Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, doli pasditen e së martës me një thirrje të drejtpërdrejtë për profesionistët shqiptarë. Sipas kryediplomatit kush e ndjen veten gati, duhet të aplikojë për t’u bërë pjesë e skuadrës diplomatike në Bruksel

Përmes një postimi në X, Hoxha fton të interesuarit që të ndjekin procedurat dhe të aplikojnë për t’u përfshirë në misionin e Shqipërisë pranë Bashkimi Evropian, në kuadër të objektivit ambicioz “Shqipëria 2030”.

Ai thekson se procesi i integrimit europian ka hyrë në një fazë të avancuar dhe kërkon njerëz me formim të fortë akademik, eksperiencë profesionale dhe aftësi reale për të përfaqësuar Shqipërinë me dinjitet.

“Nga e thëna në të bërë: nëse besoni se përmes formimit tuaj akademik, eksperiencës profesionale, aftësive dhe shprehive, apo çdo cilësie tjetër thelbësore për profesionin e diplomatit, keni çfarë nevojitet për të qenë pjesë e skuadrës tonë në Bruksel për Shqipërinë2030, ju ftoj të klikoni më poshtë dhe të ndiqni udhëzimet për të aplikuar. Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, i cili ka hyrë në një fazë të avancuar, kërkon më shumë se asnjëherë angazhimin e më të mirëve, më të aftëve dhe më të përkushtuarve, për të përfaqësuar vendin tonë me profesionalizëm, integritet dhe vision” tha Hoxha në rrjetin social X.  

Në postimin e tij, Hoxha e cilëson këtë si një moment kyç për vendin, duke e parë si një mundësi konkrete për të kontribuar në një proces historik që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen europiane të Shqipërisë.

“Ky është një moment kyç për Shqipërinë, një mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në një proces historik që do të përcaktojë të ardhmen europiane të vendit. Bëhuni pjesë e këtij rrugëtimi.  Vendi dhe e ardhmja jonë kanë nevojë për çdokënd” shkroi Hoxha në X.

Aplikimet janë të hapura dhe të interesuarit mund të ndjekin udhëzimet përmes njoftimit zyrtar të publikuar nga Ministria e Jashtme.