të saj si Filati, Paramithia etj. pasurojnë fondin e fotografisë me të  dhëna me interes mbi  largimin e popullsis  myslimane nga Greqia,  ku u përfshi dhe një pjesë e popullsisë myslimane shqiptare e këtyre trevave. Fotot kanë evidentuar mjaft qartë këtë genocid dhe japin dhe të dhëna të reja mbi qëndrimin dhe kujdesin e forcave franceze për këtë popullsi të shpërngulur, ku kalvari i keqtrajtimeve dhe shpërnguljeve  vazhdoi dhe më me egërsi pas vitit 1922 e që vazhdoi deri në vitet1945-1946.

Fotot e vjela nga revista L’Illustraion dhe agjencia Rol në vitet 1916-1917 të bëra nga  përfaqësuesi i tyre  Robert Vaucher,  dhe të sjella në album japin pamje nga zona e pushtimit italian ku bënin pjesë krahinat e Vlorës, Gjirokastrës , të Sarandës , Përmetit, Kolonjës, Tepelenës dhe vendosjen e  komandës së ushtrisë italiane me gjeneralin italian Ferrero. Ato përciellin  se si u bë zbarkimi i bersalierëve, i kavalerisë italiane, vendosjen e  forcave të marinës dhe zëvendësimi i forcave ushtarake greke me ato italiane. Ato shoqërohen me publikimin e  fotografive të Vlorës dhe të japin një ide mbi ndërtimet italiane për interesa të luftës në të dhe në qytete të tjera, si në ishullin e Sazanit, në Himarë, Gjirokastër, Tepelenë, Delvinë, Përmet, Këlcyrë e  Sarandë etj ku italianët për nevoja të luftës ndërtuan mbi 200 milje rrugë të asfaltuara, 50 milje hekurrudhë me trase të ngushtë, bënë ndërtime publike etj.  

Duke përfunduar theksoj se botimi i këtij albumi fotografik me karakter historik të përgatitur me pasion nga Valter Gjoni sjell mesazh për brezat dhe ka rëndësi se  tregon momente të rëndësishme historike që ka kaluar historia e këtij kombi e parë dhe pasqyruar nga të huajt e të fiksuar në fotografi.  Autori ka ditur të përgjedhi fotografitë e bëra nga  këta fotografë, të cilët kanë ditur t’i fiksojnë me mjeshtëri të veçantë artistike këto momente. Të gjitha këto ruajnë në vetvete copëza nga historia e këtij vendi të ndërthurur me veprime historike, diplomatike dhe politike të veprimtarëve të shteve të fuqive të mëdha të kohës ku në vendimarrjet e tyre ndërthurrej dhe historia e këtij vendi të vogël ballkanik që sapo fitoi pavarësinë e tij. Ato dokumentojnë më së miri mjaft aspekte të luftës së shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tyre.

Ato i japin mundësinë studiuesve për thellim, sjelljen e tyre në kohën, në vendin dhe ngjarjen e duhur . Kur i sheh këto fotografi, ato të sjellin pamje nga lufta, janë të lidhura me të, shprehin një qëndrim politik, probleme dhe mendime. Ato vënë në kornizë një periudhë kohe, japin një konflikt, duke dokumentuar historinë e popullit shqiptar në këtë kohë të vështirë, nëpër të cilën po kalonte ai për të siguruar pavarësinë dhe ruajtjen e saj.

Shkrimi u publikua sot (20.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan

Shkëmbim të burgosurish mes Rusisë dhe SHBA-së! Pritet të lirohen gazetari Evan Gershkovic dhe ish marinsi Paul Whelan