Shqipëria nën ujë,pritet evakuimi
i 2500 familjeve në Novoselë

Shqipëria nën ujë,pritet evakuimi<br />i 2500 familjeve në Novoselë<br /><br>
Shqipëria është 'zgjuar' sot nën pushtetin e ujit. Reshjet e dendura të shiut kanë vijuar gjatë gjithë natës, duke sjellë probleme të shumta në mbarë vendin. Situata paraqitet problematike dhe e firikshme në shumë qytete, ku disa akse rezultojnë të bllokuara nga uji, i cili arrin në më shumë se 1 metër, në disa të tjera është bllokuar lëvizja e mjeteve, për shkak të rrëshqitjes së gurëve e dherave.

Ndërkohë, me dhjetëra familje janë evkuuar, dhe shumë të tjera janë bllokuar nga uji dhe pritet të evakuohen. Deri më tani janë evakuuar 315 banorë në të gjithë vendin, ndërsa vijon puna për evakuime të tjera, pasi reshjet e dendura do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, duke përkeqësuar situatën.

Tiranë: Situata paraqitet mjaft problematike edhe në kryeqytet, ku Forcat e Armatosura kanë punuar gjatë gjithë natës për të evakuuar banorët, që ndodheshin nën ujë. Problemet janë shfaqur që gjatë orëve të mbrëmjes, ku u bllokua autostrada Tiranë-Durrës, e cila është zhbllokuar pjesërisht. Situata vijon të jetë kaotike, ku vetëm njëri aks është i kalueshëm me vështirësi. Në “City Park” u përdoren gomonet për të evakuar të gjithë personat e mbetur aty, ndërsa në Vorë u përdorën eskavatorët për evakuimin e dy familjeve që kishin mbetur në shtëpitë e tyre të rrethuara nga uji.

Ndërkohë është punuar edhe në zona të tjera ku ka pasur familje të përmbytura, më konkretisht në rrugën “Shaban Bardhoshi” në Kombinat, në Yrshek, tek Ura Gjolës, pranë “QTU”. Gjatë natës kanë punuar rreth 400 efektivë, të cilët kanë bërë të mundur evakuimin e banorëve dhe efektivë në terren, në zonën e Dervenit, në Arramejas. Po ashtu 22 banorë janë evakuar në fshatin Hasan, në Krujë. Ndërkohë situatë problematike paraqitet në fshatrat rreth lumit Ishëm, i cili ka dalë nga shtrati duke hyrë brenda në shtëpitë e banorëve të cilët janë të bllokuar nga uji.

[gallery]24974[/gallery]
Vlorë: Është përkeqësuar situata nga reshjet e dendura të shiut në Novoselë të Vlorës, ku pritet të evakuohen plot 2500 familje. Familjet rrezikohen së tepërmi nga përmbytjet, ndaj dhe do të largohen me forcë, ne nuk do të pranojnë. Mësohet se deri më tani janë evakuuar 25 familje nga Novosela, banesat e të cilëve, si dhe të atyre që do të evakuohen, do të ruhen nga policia.  

Sakaq, situata prezantohet problematika edhe në zonat periferike të qytetit. Shtabi i emergjencave raporton se edhe Vjosa është në pikë kritike, të dhënat paraprake flasin për rritjen e nivelit ne kuotat e 5.5m. Sipas specialisteve në 5.8m pritet të nisë evakuimi. Vjosa del nga shtati nëse arrin 6.3 m. Sipas ritmit të prurjeve lumi rrezikon të dalë nga shtrati orët e mesditës. Në Novoselë, gjasat janë të përsëriten përmbytjet masive të vitit 2015-të.

Lezhë: Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Mamurras, ku për pasojë është shembur ura e mbi lumin e “Drojes”. Nga shembja e urës është bllokuar qarkullimi i automjeteve në aksin Laç-Fushë Krujë. Ndërkohë vijon që lumi “Droje” të ketë prurje të shumta.

Fier: Situata paraqitet mjaft problematike edhe në qytetin e Fierit, ku reshjet e dendura të shiut nuk kanë munguar gjatë gjithë natës, të cilat janë shoqëruar edhe me shkarkesa elektrike. Lumenjtë Seman dhe Gjanica janë paraqitur në nivele jo probleme deri më tani. Ndërkohë, që Vjosa është në gjendje kritike dhe pritet të dalë nga shtrati nga ora në orë. Rrugët vazhdojnë të jetë të hapura dhe të mos ketë probleme. 



