Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kundërshtuar qëndrimin e kreut të qeverisë për amendamentet e votuara në Parlamentin Europian, duke e akuzuar atë për ndryshimet e vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura që sipas saj krijuan mundësi që prona dhe troje me vlerë të kalonin në duart e interesave të ngushta.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Tabaku thotë se amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor para ndryshimeve të vitit 2024 dhe heqjen e ligjit për investimet strategjike.

Deputetja e PD-së argumenton se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.

“Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane”, deklaron Tabaku.

Reagimi i plotë i Tabakut në rrjete sociale 

"Disinformuesi më i madh opinionit publik në Shqipëri foli përsëri! Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën.

Një nga mekanizmat përmes të cilëve u ndërtua ky sistem ishte ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Përmes këtyre ndryshimeve u hap rruga që prona dhe troje me vlerë të jashtëzakonshme të kalonin në duart e interesave të ngushta, ndërsa sot disa prej përfituesve të kësaj skeme janë nën hetim nga SPAK.

Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, një ligj që është shndërruar në simbol të trajtimit preferencial, privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta.

Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin e pakicës që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Kjo kërkon reforma të thella, institucione të forta dhe barazi para ligjit.

Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane" 


Lajmi kryesor:

Zvërneci/ Parlamenti Evropian: Autoritetet të vendosin moratorium për ndërtimet në zonat e mbrojtura deri në ndryshimin e ligjit