Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër AIDS e gjeti Shqipërinë edhe me 119 persona të tjerë të infektuar me HIV/AIDS, sipas Institutit të Shëndetit Publik. Drejtuesja e shoqatës së personave që jetojnë me HIV/AIDS, Olimbi Hoxhaj, tha për Zërin e Amerikës se këtë vit u raportua edhe për disa bebe të lindura me HIV pozitiv. Diagnoza e vonë dhe shoqërimi i HIV-it me sëmundje të tjera mbeten shqetësime kryesore.
Në Shqipëri janë shtuar këtë vit edhe 119 persona të infektuar me HIV, nga të cilët 30 janë femra, 89 meshkuj, 4 fëmijë, 14 të rinj dhe 101 të rritur, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.
Gjatë këtij viti kanë humbur jetën për shkak të HIV/ AIDS-it 15 persona, 7 nga të cilët u përkasin rasteve të reja. Edhe në rastet e reja mbizotëron raporti i përgjithshëm që në 4 persona, 3 janë meshkuj dhe 1 femër.
Veprimaret e të drejtave të pacientëve, pohojnë që edhe pse mbështetja e personave që jetojnë me HIV ka shënuar disa përparime, përfshi këtu edhe ofrimin falas të medikamenteve antiretrovirale, sërish sfidat mbeten të shumta.
Drejtuesja e Shoqatës Shqiptare e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS, Olimbi Hoxhaj, thotë për Zërin e Amerikës se raportet krahasimore ndërkombëtare, Shqipëria renditet e para në rajonin e Ballkanit përsa i përket raportit në mes numrit të popullatës, numrit të testimeve dhe rasteve të reja të diagnostikuara me HIV edhe për vitin 2024. Sipas saj, diagnoza e vonë si dhe rritja bashkë e infeksioneve HIV me sifiliz mbeten shqetësime kryesore për rastet e reja të diagnostikuara, thekson ajo.
“Një tjetër problem shqetësues nga të dhënat e këtij viti është fakti se këtë vit janë raportuar raste të reja të bebeve të lindura HIV pozitiv nëpërmjet transmetimit vertikal. Kjo tregon mungesën e efektivitetit si dhe të përfitimeve të kufizuara nga programi i parandalimit të transmetimit vertikal nga prindërit tek fëmija, program i cili ka filluar vitet e fundit të zbatohet në qendrat kryesore të ofrimit të kujdesit për nënën dhe fëmijën. Mbështetja nga institucionet shtetërore vazhdon të jetë e pamjaftueshme, veçanërisht në grupet më të riskuara”, thotë zonja Hoxhaj.
Si në klinikën ambulatore ashtu edhe pranë shoqatës drejtohen një numër jo i vogël personash, që interesohen për ndihmë të specializuar në përballimin e HIV, i cili shpesh shoqërohet me sifilizin.
Veprimtaret vërejnë që edhe pse është regjistruar një rritje e ndjeshme e rasteve të reja me sifiliz, ende nuk janë marrë masa për të trajtuar atë me medikamente falas në klinikat shtetërore, por personat e prekur janë të detyruar që të blejnë trajtimin në rrjetin farmaceutik dhe pastaj të marrin shërbimet në klinikat shtetërore.
Zonja Hoxhaj, po ashtu anëtare e Komitetit Drejtues të Europës për Veprimin Kundër AIDS-it dhe pjesëtare e Grupit Europian të Trajtimit të AIDS-it, thotë se mbështetja për diagnozën e hershme, për shërbimet sociale, për kujdesin paliativ dhe atë psikologjik janë ende të pamjaftueshme.
Trajtimet me medikamente para dhe pas ekspozimit, të ashtuquajturat prep dhe pep, thotë ajo, mbeten sfidë për Shqipërinë. Sipas saj, Shqipëria mbetet e fundit në rajon për qasje me medikamente në parandalim.
“Me përfundimin e financimit të Fondit Global, Shqipëria ende nuk ka një strategji të qartë ose një plan veprimi se si do të veprohet për të garantuar vazhdimësinë e shërbimeve mbështetëse dhe të parandalimit për personat që jetojnë me HIV si dhe për grupet e popullatave me risk.
Financimi për edukimin dhe parandalimin vazhdon të mbetet një domosdoshmëri, pasi është faktor kryesor për frenimin e përhapjes së HIV-it si dhe për të garantuar që çdo person i prekur të marrë kujdesin dhe mbështetjen që meriton”, thotë zonja Hoxha.
Në 3 dekadat e fundit nga viti 1993 e deri sot HIV/AIDS ka prekur 1 mijë e 844 vetë, shumica të rritur e të rinj, 56 fëmijë, dhe kanë humbur jetën 358 persona. Në 10 vitet e fundit shifrat e infektimeve të reja janë luhatur midis 90 dhe 127 persona, që është deri tani, regjistruar në vitin 2016.
Rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV vazhdon të mbizotërojë në mbi 95 për qind të rasteve, 70 për qind e tyre erdhën prej marrëdhënieve heteroseksuale dhe 23 për qind prej marrëdhënieve mes meshkujsh, ndërsa transmetimi vertikal nga nëna e infektuar me HIV te fëmija përbën 2.5 % të totalit (46 raste).
“Sot, në datën 1 dhjetor, në Ditën Ndërkombëtare të Luftës Kundër AIDS-it, në këtë ditë kujtese dhe ndërgjegjësimi, duhet të jemi pranë atyre që jetojnë me HIV, duke iu ofruar mbështetje, dinjitet dhe solidaritet. HIV-i nuk përcakton vlerën apo dinjitetin e askujt. Slogani i këtij viti është “Bashkë, për të arritur tek të gjithë”. Edhe ne së bashku mund të mposhtim stigmën dhe të ndërtojmë një të ardhme me më shumë kujdes, dinjitet, të drejta njerëzore dhe të barabarta për të gjithë”, tha zonja Hoxhaj.
ISHP ka gjetur se vetëm 15 për qind e rasteve të reja me HIV u zbuluan me test vullnetarisht, pjesa tjetër janë vërtetuar në laboratorë analizash, në dhurim gjaku dhe në rekomandime. Testime të shumta bëhen kryesisht në dhurues gjaku, nëna shtatzëna dhe popullata në risk. Këtë vit janë kryer mbi 4 mijë teste më pak, 58.250 mijë sivjet nga 62.500 një vit më parë.
HIV/AIDS në Shqipëri ka mbetur një dukuri urbane, afro gjysma e rasteve (48.5%) banojnë në Tiranë, ndërsa me një diferencë të madhe vijnë Durrësi dhe Elbasani (7%), Shkodra (4%), Vlora, Lushnja, Fieri, Korça dhe Saranda (2%)./VOA