Gjirokastër: Mjaft e rënduar situata është edhe pjesën rrugorë të vendit. Aksi nacional Gjirokastër Kakavijë vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të erozionit të krijuar nga ujërat në një pjesë të rrugës. Edhe zonat Zhulatit dhe e gjithë zona e Drinos janë në situatë mjaft kritike. Tashmë dhjetëra familje janë të evakuuar pasi uji ka mbuluar shtypit e tyre.



Fushë-Krujë: Situata mjaft problematike paraqitet në zonën e Fushë-Krujës, nën ujë është e gjithë zona, fshatrat e Fushë-Krujë janë tërësisht të mbuluar me ujë, gjithashtu edhe një pjesë e qytetit. Ndërkohë janë përmbytur edhe dy stacionet e pompave në Fushë-Krujë. Fshatrat më shumë problematike janë Bilaj, Bubq etj. Në Fushë-kruje aktualisht janë nën ujë edhe pjesë të fshatrave të cilat nuk janë përmbytur asnjëherë më parë.

Kukës: Pa energji në Bashkinë Kukës janë 2 875 abonentë. Mësohet se kanë mbetur në errësirë Bashkia Has, Njësia Administrative Gjinaj (Fshatrat Kishaj e Pogaj), gjithsej 35 abonentë. Në Bashkinë Tropojë është pa energji elektrike Nj.A Bytyç, Nj.A Tropojë e Vjetër Nj.A Qendër, gjithsej 288 abonentë. Në shkallë Qarku janë pa energji 3198 abonentë.

Për të ndërhyrë në riparimin e avarive janë përdorur 7 mjete transporti e 45 punonjës nga OSHEE. Janë shtuar mbi mesataren prurjet e lumenjve e të përrenjve, por pa probleme për përmbytje. Nuk kemi probleme në drejtim të objekteve me rrezikshmëri si rezervuarët, të cilët janë nën kontroll me te gjithë elementet e sigurisë. Në ora 07:00 prurjet në Liqenin e Fierzës janë 2000 m3/s.

Elbasan: Në Qarkun e Elbasanit situata paraqitet normale. Probleme ka pasur në furnizimin me energji elektrike, ku 8000 familje vazhdojnë të qëndrojnë pa energji elektrike në fshatrat e Librazhdit, njësitë administrative Polis Lunik, Orej. Në Elbasan ka probleme në njësitë administrative Labinot, Mal. Prurjet e Zaramnikës dhe Manazjerës që përshkojnë në Elbasan deri në këto momente janë normale.

Berat: Ne aksin rrugor Berat-Poliçan-Skrapar ka pasur shkarje te dherave dhe gurëve masiv. Ky aks rrugor të qytetit të Poliçanit ka rezultuar e bllokuar për gjatë gjithë natës, më pas në orët e para të mëngjesit është zhbllokuar nga punonjësit e zonës.

Problematike ngelen dhe prurjet e lumit Osum, të cilat po shtohen ndjeshëm. Kjo si pasojë e prurjeve të përrenjve të Skraparit dhe lumenjve Guak, i cili është drejt daljes nga shtrati. Tjetër problematik ngelet dhe pjesa e disa zonave të banuara si në Urën Vajgurore tek Dafinat, pranë lagjes së romëve, si dhe të gjitha banesa që janë pranë lumit Osum.

Nisur nga situata e rënduar si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë gjatë ditëve të fundit dhe diteve në vazhdim të fillim muajit dhjetor, Ministria e Brendshme ju bën thirrje qytetarëve të evitojnë lëvizjet e panevojshme të këmbësorëve dhe qarkullimin e mjeteve në akset rrugore që paraqesin rrezik nga përmbytjet.

Ministria e Brendshme dhe të gjithë strukturat të cilat po punojnë për ta menaxhuar këtë situatë në terren kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunim e tyre.

Ministria e Brendshme do të njoftojë qytetarët për zonat dhe akset rrugore që paraqesin problematike me përmbytjet dhe kërkon prej tyre angazhim për të përballuar sëbashku me solidaritet këto ditë të vështira me rreshje.

