Kryeministri Edi Rama ka ndarë një pjesë nga fjalimi i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të mbajtur sot në Hagë.

"Liria ka emër", e shoqëron Rama postimin e tij në rrjetet sociale, krahas videos ku flet Thaçi.

"Dje në Kosovë u shënua 18 vjetori i pavarësisë së Republikës së Kosovës. Dëshiroj që sot nga kjo sallë të përcjellë urimet më të përzemërta të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për këtë festë madhështore. Është vetëm një e vërtetë, që akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm. E kam thënë dhe e them sërish, me bindje të plotë, unë bashkëndjej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat që kanë pësuar në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuzë, veçanërisht, kur gjatë luftës unë nuk e dija a do të isha gjallë, prej orës në orë, dhe prej ditës në ditë. Unë nuk isha i sigurt nëse do të shikoja familjen time, gruan time dhe djalin e sapolindur e lëre më të ëndërroja të ushtroja kontroll në Kosovë, në Kosovën e pushtuar plotësisht për rreth 90 vite, por Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal.

Unë jam kritikuar shumë dhe kritikohem ende në Kosovë, pse e mbështetëm themelimin e kësaj Gjykate. Kritikët, thonë se kjo gjykatë synon kriminalizimin e luftës sonë për liri dhe idenë e pavarësisë. Këtë nuk e kam besuar në atë kohë, kur e votuam, por uroj sinqerisht që koha të dëshmojë që unë kisha të drejtë dhe kritikët e kishin gabim. Kjo prokurori, në vend që t'i heqë renë e zezë Kosovës, kërkon t'ia zërë diellin me një stuhi të zezë, të ashtuquajturën ndërmarrje e përbashkët kriminale", thuhet në fjalën e Thaçit, shpërndarë nga kryeministri Rama.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan sërish të pafajshëm në deklaratat e tyre përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë.

Hashim Thaçi iu drejtua prokurorisë duke thënë se ishte ofenduese akuza se ai ka pasur si qëllim marrjen e kontrollit të pavarësisë.

Kadri Veseli në deklaratën e tij tha se ka dëshiruar gjithmonë një jetë normale, por ishte e pashmangshme pasi në atë kohë iu mohua çdo e drejtë dhe se nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vuajtje që po përjetonte populli i tij. 

Rexhep Selimi deklaroi se akuzat e prokurorëve po njollosin historinë e shtetit të Kosovës që nuk mund të rishkruhet nga e para në tribunalin e Hagës. 

Jakup Krasniqii u shpreh se çdo akuzë e ngritur nga prokuroria kundër luftës së UÇK-së, është vazhdim i i gënjeshtrave të prodhuara nga regjimi kriminal i Serbisë.