Parlamenti Evropian i kërkon autoriteteve shqiptare një moratorium ndërtimesh në zonat e mbrojtura, teksa shpreh shqetësim serioz për zhvillimet e brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë dhe se ndjekin nga afërt ato që i quajnë “protesta masive paqësore”. Në raportin e miratuar këtë të mërkurë për Shqipërinë, eurodepuetët kërkojnë gjithashtu që të ndryshohen ndërhyrjet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në këto zona.
Çfarë thotë Amendamenti 17?
"Shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë demonstrojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve legjislative dhe rreziqet që vijnë si pasojë e tyre për zonat me vlerë të njohur ekologjike; ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim; u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në bazë të një kërkese të hershme nga Komisioni dhe Parlamenti dhe në përputhje me standardet përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; nënvizon se çdo projekt në këtë fushë duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile."
Amendamenti i kërkuar nga një grup deputetësh të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, i miratuar me votën e shumicës në PE, bën thirrje që çdo projekt në fushën e turizmit në zonat e mbrojtura në Shqipëri duhet t'i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis në përputhje të plotë me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.
Ky është dokumenti i parë që vjen nga institucionet e Bashkimit Evropian që prej nisjes së protestave për çështjen e investimit në Zvërnec që përbën një sinjal të fortë, edhe pse rezoluta nuk është juridikisht detyruese.
Miratimin e Rezolutës por edhe amendamentin e mësipërm e përshëndeti edhe Kryeministri Rama, teksa veçoi rrëzimin e një tjetër amendamenti të bërë këtë herë nga grupi “E majta”, që kërkonin të përmendej me emër projekti në Zvërnec dhe Jared Kushner apo kompania e tij “Affinity Partners”. Por kjo nuk u pranua nga shumica dërrmuese e ligjvënësve evropianë.
Kryeministri e quajti ndarje të “shapit” të stuhisë digjitale të dizinformimit për Zvërnecin nga “sheqeri” i zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë këto vendimmarrje të PE-së.
“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamingove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamingove! Në çdo rast flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standarteve të Bashkimit Europian”, shkroi Rama.
Nga opozita këtë qëndrim të Parlamentit Evropian e komentoi kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, i cili tha se tashmë “Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura”.
Raporti i përgatitur nga raportuesi raportuesi Andreas Schieder mori gjithsesj 483 vota pro. Dokumenti vlerëson progresin e vendit në procesin e integrimit europian, mbështet fuqishëm anëtarësimin e vendit teksa kërkon vijimin e reformave.
Deputetja demokrate Ina Zhupa e akuzoi të mërkurën kryeministrin Rama për qëndrime kontradiktore lidhur me çështjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri dhe specifikisht lidhur me rezolutën e Parlamentit Europian që bën thirrje për një moratorium për ndërtimet në zonat e mbrojtura deri në ndryshimin e ligjit
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Zhupa i thotë Ramës se nëse është në një linjë me qëndrimet e Parlamentit Europian, duhet të nxjerrë nga sirtari projektligjin e depozituar prej saj për shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 që ka të bëjë me zonat e mbrojtura.
Deklarata e Zhupës në rrjete sociale
"Një vendimmarrje e jashtëzakonshme e Parlamentit Europian, e cila reflekton të gjitha shqetësimet e opozitës dhe shqetësimet e protestuesve.
Në fakt ishte në përputhje të plotë me atë që miratoi edhe raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian pas misionit fakt-mbledhës në Shqipëri. Ndërsa Edi Rama bëri atë që di të bëjë më mirë, “të tjera thotë e të tjera bën”.
Ndërsa futi buldozerët, kamionët, rrethuan me tela një zonë të mbrojtur, sot flasin për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Të gjithë e dimë që vlerësimi i ndikimit në mjedis bëhet përpara se të jepet një leje, përpara se të bëhet çdo lloj ndërhyrjeje dhe përpara se projekti të shfaqet si një projekt 4 miliard dollarë, me njëmijë vende pune e me qindra fantazi të tjera që i kanë shfaqur deputetët e mazhorancës gjatë këtyre ditëve.
Një është kërkesa e panegociueshme e protestuesve, e Parlamentit Europian dhe e kujtdo shqiptari në fakt: shfuqizimi i ligjit nr. 21/2024. Kush është qëndrimi i Edi Ramës?
Qëndrimi është ai që mban në Facebook, që e përshëndet, apo qëndrimi është ai që mban në Kuvend, që mban në sirtarët e Kuvendit që nga data 14 maj projektligjin tim për të shfuqizuar ligjin nr. 21/2024?
Është një muaj që nuk futet as në komisione e aq më pak që t’i vijë radha në seancën plenare. Ndaj askush nuk e beson propagandën e Edi Ramës. Ndaj qytetarët do të protestojnë, sepse kërkesa e tyre themelore është jo vetëm shfuqizimi i katër ligjeve, që janë shumë të rëndësishme për t’u shfuqizuar, por edhe dorëheqja e Edi Ramës si një njeri që e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë Shqipërinë për interesa personale dhe të klientëve të tij" tha Zhupa
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme. Ferit Hoxha, ka reaguar pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Përmes rrjeteve sociale, Hoxha shprehet se PE "ka riafirmuar edhe një herë përkrahjen e tij të fortë për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ka njohur progresin e konsiderueshëm që vendi ynë ka arritur në fushat kryesore të reformave'.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
Pas miratimit të tij nga Komiteti për Punët e Jashtme në maj, Parlamenti Evropian votoi sot raportin e progresit për anëtarësimin në BE të Shqipërisë me një shumicë dërrmuese.
