Kosova dhe Shqipëria do t’i bashkohen Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, e cila do të merret me aspekte të ruajtjes së paqes në Gaza gjatë Fazës II të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, dhe çarmatosjen e grupit palestinez, nën administratën e Donald Trump.

Po ashtu, KAN News raportoi të hënën në mbrëmje se edhe Greqia do t’i bashkohet ISF-së.

Forca e plotë në qershor pritet të arrijë rreth 8,000 trupa, shifër kjo më e lartë se disa vlerësime të mëparshme të spekuluara nga media.

Dislokimi i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit është një pjesë kyçe e planit të Gazës të shpallur nga Donald Trump në shtator. Presidenti amerikan do të njoftojë se cilat vende planifikojnë të kontribuojnë me disa mijëra trupa në forcën e stabilizimit, e cila pritet të dislokohet në territorin palestinez në muajt në vijim. Një shqetësim kryesor për momentin është çarmatimi i luftëtarëve të Hamasit, të cilët kanë qenë hezitues të dorëzojnë armët. Sipas planit të Gazës të Trumpit, anëtarëve të Hamasit që angazhohen për bashkëjetesë paqësore dhe për çaktivizimin e armëve do t’u jepet amnisti. Anëtarëve të Hamasit që dëshirojnë të largohen nga Gaza do t’u sigurohet kalim i sigurt drejt vendeve pritëse, sipas planit.

Kryeministri Edi Rama u nis sot drejt Uashingtonit ku do të marrë pjesë në mbledhjen e parë konstituuese të Bordit të Paqes, mbledhje kjo e thirrur nga presidenti Trump më datë 19 shkurt. Sfida e parë e këtij Bordi është rindërtimi i Rripit të Gazës.