Shqipëria vijon të ketë një nga 'flotat' më të vjetra të automjeteve në Europë, ndonëse vitet e fundit është rritur interesi për makinat elektrike, hibride dhe ato me kilometrazh zero.
Të dhënat më të fundit të Eurostat-it për strukturën e autoveturave sipas moshës tregojnë se në fund të vitit 2024, viti i fundit i disponueshëm për Shqipërinë, 43% e makinave kishin një vit prodhimi që daton më shumë se 20 vjet përpara, e dyta më e lartë në Europë, pas Gjerogjisë (50.6%) dhe shumë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit, me Kosovën që ka 28% makina mbi 20 vjet, Serbia (32%), Masli i Zi (14.5%).
47% e automjeteve në Shqipëri ishin nga 10-20 vjet të vjetra. Në total, rreth 91% e autoveturave në Shqipëri ishin mbi 10 vjet të vjetra. Vetëm një pjesë shumë e vogël e flotës përbëhej nga mjete të reja: rreth 1.4% ishin deri në dy vjet dhe afërsisht 2% ishin nga dy deri në pesë vjet të vjetra.
Kjo e vendos Shqipërinë në vendin me peshën më të ulët të automjeteve të reja dhe me një flotë më të vjetër se në çdo vend të Europës. E dyta pas Shqipërisë është Boznjë Hercegovina, me 86% të automjeteve mbi 10 vjeçare, e ndjekur nga Serbia (81%), Gjergjia, me 81%, Mali i Zi (80%). Në shtetet e zhvilluara të Europës, pesha e mjeteve që kanë më shumë se 10 vjet nga prodhimi është nën 40%.
Varësia nga makinat e përdorura lidhet me të ardhurat më të ulëta, çmimet e larta të automjeteve të reja dhe tregun e zhvilluar të importeve nga Europa dhe, së fundmi, nga Azia.
Në vitin 2024, rreth 53% e automjeteve të regjistruara për herë të parë në Shqipëri ishin 9–15 vjet të vjetra dhe 26% ishin mbi 15 vjet. Vetëm 12% kishin moshë deri në katër vjet.
Nafta vijon të dominojë flotën
Vjetërsia e lartë shoqërohet edhe me mbizotërimin e makinave me naftë.
Në vitin 2025, autoveturat me naftë përbënin 72.1% të flotës së përgjithshme në Shqipëri.
Edhe në regjistrimet e reja, nafta ka ruajtur një peshë të lartë. Sipas Eurostat-it, Shqipëria ishte ndër vendet kandidate ku motori me naftë dominonte regjistrimet e autoveturave në vitin 2024, së bashku me Kosovën dhe Moldavinë. Të dhënat vendase tregojnë se në vitin 2024, 63% e mjeteve të regjistruara për herë të parë ishin me naftë dhe 23% me benzinë. Mjetet elektrike përbënin vetëm 3.1% të importeve të atij viti.
Pesha e makinave të vjetra me naftë ka pasoja për ndotjen e ajrit, konsumin e karburantit, sigurinë rrugore dhe kostot e mirëmbajtjes. Rinovimi i ngadaltë bën që përmirësimi i standardeve të emetimeve të reflektohet me vonesë në flotën që qarkullon realisht.
Rritet interesi për makinat elektrike
Megjithatë, në treg po shfaqen shenja ndryshimi. Importet e mjeteve elektrike po rriten me ritme të shpejta, veçanërisht nga Kina.
Sipas të dhënave të tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, në vitin 2025, automjetet elektrike përbënin 5.7% të mjeteve të importuara. Në dy muajt e parë të vitit 2026, u regjistruan për herë të parë 1,712 mjete elektrike, ose 12% e totalit të regjistrimeve, krahas 608 mjeteve hibride.
Interesi është më i dukshëm te automjetet e reja. Nga janari deri në tetor 2025, rreth 42.4% e autoveturave me kilometrazh zero të regjistruara në Shqipëri ishin plotësisht elektrike, me rritje 62% krahasuar me një vit më parë. Edhe Eurostat evidenton se, ndër vendet kandidate dhe kandidate potenciale, Shqipëria kishte një nga peshat më të larta të regjistrimeve të reja me burime alternative energjie, me 13.3% në vitin 2024. Përpara saj renditeshin Moldavia, Ukraina dhe Turqia.
Europa po rinovon flotën dhe po largohet nga nafta
Në Bashkimin Europian, numri i autoveturave plotësisht elektrike arriti në pothuajse 7.6 milionë në fund të vitit 2025, me rritje 31.5% brenda një viti. Pesha e tyre në flotën e përgjithshme u rrit nga vetëm 0.02% në vitin 2013 në 2.9% në vitin 2025, sipas Eurostat.
Regjistrimet e makinave plotësisht elektrike në BE u rritën me 29.7% në vitin 2025, ndërsa ato hibride me karikim u shtuan me 34.2%. Në të njëjtën kohë, regjistrimet e makinave vetëm me naftë ranë me 22%. Luksemburgu kishte flotën më të re në Europë, me 19.8% të autoveturave deri në dy vjet të vjetra. Gjermania, Belgjika, Austria, Suedia dhe Irlanda gjithashtu kishin një peshë të lartë të mjeteve të reja dhe shumë më pak autovetura mbi 20 vjet.
Sipas Eurostat, në vitet e fundit, disa vende kanë zbatuar programe që mbështesin blerjen e automjeteve të reja me emetime të ulëta, në këmbim të nxjerrjes nga qarkullimi të makinave të vjetra. Qëllimi i përgjithshëm i këtyre skemave ka qenë rinovimi i flotës së autoveturave me mjete më pak ndotëse dhe, njëkohësisht, nxitja e aktivitetit ekonomik. Këto programe kanë ndikuar deri diku në përbërjen e flotës sipas moshës në vende të veçanta.
Peshën më të lartë të autoveturave më të reja, me moshë më pak se dy vjet, e kishte Luksemburgu me 19.8%, i ndjekur nga Gjermania me 15.5%, Belgjika me 14.9%, Austria me 13.5%, Suedia me 13.2%, Irlanda me 12.8% sipas të dhënave të vitit 2023, Holanda me 12.6% sipas të dhënave të vitit 2024, Portugalia me 10.2% dhe Danimarka me 10.1%.
Në kahun tjetër, disa vende të Bashkimit Europian kishin në vitin 2025 një peshë të lartë të autoveturave 20 vjeç e lart. Në krye ishte Rumania me 39.1%, e ndjekur nga Finlanda me 36.3%, Polonia me 35.1% sipas të dhënave të vitit 2024, Estonia me 34.7%, Hungaria me 30.9%, Portugalia me 29.6%, Lituania me 29.4%, Letonia me 28.4%, Spanja me 27.5% dhe Malta me 27%./ Monitor










Komente
Komento