TIRANË, 16 Janar /ATSH/- Në kuadrin e projektit cross-border "Jetoni shëndetshëm në zonat rurale", që financohet nga BE-ja, fermerë nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptarë dhe Federata e Fermerëve Maqedonas, zhvilluan ditët e fundit në Vrutok, Gostivar, (Maqedoni) një seri trajnimesh në fushën e bujqësisë.
Mbi 20 fermerë nga qarku i Dibrës, që merren me kultivimin e mollëve ishin pjesë e trajnimit nga ekspertët maqedonas të Universitetit të Shkupit, që prezantuan teknologjitë e reja të shërbimeve në këtë kulturë.
Qarku i Dibrës është një ndër zonat më të njohura në vendin tonë për cilësinë dhe traditën e prodhimit të mollëve. Gjatë ditëve të trajnimit, fermerët shqiptarë ndoqën me interes dhe praktikat demostrative me mjete bashkohore, përsa i përket vjeljes së mollëve dhe ruajtjes së kultivarëve autokton. Qëllimi i trajnimit kosistoi në bashkërendimin e eksperiencave më të mira midis fermerëve, që jetojnë në zonat ndërkufitare (Shqipëri-Maqedoni) për zhvillimin e një tregu të përbashkët në prodhimin e mollëve cilësore dhe konkurruese në treg. Për fermerët e zonës së Dibrës kultivimi i mollës është njëri ndër aktivitetet më rentabël dhe në shumë familje siguron mbi 50 % të të ardhurave. e,xh//m.m/