Rezultati i zgjedhjeve lokale të 6 marsit ka zyrtarizuar tre pole politike në Shqipëri: Partia Socialiste, që është grupimi më i madh politik në vend, me diferencë të madhe me të gjithë subjektet e tjera bashkë, aleanca Meta-Berisha dhe Partia Demokratike zyrtare me në krye Lulzim Bashën. Poli i tretë politik, i quajtur ndryshe nga PD-ja zyrtare si aleanca e ‘nongratave’, u projektuar që pasditen e 9 shtatorit 2021, kur Lulzim Basha u distancua nga Sali Berisha, pas shpalljes së këtij të fundit non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 19 maj 2021.

Edhe pse ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, u bëri thirrje qytetarëve të mos votonin kandidatët e ‘listës së zezë’ në 6 njësitë vendore, aleanca Meta-Berisha, jo vetëm gjymtoi Partinë Demokratike, por e nxori forcë të tretë politike, madje në Bashkinë e Vorës mori vetëm 6 % të votave. Partia Demokratike nuk fitoi në asnjërën nga gjashtë bashkitë, duke shënuar disfatën më të thellë që nga themelimi i saj.

I pyetur nëse do të jepte dorëheqjen pas humbjes së gjashtë radhazi në krye të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kishte një mesazh të tërthortë për Sali Berishën. Kryefjala e qëndrimit të Lulzim Basha ishte reforma; reformë zgjedhore, reformë territoriale dhe jo vetëm, si dhe reformim të Partisë Demokratike. “Reformimi ka filluar dhe do të përshpejtohet në çdo nivel. Për këtë të jeni të sigurt. Nëse do të pyesni për vendosmërinë time për të bërë gjithçka për ta çuar këtë reformim përpara mbetet i palëkundur”, tha Basha.

Në këmbim të votës për ndryshimin e Kushtetutës për zgjatjen e organeve të Vetingut, Lulzim Basha ka marrë garanci nga maxhoranca për ndryshimin e ligjit zgjedhor dhe hartës territoriale. Krahas dy reformave, Lulzim Basha ka artikuluar edhe idenë për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit. Dhe ky ndryshim është pikërisht arma e fundit e Lulzim Bashës për të eliminuar politikisht faktorin Berisha. Propozimi që po diskutohet në selinë blu parashikon përfshirjen e personave të shpallur 'Non Grata' nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kriteret ndaluese për t’u zgjedhur deputet dhe për të ushtruar funksione të tjera publike.

Në fund të nëntorit të vitit 2021, deputetë pranë Lulzim Bashës paralajmëruan edhe propozimin e një pakete, e cila synon dekomunistizimin e shoqërisë, duke parashikuar përjashtimin nga skena politike të personave që kanë ushtruar funksione partiake gjatë periudhës së regjimit komunist, përfshirë edhe sekretarët e partisë, duke atakuar kështu drejtpërdrejtë Sali Berishën. Të dyja nismat e pritshme kushtëzohen nga vullneti i mazhorancës.

Ndërkaq, mbetet për t’u parë se çfarë lëvizje do të ndërmarrë Sali Berisha, lëvizja e të cilit fioi një nga 6 bashki në zgjedhjet lokale të 6 marsit. Aleanca Berisha-Meta i ka humbur zgjedhjet në raport me Partinë Socialiste, por kanë triumfuar mbi Lulzim Bashën.