Me 483 vota pro nga 656 anëtarë që votuan, të cilët përfaqësojnë gati 74% mbështetje, Parlamenti ka riafirmuar edhe një herë përkrahjen e tij të fortë për rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe ka njohur progresin e konsiderueshëm që vendi ynë ka arritur në fushat kryesore të reformave.
Kjo është një tjetër votë e rëndësishme besimi në të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe në transformimin e nxitur në vite të tëra reformash të vendosura dhe pune të palodhur.
Mesazhi është i qartë: Udhëtimi evropian i Shqipërisë po përparon, përpjekjet tona për reforma po japin rezultate të prekshme dhe objektivi ynë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian është realist dhe i arritshëm.
Falënderimet tona të sinqerta shkojnë për Parlamentin Evropian, për Raporterin Schieder dhe për të gjithë ata që vazhdojnë të mbështesin një proces zgjerimi të besueshëm, të drejtë dhe të bazuar në meritë.
Sigurisht, ende ka shumë punë përpara. Pikërisht ky është qëllimi i negociatave të anëtarësimit: të vijohet me zbatimin e reformave të nevojshme për të përmbushur standardet e anëtarësimit dhe për të siguruar transformim të qëndrueshëm.
Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur ritmin aktual, për të përshpejtuar reformat, për të përfunduar negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe për të arritur anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar qëndrimin e kreut të qeverisë për amendamentet e votuara në Parlamentin Europian, duke e akuzuar atë për ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura që sipas saj krijuan mundësi që prona dhe troje me vlerë të kalonin në duart e interesave të ngushta.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Tabaku thotë se amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor para ndryshimeve të vitit 2024 dhe heqjen e ligjit për investimet strategjike.
Deputetja e PD-së argumenton se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.
“Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane”, deklaron Tabaku.
Reagimi i plotë i Tabakut në rrjete sociale
"Disinformuesi më i madh opinionit publik në Shqipëri foli përsëri! Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën.
Një nga mekanizmat përmes të cilëve u ndërtua ky sistem ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK.
Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, një ligj që është shndërruar në simbol të trajtimit preferencial, privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta.
Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Kjo kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.
Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane"

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama për votimin në Parlamentin Europian, ka ardhur edhe kundërpërgjigjja e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. Ky i fundit thotë se amendamenti i miratuar për Vjosë-Nartën mbështet kërkesat e protestuesve dhe përmban thirrje të qarta për qeverinë shqiptare lidhur me zhvillimet në zonat e mbrojtura
"Parlamenti Evropian flet me një zë të unifikuar me qytetarët shqiptarë që protestojnë prej ditësh: të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27. Por Edi Rama, që duket se ka humbur edhe sensin e të kuptuarit, bën sikur nuk di të lexojë.
Amendamenti shtesë i miratuar sot nga Parlamenti Evropian në Raportin për Shqipërinë:
* shpreh shqetësim serioz se zhvillimet e vazhdueshme brenda zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë tregojnë pasojat praktike të këtyre ndryshimeve ligjore dhe rreziqet që ato sjellin për zonat me vlera të njohura ekologjike;
* shpreh se po ndjek nga afër protestat masive paqësore që po zhvillohen në këtë drejtim;
* u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të pajisjes me leje, punimet ndërtimore dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura, në përputhje me kërkesën e kahershme të Komisionit dhe Parlamentit Evropian, si dhe me kriteret përmbyllëse të Kapitullit 27, dhe derisa të sigurohet përputhshmëria e plotë me standardet e BE-së për mbrojtjen e natyrës; dhe
* thekson se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet vlerësimeve gjithëpërfshirëse të ndikimit në mjedis, plotësisht në përputhje me standardet e BE-së, duke përfshirë një proces transparent të pjesëmarrjes publike me komunitetet lokale, shkencëtarët dhe shoqërinë civile.Tani Edi Rama ka vetëm një detyrë: të dëgjojë zërin e eurodeputetëve dhe të shfuqizojë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Projektligji është depozituar prej nesh në Kuvend prej një muaji dhe pret votën e deputetëve" tha Bardhi
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke u ndalur te amendamentet që u votuan lidhur me zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi amendamentin 4, i cili u rrëzua nga eurodeputetët, dhe amendamentin 17, i cili u miratua si pjesë e raportit për Shqipërinë.
Sipas kryeministrit, Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi dixhitale dizinformimi” lidhur me projektin që ka nxitur protesta javët e fundit.
“Edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.
Eurodeputetët rrëzuan amendamentin 4, i cili shprehte shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një resorti në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, por miratuan amendamentin 17, ku bëhet thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura në përputhjen e plotë me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës.
Në reagimin e tij, Rama tha se votimi në Parlamentin Europian është një vlerësim për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.
“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, shkroi ai.
Kryeministri shtoi se Vjosë-Narta dhe flamingot do të mbrohen, ndërsa zhvillimi në Zvërnec do të bazohet në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.
“Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, u shpreh Rama.
Komente






Si gjithmone Parlamenti Evropian ne mbeshtetje te Shqiperis
PërgjigjuRama shporru