TIRANE - Shqipëria bllokon deklaratën e përbashkët të hartuar nga liderët e rajonit në Samitin Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), që u mbajt në Beograd.

Shkak u bë mungesa e Kosovës në këtë takim të rëndësishëm rajonal. Në këtë aktivitet të rëndësishëm ishte i pranishëm zv/ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Selim Belortaja, i cili ka deklaruar para pjesëmarrësve se deklarata e hartuar nuk është konstruktive pasi në të nuk gjejnë pasqyrim marrëveshjet e arritura mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Këtë deklaratë nuk mund ta pranojmë, sepse është e domosdoshme që në të reflektohet rëndësia e marrëveshjeve të arritura mes (Beogradit e Prishtinës) si dhe zbatimi i plotë i tyre”, ka thënë Belortaja.

Belortaja ka përsëritur qëndrimin e Tiranës zyrtare se Kosovës duhet t’i njihet dhe respektohet e drejta që të jetë anëtare me të drejta të plota në SEECP, sikurse dhe në iniciativat e tjera rajonale.

Presidenti serb, Tomillav Nikolic, ka thënë se për Serbinë, "është i papranueshëm propozimi i Shqipërisë, pasi sipas tij nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete për këtë rast".

Në Samitin e SEECP që po mbahet në Beograd, vend i cili është dhe organizator i këtij takimi, Kosova nuk është ftuar. Edhe pse Serbia ka pranuar marrëveshjet mbi përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale, ky rast dëshmon për injorimin e marrëveshjes nga ana e palës serbe.
(ns/sg/shqiptarja.com)