Shqipëria merr pjesë në panairin global të turizmit Fitur 2025 në Madrid, përmes agjendës së organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, stenda e së cilës është konceptuar si një buqetë e ndjesive, përvojave dhe shijeve që Shqipëria ofron.
Para nisjes së këtij panairi, ministrja Kumbaro u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili, në jubileun e 50-vjetorit të krijimit të kësaj organziate.
“Shqipëria vijon të jetë në krye të Barometrit të Turizmit për rritjen e qenësishme të fluskeve ndërkombëtare dhe të ardhurave nga turizmi, teksa Organizata Botërore e Turizmit kremton këto ditë jubileun e 50-vjetorit të krijimit ku vendi ynë është anëtar me të drejta të plota dhe një aktor i rëndësishëm në Europën Juglindore .
Me UNWTO kemi bashkëorganizuar në Tiranë takimin e 70-të të Komisionit për Europën, kemi botuar guidën e parë të investimeve në turizëm në Shqipëri dhe do të jemi sërish me një program të përbashkët në Panairin ITB të Berlinit, teksa shumë punë të mira na presin duke nisur nga Akademia e UN Tourism të cilën synojmë ta hapim në Tiranë si një qendër formimi për profesionistët e turizmit jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Ballkanin”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Viti 2024 shënoi rritje nga tregjet e Amerikës Latine si dhe vizitorët spanjollë që arritën shifrën e 109 mijë vizitorëve ose 26% më shumë se viti paraardhës.
Në vijim ministrja Kumbaro, pritet të takohet edhe me ministrin spanjoll të turizmit Jordi Hereu.
Përmes sloganit "Albania All Senses", Shqipëria prezanton potencialet e saj nën qasjen e praktikave të qëndrueshme të zhvillimit të turizmit.
"Prezantojmë Shqipërinë turistike në panairin gjigant të turizmit global në Madrid, tashmë një traditë por çdo herë me një imazh të ri, emocione e përvoja të reja që vendi ynë me natyrë të egër, por me shpirt mikpritës ofron", njofton ministrja Kumbaro në spotin prezantues të Shqipërisë në rrjetet sociale.
Ky panair është i rëndësishëm për tërheqjen e vizitorëve nga Spanja dhe tregjet e Amerikës Latine, ndërsa marrin pjesë mbi 9000 ekspozues.
Gjatë ditëve të panairit “Fitur”, nga 22-26 janar stenda e Shqipërisë do të kthehet në një qendër hapësirash diskutimi, prezantimeve të përvojave turistike përmes inteligjencës artificiale, aplikacionit të Udhëtimeve TEA dhe përvojave gastronomike.