
Grupi Parlamentar i PD ka deklaruar se nuk është njoftuar nga kryetari i Kuvendit, për mbledhje të seancës plenare ditën e nesërme, për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
Përmes një njoftimi, grupi i PD thotë se me vendim të njëanshëm të mazhorancës, nuk është përcaktuar të ketë seancë plenare këtë javë dhe se duhen lajmëruar lajmëruar dy ditë përpara.
Njoftimi i Grupit Parlamentar të PD
Të nderuar kolegë,
Në përgjigje të interesit të disa prej mediave, për pjesëmarrjen ose jo në një seancë plenare të supozuar pë t'u zhvilluar nesër, ju bëjmë me dije se deri në orën 16.40, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk ka marrë asnjë njoftim nga Kryetari i Kuvendit për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave. Me vendim të njëanshëm të mazhorancës në seancën plenare të datës 19.01.2026, në Kalendarin e Punimeve të Kuvendit, është përcaktuar që këtë javë nuk ka seancë plenare. Seanca plenare e rradhës është planifikuar për tu zhvilluar në datën 27 Janar.
Dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj se sipas pikës 3, të nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, mbledhja e seancës plenare dhe rendi i ditës, i njoftohen deputetëve dhe publikut, si rregull 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancë plenare.
Transparenca dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve i dikton Kuvendit të Shqipërisë, që për secilën çështje, për secilën vendimmarrje, të respektojë rregullat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit, në respekt edhe të përgjegjshmërisë që duhet të tregojë secili deputet gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues.
Lajmi kryesor:
Ftesa e Trump/ Qeveria miraton aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, nesër ratifikohet në Kuvend