Në bazë të parashikimeve të motit, në orët dhe ditët në vijim pritet një situatë e rënduar e reshjeve të shiut, të cilat mund të kalojnë nivelet normale. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave ju bën thirrje të gjithë qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj situate duke pasur vëmendje sidomos në këto drejtime:

• Kujdesi për jetën mbetet prioriteti i dorës së parë. Të gjithë duhet të shmangin sa më shumë të jetë e mundur udhëtimet në zonat e prekura nga reshjet, qëndrimin në afërsi të lumenjve e përrenjve, qëndrimin afër shtyllave apo objekteve të tjera të larta që mund të goditen nga shkarkesat elektrike etj.

• Qytetarët që banojnë shumë pranë shtretërve të lumenjve, në afërsi të digave apo në zona që historikisht rrezikojnë përmbytje, duket të shtojnë kujdesin për jetën dhe të jenë në gatishmëri për të bashkëpunuar me strukturat e emergjencave civile në rast të nevojës për evakuim të përkohshëm.

• Kërkohet të shmangen në maksimum udhëtimet në këmbë apo me automjete në zonat e prekura apo me rrezik të prekjes nga përmbytjet. Një rrymë uji rreth me thellësi rreth 20 centimetra mund të rrëzojë një kalimtar, ndërkohë që një rrymë më thellësi prej 30 centimetrash mund të rrëmbejë automjetin tuaj gjatë udhëtimit.

• Duhet të shmangen në maksimum kalimet në urat e lumenjve me prurje të shtuar dhe rryma të fuqishme.

• Në situata rrymash të parapritura, duhet të kërkoni më shpejtësi një vend të lartë për t’u ruajtur.

• Në se niveli i ujit në afërsi të automjetit tuaj rritet, por nuk lëviz, duhet të lini automjetin për të gjetur një vend më të lartë. Por, mos e braktisini automjetin për t’u futur në një rrymë të fortë uji.

• Shmangni parkimin e automjetit në afërsi të lumenjve apo përrenjve gjatë reshjeve të rënda, pasi ato mund të përmbyten shumë shpejt.

• Shmangni qëndrimin apo parkimin në rrugët që janë në buzë të lumenjve. Shpesh herë ujërat mund të gërryejnë bazamentin e rrugës, duke e bërë atë të rrezikshme.

• Mbani të hapur radion apo televizorin për të marrë njoftimet që mund të jepen nga autoritetet kompetente.

• Mbani në gatishmëri mjete e komunikimit, sidomos telefonat celularë, duke siguruar gatishmërinë e baterive.

• Mbani në gatishmëri mjete të ndihmës së shpejtë, medikamente të domosdoshme, mjete ndriçimi etj.

• Futini në mjedise të mbyllura orenditë apo mjete të tjera që zakonisht i mbani jashtë. Mundësisht vendosini orenditë në pika të larta brenda shtëpisë për të parandaluar dëmtimin gjatë përmbytjeve.

• Shkëputni sa më shumë pajisje elektrike nga rrjeti dhe mos i prekni ato nëse janë në lagështi ose nën ujë.

• Kini kujdes nga goditjet elektrike që mund të vijnë nga rënia e telave të tensionit në pellgjet me ujë.

• Njoftoni në numrin 112 apo në çfarëdo forme tjetër komunikimi për problemet që mund të keni.

Disa rrugë të bllokuara në mbarë vendin për shkak të vërshimit të ujërave. Si pasojë e intensitetit të lartë rreshjeve të shiut, aksi rrugor Kardhiq-Gjirokastër kalohet me vështirësi pasi ka dalë uji në rrugë tek pika e Viroit. Aksi Fushë Krujë-Laç, kalohet me vështirësi pasi përballë lokal Arbëria në Fushë-Krujë ka dalë uji në rrugë.

Autostrada ne drejtimin Tiranë-Durrës eshte e kalueshme, ndersa nga Durresi drejt Tiranes eshte ende e bllokuar dhe po punohet per hapjen e saj. Nga Durrësi për të ardhur në Tiranë drejtuesit e mjeteve të qarkullojnë në aksin Durrës-Vorë-Rinas-Laknas-Kamëz deri ne nje njoftim te dyte.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë