Me synim nxitjen e partneriteteve të reja ndërmjet sipërmarrjeve shqiptare dhe atyre italiane, Agjencia ITA/ICE (Agjencisë Italiane të Tregtisë), në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Tiranë, Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe një sërë agjensish shtetërore, prezantuan nismën Italy Albania Innovation Tëinning.

Ky projekt synon të zgjerojë bashkëpunimin mes Italisë dhe Shqipërisë edhe në sektorin e teknologjisë dhe inovacionit, duke fuqizuar rolin e Italisë si partner strategjik për hyrjen e startup-eve shqiptare në tregun evropian.

I pranishëm në këtë event ishte edhe ambasadori Italian Marco Alberti i cili e vlerësoi si një bashkëpunim të frytshëm.

“Milano, në veçanti është një qendër inovacioni.Ekziston mundësia për një partneritet potencial shumë të dobishëm mes Milanos dhe Tiranës. Në Tiranë ka talent, në Milano ka para dhe investitorë të kapitalit sipërmarrës. Mund t'i bashkojmë për të krijuar atë ekosistem që jam i sigurt se do të gjenerojë startup-e të reja dhe do t'i ndihmojë startup-et ekzistuese shqiptare të rriten”, theksoi Ambasadori i Italisë në Tiranë, Marco Alberti.

Sfida e startup-eve në një kohë kur teknologjia po përparon me hapa të mëdhenj, ambasadori Alberti thotë se nuk nuk qëndron vetëm tek idetë e reja.

“Fjala kyçe për të kuptuar rëndësinë e vërtetë të startup-eve është shpejtësia. Sepse mendoj se inovacioni është i nevojshëm, por nuk mjafton.

Çështja sot është të jesh në gjendje të inovosh shpejt. Dhe startup-et janë mjetet që i shndërrojnë me shpejtësi idetë në zgjidhje të botës reale. Dhe shpejtësia është monedha e re sot”, tha Ambasadori i Italisë në Tiranë, Marco Alberti.

Ndërsa Matteo Piccariello, Drejtor i Agjencisë Italiane të Tregtisë tha se Shqipëria nuk ka qënë në vëmendjen e Italisë sa i takon startup-eve, por e vlerësoi si një treg me potencial.