Katër dekada pasi rivendosën marrëdhëniet diplomatike, Shqipëria dhe Spanja janë sot aleatë në NATO dhe partnerë të afërt në rrugën europiane. Në 40-vjetorin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, falënderoi Madridin për mbështetjen ndaj Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Në mesazhin e tij pwrcjellw nw rrjete sociale, Hoxha kujtoi shprehjen e poetit spanjoll Antonio Machado, duke theksuar rrugën që dy vendet kanë ndërtuar së bashku gjatë katër dekadave të fundit.

“Siç ka shkruar poeti i madh spanjoll Antonio Machado, ‘Se hace camino al andar’ – rruga bëhet duke ecur. Gjatë katër dekadave të fundit, vendet tona e kanë ndërtuar këtë rrugë së bashku, hap pas hapi, përmes miqësisë, respektit të ndërsjellë, solidaritetit dhe, gjatë 35 viteve të fundit, përmes një përkushtimi të palëkundur ndaj vlerave tona të përbashkëta europiane”, tha ai.

Ministri kujtoi gjithashtu periudhën kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

“Kur marrëdhëniet diplomatike u rivendosën në vitin 1986, Shqipëria ishte ende e izoluar pas Perdes së Hekurt, ndërsa Spanja po konsolidonte tranzicionin e saj demokratik dhe të ardhmen europiane. Pak kush mund ta imagjinonte atëherë se sa thellësisht do të ndryshonin kontinenti ynë dhe dy vendet tona. Sot, Shqipëria dhe Spanja janë partnerë të afërt, aleatë në NATO, të bashkuar nga një dialog i shkëlqyer politik, lidhje ekonomike, tregtare dhe investime në rritje, marrëdhënie të gjalla mes njerëzve dhe një vizion i përbashkët për një Europë paqësore, të begatë dhe të bashkuar”, deklaroi ministri.

Hoxha falënderoi gjithashtu Spanjën për mbështetjen e saj në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Ndërsa Shqipëria ecën përpara në fazën më dinamike dhe përcaktuese të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, ne jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë, mbështetjen dhe angazhimin e Spanjës gjatë gjithë këtij transformimi. Shënimi i këtij përvjetori nuk është vetëm një mundësi për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar, por edhe për të parë drejt së ardhmes me besim, ambicie dhe vendosmëri për të vazhduar të ndërtojmë së bashku”, përfundoi Hoxha.