Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) foli për disa tema në një bisedë për moderatoren Arbana Osmani. Në intervistën e publikuar nga institucioni i futbollit, Duka shprehet qartë se dëshiron një Kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo për momentin duket e pamundur.
Duka tha se Shqipëria ka një ekip më të mirë, por Dardanët kanë bërë arritje madhore në një kohë shumë të shkurtër. Kreu i futbollit në Shqipëri u ndal edhe te zgjedhjet për president të FSHF-së në vitin 2026. Duket se Duka pas 23 vitesh në krye të këtij institucioni, do garojë sërish i vetëm, pasi deri tani askush nuk ka dalë përballë.
Në fund edhe një pyetje për Igli Taren, drejtorin sportiv të Milanit që ka një përvojë të madhe në futbollin ndërkombëtar.
"Çfarë të bën të ndjesh “përfaqësuesja e Kosovës“? Ka një skuadër të mirë. Një pjesë e tyre ka luajtur edhe për Kombëtaren shqiptare. Rrahmani, Rashica, Muriqi.
Shqipëria apo Kosova? Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin.
A duhet të kemi një Kombëtare? Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete me një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll.
A e mendon Igli Taren si President? Çdo njeri mund të mendojë të bëjë çdo lloj pozicioni, jo veç president. Me eksperiencën që ka fituar në menaxhimin e futbollit atje, mund ta sjellë edhe në Shqipëri. Qoftë në federatë, në një klub apo kudo tjetër. Federata e Futbollit është një aktivitet shumë i gjerë.
Duket vetëm si kampionat i Kategorisë Superiore, por sot FSHF organizon 600 ndeshje në javë, ku aktivizohen rreth 4000 zyrtarë. Por këta nuk menaxhohen vetëm me gishta, duhen edhe para. Duhen prodhuar para, duhet prodhuar një ekonomi.
Sot FSHF është një institucion solid, me baza të shëndosha financiare dhe ka një të ardhme të sigurt. Unë e konsideroj si një nga gjërat më të mira të FSHF. Është një institucion që mund të vazhdojë të përballojë në të ardhmen", tha Duka mes të tjerash.
Komente












Po ti mer loku ke qene te zyra e Gysit ?
Përgjigju