STRASBURG-  Shqiperia ka marrë  sot presidencën e Këshillit të Europës, për ta kryesuar për 6 muaj këtë organizatë. Vendi ynë është prej 17 vitesh anëtare e Këshillit të Europës, ku janë anëtare dhe Serbia e Rusia. Tashmë në Strasburg në hollin ku ka selinë Këshilli i Europës, është vendosur flamuri shqiptar, ndërsa në hyrje të rrugës për në këtë seli një baner i madh shkruan: "Shqipëria, presidente e KiE".

Në ceremoni kanë marrë pjesë Ministrat e Jashtëm të 47 vendeve anëtare. Dorëzimi simbolik i çelësit të presidencës është bërë nga ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe Ëilliam Hague i cili I uroi Shqipërisë të ketë një presidencë të sukseshme.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm shqiptar, njëkohësisht zv kryeministri Edmond Haxhinasto është shprehur I lumtur që vendi ynë merr drejtimin e Komitetit të Ministrave. “Falenderoj kryesinë britanike për punën e jashtëzakonshme. Shqipëria do promovojë vlerat kryesore të Këshillit të Europës” ka theksuar Haxhinasto ndërsa ka shpalosur para vendeve anëtare prioritetet e presidencës shqiptare.
Ceremonia përveç anës simbolike të dorezimit të çelësit të presidencës, ka përfshirë dhe një panair me dokumentet kryesore historike të vendit tonë por edhe me produktet ushqimore shqiptare.
Ministria e Punëve të Jashtme në bashkërendim dhe me ministritë e tjera, ka përpiluar prioritetet e presidencës shqiptare që do të udhehiqen nga motoja: “Të bashkuar në diversitet”. 

Ky është një moment historik për Shqiptarët dhe përkon me vitin jubile, të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë. Këshilli i Europës u themelua më 5 maj 1949 nga vetëm 10 shtete dhe tashmë mbulon gjithë kontinentin europian. Shqipëria u bë pjesë e kësaj organizate pak vite pas daljes nga izolimi komunist, saktësisht më 13 korrik 1995. Këshilli i Europës na shoqëroi dhe asistoi në rrugën e vështirë të tranzicionit nga diktatura në demokraci dhe shumica e arritjeve tona në demokraci janë kontribut i kësaj organizate.
(ns/shqiptarja.com)