Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke u ndalur te amendamentet që u votuan lidhur me zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama publikoi amendamentin 4, i cili u rrëzua nga eurodeputetët, dhe amendamentin 17, i cili u miratua si pjesë e raportit për Shqipërinë.

Sipas kryeministrit, Parlamenti Europian ndau faktet nga ajo që ai e cilësoi si “stuhi dixhitale dizinformimi” lidhur me projektin që ka nxitur protesta javët e fundit.

“Edhe Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese, futën qorrazi si amendament të rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.

Eurodeputetët rrëzuan amendamentin 4, i cili shprehte shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një resorti në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, por miratuan amendamentin 17, ku bëhet thirrje autoriteteve shqiptare të vendosin menjëherë një moratorium për të gjitha procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore brenda zonave të mbrojtura derisa të ndryshojnë dispozitat e papajtueshme të Ligjit të ndryshuar për Zonat e Mbrojtura në përputhjen e plotë me standardet europiane për mbrojtjen e natyrës.

Në reagimin e tij, Rama tha se votimi në Parlamentin Europian është një vlerësim për Shqipërinë dhe procesin e integrimit europian.

“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Europa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, shkroi ai.

Kryeministri shtoi se Vjosë-Narta dhe flamingot do të mbrohen, ndërsa zhvillimi në Zvërnec do të bazohet në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.

“Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet,  Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Europës së Bashkuar”, u shpreh Rama.

U.D/xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Qershor, 18:28

    A duhet ta dorëzojë mandatin ‘Neomalësorja’ pas largimit nga grupi i PS?