Sot në Ministrinë e Mbrojtjes u zhvillua një ceremoni sa e veçantë aq edhe mbesëlënëse. Në qendër të kësaj ceremonie ishte akti i dorëzimit të unazës së pilotit angalez, rreshterit Xhon Tompson, rënë në krye të detyrës gjatë Luftës së Dytë Botërore, në tetor të vitit 1944, në Kaptinë të Martaneshit. Unaza e tij ishte gjetur rastësisht rreth viteve 1960 nga Jaho Çala, i cili ia kishte lënë amanet të birit të tij, Xhemil Çala, që ta ruante me kujdes dhe kur të vinte rasti të gjente mundësinë për  t’ia nisur të afërmëve të tij. Në këtë unazë martese ishin të shkruar inicialet “Xhon dhe Xhois”. Me ndërmjetësinë e Ambasadës Britanike në Tiranë dhe Ambasadës Amerikane u bë e mundur identifikimi i kësaj unaze dhe lidhja me familjarët e ish-pilotit të vrarë në Britaninë e Madhe.
 
Ceremonia ka nisur me ekzekutimin e Himnit Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar dhe Himinit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Më pas, z. Muhamet Aliçka, personi që kontaktoi me Ambasadën Britanike, tregoi shkurtimisht historinë e kësaj unaze. Folën gjithashtu edhe nipi i pilotit të vrarë britanik, z. Alan Webster, si dhe ambasadori britanik, z. Nicholas Cannon.
 
ministria mbrojtjes

Duke marë fjalën në këtë ceremoni ministrja e Mbrohtjes Kodheli, theksoi se, sot jemi mbledhur për të përkujtuar një ngjarje të trishtë të Luftës së Dytë Botërore, si shumë të ngjashme në ato ditë të errëta të njerëzimit. Rreshteri britanik Xhon Tompson, në një ditë të ftohtë të tetorit 1944 humbi jetën kur avioni i tij “Halifax” u përplas në malet shqiptare pas furnizimit që u kishte bërë njësive tona në luftë me okupatorin nazist. Djaloshi 23 vjeçar dha jetën për një kauzë të përbashkët dhe ne sot po kujtojmë të gjithë ata që bënë sakrificën finale për vendet tona, po kujtojmë dëshmorët e rënë që nuk u kthyen kurrë tek miqtë dhe familjet e tyre. “Liria është një dhuratë e çmuar, të cilën ne e gëzojmë çdo ditë, por rrallë kujtojmë çmimin njerëzor që kemi paguar për ta pasur. Vetëm ata që kanë parë me sytë e tyre tmerret e luftës, mund të arrijnë të kuptojnë momentet e fundit të jetës së ushtarakëve që luftuan për lirinë tonë...Unë shpresoj që dhimbjet e familjarëve të këtyre heronjve të rënë në fushën e betejës të lehtësohen sadopak prej faktit që ata ranë për një kauzë fisnike: çliruan miliona njerëz nga tirania mizore nazi-fashiste“, u shpreh Kodheli.
 
ministria mbrojtjes

Znj.Kodheli vlerësoi kontributin e madh që dhanë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë aleatët tanë natyralë, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku operacionet ajrore britanike, të koordinuara me misionet ushtarake atashuar pranë njësive të rezistencës shqiptare, ishin pa dyshim çelësi i suksesit të fitores finale. “Sakrifica e britanikëve në Shqipëri, por dhe në gjithë Europën Lindore, për fat të keq nuk na ndihmoi për të realizuar ëndrrën për liri e demokraci. Nga një regjim totalitar kaluam në një tjetër më të egër, që zgjati për 45 vjet të errëta. Ata që erdhën në pushtet e injoruan kontributin e aleatëve tanë anglo-amerikanë. Por shqiptarët e thjeshtë i dinin fort mirë të vërtetat e luftës. I dinin fort mirë sakrificat e përbashkëta dhe e kuptonin qartë se ata britanikë që iu atashuan formacioneve luftarake shqiptare të rezistencës, ndihmuan thelbësisht për çlirimin e vendit. Dhe njerëz të thjeshtë si Jaho Çala, të persekutuar nga regjimi komunist, për asnjë moment nuk harruan vlerat e shqiptarit të vërtetë. Ndoshta kjo histori do të ishte zgjidhur më shpejt nëse Shqipëria nuk do të ishte vetë-izoluar për 45 vjet. Por kjo nuk ishte në dorën e asnjërit prej nesh këtu të pranishëm dhe të paktën, familja e rreshterit të ndjerë ka diçka për ta kujtuar. Rreshteri Xhon Tompson i la të dashurit e zemrës përpara kohe, jeta iu shkurtua në një fushë-betejë të largët mijëra milje larg nga Anglia qendrore. Por kujtimi i tij jetoi gjatë si në Angli ashtu dhe në Shqipëri, mes familjes Tompson dhe familjes Çala”, është shprehur ministrja Kodheli.
 
Me këtë rast, znj. Kodheli ka falënderuar përzemërsisht familjen Çala, për mbajtjen gjallë të kujtimit të një të rëni për çlirimin e Shqipërisë, Ambasadën Britanike në Tiranë për përpjekjen e gjatë për identifikimin e të ndjerit Xhon pas kaq shumë vitesh, ndërsa një falënderim të veçantë ajo përcolli për familjarët e rreshterit Tompson, për motrën e tij, znj. Webster, e cila ndonëse në një moshe të thyer ishte e pranishme në këtë ceremoni.
“Sakrifica e tij sublime do të jetë e paharruar. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, përfundoi fjalën e saj ministrja Kodheli.
 
Më pas, Xhemil Çala, djali i Jaho Çalës, i dorëzoi unazën motrës së pilotit të vrarë,  Xhon Tompson, znj. Dorothy Webster. Ministrja Kodheli i dorëzoi znj. Webster një kuti me një pjesë të avionit dhe gurit të malit të Sinojit, ku ishte rrëzuar mbi 70 vjet më parë avioni. Po kështu znj. Kodheli i akordoi “Çertifikatën e Mirënjohjes” z. Jaho Çala, e cila iu dorëzua të birit, z. Xhemil Çala. Gjithastu edhe nga pala britanike u dhanë disa dhurata simbolike, si dhe letra mirënjohje të dërguara nga Forcat Ajrore Britanike për familjen Çala. Ceremonia u mbyll me një foto të përbashkët përballë godinës së Ministrisë së Mbrojtjes.
 
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, gjeneralë, drejtorë dhe ushtarakë të tjerë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z. Nicholas Cannon, nipi dhe motra e pilotit rënë në krye të detyrës Xhon Tompson, familjarë dhe të afërm të familjes Çala etj.