Shqipëria dhe Bashkimi Europian zhvilluan në Bruksel dialogun e dytë për Sigurinë dhe Mbrojtjen, në një kohë kur sfidat globale po bëhen gjithnjë e më komplekse.

Takimi, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme, u mbajt në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje mes dy palëve dhe reflekton angazhimin për forcimin e bashkëpunimit dhe përballimin e përbashkët të kërcënimeve gjithnjë e në rritje.

Gjatë dialogut, Shqipëria rikonfirmoi linjëzimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke theksuar rolin e saj si një partner i besueshëm dhe aktiv.

Në këtë aspekt, vendi ynë mirëpriti nismat e Bashkimit Europian për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe shprehu gatishmërinë për të kontribuar në misione dhe programe të përbashkëta.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe situata e sigurisë në Europë, ku agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës vijon të mbetet një kërcënim serioz për stabilitetin.  Shqipëria rikonfirmoi solidaritetin e saj të palëkundur me Ukrainën dhe përkushtimin për mbështetjen e paqes, sovranitetit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Sa i përket rajonit, u theksua se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur ngushtë me sigurinë e gjithë Evropës. Shqipëria mbetet e angazhuar për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian për të gjitha vendet e rajonit.

Në fund të takimit, zgjerimi i Bashkimit Europian u cilësua si një instrument kyç për paqen dhe stabilitetin afatgjatë, ndërsa Shqipëria rikonfirmoi vendosmërinë për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit.