Shqipëria nuk arrin që të thyejë tabunë përballë Hungarisë duke pësuar një tjetër humbje në stadiumin mitik “Ferenc Puskás” në Budapest me rezultatin minimal 1-0, ndërsa përsa i përket miqësoreve ishte disfata e dytë pas asaj me Rumaninë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri De Biasi vazhdojnë që të zhgënjejnë në testet miqësore, pasi edhe përballë ekipit të Rumanisë humbën në të njëjtën mënyrë duke lënë shumë për të dëshiruar. 90 minutat e të ndeshjes ishin të qeta, pak situata të rrezikshme, dy ekipet u munduan që të mos pësonin më shumë se sa të shënonin. Nuk kishte idetë të qarta në aspektin ofensiv, ndërsa përsa i përket mbrojtjes kuqezinjtë vazhdojnë që të gabojnë sidomos në minutat e fundit .

Fillimi i ndeshjes foli për kuqezinjtë që luajtën si të barabartë përballë Hungarisë, por nuk arritën tw konkretizonin. Ndërsa Hungaria kishte rastin më të mirë për të kaluar në avantazh në minutën e 30, teksa rrezikoi seriozisht portën e Berishës pas një gjuajtje të fuqishme nga Dzsudzsák, e cila përfundoi vetëm pak cm mbi traun e portës. Megjithatë pjesa e parë e ndeshjes përfunduan me rrejta të paprekura. Në fraksion e dytë të ndeshjes përsëritet e njëjta lojë, pa shumë grindë dhe emocione. Të dy ekipet qarkullojnë topin në mesin e fushës duke mos iu afruar seriozisht portës për të pritur minutën e 81 që përsërit historinë si në ndeshjen me Rumaninë.

Ergys Kaçe gabon në zonë duke ndërhyrë në mënyrë të parregullt ndaj Tamas Priskin duke detyruar arbitrin të akordojë penallti. Nga pika e bardhë është vetë Priskin që gjuan me qetësi duke mposhtur Berishën dhe dërguar topin në rrjetë. Shqipëria tenton që të kundërpërgjigjet pas golit duke rrezikuar me Agollin që lëshon një silurë drejt portës, por portieri Rozsa devijon topin nga këndi. Ndeshja e radhës për kuqezinjtë është më datë 8 qershor përballë San Marinos.

Prag ndeshja
Pas pak nis miqësorja mes Hungarisë dhe Shqipërisë. Formacionet e të ekipeve janë;

Pas seancës së fundit stërvitore duket se trajneri De Biasi ka qartësuar idetë për vendosjen e skuadrës në sfidën miqësore Hungari - Shqipëri‏. Gjendja fizike e lojtarëve është e mirë dhe pritet që të kemi një sektor mbrojte të përforcuar duke i dhënë rëndësi.

“Kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe duke qenë miqësore nuk do të doja që të ndalesha tek rezultati. Ajo që duhet të kuptojmë është mënyra se si skuadra mund të shprehet dhe të gjejë ekuilibrin. Kjo nuk është shumë e thjeshtë sidomos në qoftë se kemi parasysh këtu që disa lojtarë kyç për skuadrën tonë kanë munguar ose mund të mungojnë në ndeshjen e ardhshme. Por gjithsesi ne duhet të punojmë të fokusuar dhe të bëjmë bilancin pas çdo ndeshjeje dhe të përmirësohemi pas çdo sfide”, tha De Biasi.

Formacioni nuk bëhet ende publik dhe për këtë duhet të presim orën 20:30, megjithatë formacioni që pritet të zbresë në fushë është pothuajse i kristalizuar. Me grumbullimin e Mërgim Mavrajt dhe Elseid Hysajt, pritet të ketë një riformatim të mbrojtjes, me mbrojtësin e Empolit në të djathtë ndërsa, Mavraj përkrah Lorik Canës ose Debatik Currit.

Ndërsa në të majtë pritet të luajë që nga minuta e parë Lenjani. Lorik Cana në qendër të mesfushës, në vend të Kaces, ndërsa Agolli dhe Lila do të shtyjnë nga krahët. Sokol Cikalleshi pritet që të aktivizohet si pykë në sulm nga minuta e parë dhe do të mbështetet nga krahët nga Valdet Rama dhe Shkëlzen Gashi.



d.b/shqiptarja.com