Protestuesit u mblodhën sërish sot në kryeqytet, në ditën e 71 të tubimit që po zhvillohet në Tiranë kundër qeverisë dhe gjithë klasës politike aktuale. Gjithnjë e më të paktë në numër, ata nisën grumbullimin në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku qëndruan përreth dy orë.

Nën thirrjet ‘Shqipëria kërkon revolucion’, ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’ dhe me pankarta, flamuj e simbole kombëtare, ata apeluan për plotësimin e kërkesave të tyre, të lexuara gjatë fjalimeve të mbajtura në protestë.

Një prej protestuesve gjatë fjalës së tij, kërkoi që të ndryshojë ligji për financimin e partive politike, me argumentin se ligji aktual po minon demokracinë.

“Të ndryshohet ligji për financimin e partive dhe organizatave politike. Këto financime që kanë marrë partitë politike, me argumentin për të forcuar demokracinë, në fakt e kanë minuar demokracinë. Një nga organizatat që ka financuar më shumë Ramën, por jo vetëm Ramën, është Fondacioni për Shoqërinë e Hapur, Soros”, tha një prej protestuesve.

Një tjetër protestues ka përmendur në protestë deklaratat e bëra nga Beogradi të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Kievi nuk do të njihte pavarësinë e Kosovës dhe se e shikonte atë si pjesë integrale të Serbisë.

“Dje ka ndodhur diçka shumë interesante. Pas një vizite në Serbi, një aleat të fortë të Rusisë, Zelensky ka deklaruar se nuk e njeh Kosovën e pavarur, por e sheh si pjesë integrale të Serbisë. Ukraina dhe qeveria Zelensky, një qeveri që Rama e ka mbështetur dhe një popull që ne vuajmë me ta sepse po shtypen. Madje ka ndërruar edhe emrin e një rruge për atë. Edi Rama po na tregon dita ditës se është tradhtar”, tha një prej protestuesve.

Ndërkohë aktivisti Arben Koka gjatë fjalës së tij në protestë përshëndeti punën e zjarrfikësve që bënë të mundur shuarjen e flakëve në Krujë.

Kola teksa premtoi se ditët e Qeverisë Rama janë ‘të numëruara’ deri në shtator, u bëri thirrje zjarrfikësve që t’i bashkohen protestuesve në shesh, për dyfishimin e pagave të tyre dhe përmirësimin e kushteve të punës. Sipas Kokës, nëse heroi Gjergj Kastriot Skënderbeu do të kishte qenë gjallë, do u kishte prerë kokat të gjithëve atyre që ‘lejuan’ djegien e Krujës.

“Sot kërkojmë nga ju një duartrokitje për zjarrfikësit heronj që kontribuan me mjete rrethanore për shuarjen e zjarrit në malin e Krujës. Po të ishte gjallë Gjergj Kastrioti do iu kishte prerë kokat të gjithëve që lejuan djegien e kryeqytetit historik të shqiptarëve. Krahasoni rrogën e Zegjinesë me një zjarrfikës hero. Sa turp. Ajo që ndodhi mbrëmë në Krujë është një ngjarje e paralajmëruar me kohë. Mungojnë rojtarët e pyjeve që u larguan në 2014. Ftojmë gjithë zjarrfikësit heronj të bashkohen në shesh për dyfishimin e rrogave që e meritojnë, por edhe për përmirësimin e kushteve të punës. Kjo qeveri e korruptuar i ka ditët e numëruara deri në shtator”, tha aktivisti Arben Kola.

Pas përfundimit të fjalimeve në sheshin para Kryeministrisë, protestuesit vijuan ritualin e përnatshëm të marshimit në rrugët e kryeqytetit. Protestuesit parakaluan para Ambasadës së Serbisë dhe Ukrainës me thirrjet ‘Zelensky, Zelensky, fuck you’ dhe ‘UÇK, UÇK’. Kjo lëvizje erdhi pas deklaratave të djeshme të Presidentit ukrainas, i cili tha se Kosova ishte pjesë integrale e Serbisë. Protestuesit e mbyllëm marshimin në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit'.