TIRANE - Shqipëria ka marrë një humbje surprizë përballë ekipit të Islandës në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa" me rezultatin 1-2. Islandezët kanë befasuar duke mposhtur vendasit dhe shiun e dendur që e ka shoqëruar gjatë 90 minutave.

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri italian De Biazi e kanë nisur mjaft keq takimin duke pësuar gol në minutën e 19'. Ujkani gabon, që heziton të dalë në një top të lartë në zonë.

Saevarson i ndodhur përpara portës nuk heziton të gjuajë duke dërguar topin në rrjetë dhe vendosur heshtjen në stadium.

Shqipëria hidhet në sulm dhe barazon, pas një aksioni të bukur Meha pason në zonë për Çanin në minutën e 29', i cili nga pranë, pasi i shmanget mbulimit të dy mbrojtësve, shënon për përfaqësuesen tonë.

Ndeshja Shqipëri- Islandë është ndërprerë për 20 minuta për shkak të kushteve të vështira atmosferike. Shiu i rënë në orët e darkës e ka bërë mjaft të vështirë vijimin e ndeshjes pasi fusha është mbushur me ujë.

Gjyqtari i ndeshjes vendosi që pas pushimit të bërë me përfundimin e pjesës së parë, ndeshja të fillojë pjesën e dytë 20 minuta më vonë.

Pjesa e dytë e ndeshjes ka parë Shqipërinë në sulm, në kërkim të golit të avantazhit, por terreni i vështirë nuk i ka favorizuar aspak kuqezinjtë. Atëherë kur të dy ekipet po shkonin drejt fundit, Sigurtson nga një goditje dënimi ka shënuar golin e "Nock - out" për Shqipërinë. Në minutat e mbetura miqtë administrojë rezultatin, ndërsa kuqezinjtë shikojnë zhgënjimin përballë.


(db/sg/Shqiptarja.com)