TIRANE, 15 Dhjetor /ATSH/- Autoriteteti Shqiptar i Konkurrencës dhe Autoriteti Federal i Konkurrencës së Austrisë, nënshkruan ditët e fundit në Vjenë, memorandumin e përbashkët për nxitjen e bashkëpunimit në fushën e politikës së konkurrencës dhe zbatimit të ligjit të konkurrencës.
Marrëveshja u nënshkrua repektivisht nga Theodor Thanner, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Federal të Austrisë së Konkurrencës dhe nga Lindita Milo (Lati) Kryetare e Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës, në prani të ambasadorit shqiptar në Austri Z. Roland Bino dhe Z. Alexander Italianer, Drejtor i Përgjithshëm për Konkurrencën në Komisionin Europian.
Sipas memorandumit, dy autoritetet duke synuar krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe bazuar në parimet e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë si dhe duke nënvizuar rolin e konkurrencës në zhvillimin real dhe efektiv të ekonomisë së tregut, kanë rënë dakort të nxisin dhe forcojnë bashkëpunimin në zbatim të ligjit dhe politikës së konkurrencës, në përputhje me legjislacionin kombëtar të Shteteve të Palëve.
Delegacioni i Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës gjate kesaj vizite në Vjene mori pjesë në konferencën dy ditore të Konkurrencës mbi "Praktikat më të mira të hetimeve" si dhe "Pavarësia dhe strukturat e autoriteteve kombëtare të konkurrencës në kontekstin europian" .e,xh/f.n/







