Shqipëria nuk është vetëm ajo e drogës, e Maseratit, e politikës dhe e çunave të Londrës

Shqipëria nuk është vetëm ajo e drogës, e Maseratit, e politikës dhe e çunave të Londrës

Duket si një urrejtje e pajustifikuar, balta që po hidhet mbi Shqipërinë e shqiptarët gjatë këtyre ditëve në mediat europiane, e veçanërisht ato britanike. Artikuj dhe kronika me radhë që i bëjnë jehonë emigrimit të shqiptarëve përmes La Manshit, ndërsa jo më pak të zellshme për të përhapur fjalën duken edhe mediat shqiptare, që mes kësaj zhurme, nuk po e e kuptojnë dëmin që shkaktojnë.

Rastësi? Në fakt nuk duket aspak e tillë, pa dashur t’i japim zë teorive konspirative. Vetëm sot dy media britanike dhe një tjetër belge shkruanin për Shqipërinë e drogës, të bandave, të trafikut njerëzor. Besoj se të tjera do ta pasojnë. Duket si një veprim i mirëorkestuar, ndonëse jam I bindur që është krejtësisht një gabim. Kujt i shërben gjithë ky zell dhe kjo tendencë antishqiptare, ky mllef e baltosje? Jam i sigurt se Shqipërisë jo. Nuk është çështja të fshehim të vërtetën, por të jemi realistë. Nuk është çështja të ngopemi me lugë boshe, por të jemi të kujdesshëm.

Jam i sigurt që do të mjaftonte pak më shumë dashuri e dinjitet njerëzor, që një deputet i kuvendit të mos e cilësonte atdheun e tij një narko shtet, e po kaq do të duhej që një kryetar bashkie t’ja kursente vetes pozën me foton e mbretëreshës në duar. A nuk është po kjo, Shqipëria që opozita e sotme do e trashëgojë dhe drejtojë nëse vjen në pushtet nesër? A ndihmon opozitën ky imazh i copëtuar sot, për të qeverisur më mirë nesër? A ja bëjnë vetes këto pyetje, këta politikanë, përpara se të hapin gojën e të flasin?

Unë besoj se diskursi i foltores së parlamentit apo hedhje-pritjet në debatet virtuale të rrjeteve sociale nuk janë diskutime që mund të bëhen nëpër botë. A ka probleme Shqipëria? Sigurisht dhe politika është më i madhi. Më thoni një, vetëm një politikan nga ço vend tjetër i botës që del e flet kundër vendit të tij? A nuk jemi në gjendje që problemet tona t’i zgjidhim brenda shtëpisë?

Më lejoni t’ju kujtoj se Greqia me indeksin e krinialitetit për banorë më të lartë se ne siguroi këtë 15 miliardë euro vetëm nga turizmi, ndërsa ne vazhdojmë të njollosim “brandin shqiptar”. Dhe politika vijon të jetë përgjegjësja kryesore. Disa duke mos bërë ato që kanë për detyrë të bëjnë, e të tjerë duke bërë ato që nuk duhet t’i bëjnë.

Prej 30 vitesh shqiptarët vuajnë ende pasojat e imazhit të eksodit të viteve ’90 apo njollën e raportit të Dik Martit si vendi ku kryhet trafik i qenieve njerëzore. Ndaj edhe sot në Francë na etiketojnë si vendi i krimineleve, drogës dhe trafikut të organeve. Ku ishte politika jonë për ta ndryshuar këtë opinion? Çfarë ka bërë ajo, kur qarqet pro ruse apo pro serbe kanë punuar kundër nesh? Cila është strategjia që është ndjekur në këto 30 vite për ta ndryshuar këtë mendim? Si njeriu që punoj me të huajt e di fare mirë se çfarë do të thotë kjo. E di mjaft mirë se sa i kushton biznesit tim dhe cilitdo biznesi tjetër imazhi i një vendi të pasigurt, ku trafikohen njerëz dhe shitet drogë.

Për ata që nuk e kuptojnë, është e thjeshtë: Do të thotë më pak turistë, më shumë plazhe të zbrazura e natyrisht më pak të ardhura. Më tej akoma, Do të thotë më shumë pengesa për integrimin në BE. Do të thotë humbje për Shqipërinë. Në thuajse gati 10 vjet të punës sime me pacientë të turizmit dentar nga Anglia, Belgjika, Italia, Franca, Zvicra e madje edhe nga SHBA e kam kuptuar mjaft mirë peshën e imazhit. E kam kuptuar po aq mirë edhe peshën e të vërtetës.

Të mbarsur me helmin e kronikave dhe lajmeve për shqiptarët trafikantë apo kultivues droge, të gjithë këta njerëz me skepticizëm dhe pasiguri kanë prerë një biletë për në Tiranë e janë larguar prej aty të mbushur me pozitivitet. Mjafton të dëgjosh intervistat e tyre për shqiptarët mikpritës, pozitivë, që flasin anglisht e italisht, që të gjenden e të ndihmojnë në çdo pyetje që u drejton, që nuk të grabisin çantën kur del në rrugë e që nuk të vrasin nëse je i huaj.

Të gjitha këto janë të vërteta e dikush duhet t’ua thotë atyre qytetarëve atje në Europë, përpara se ata të vijnë e t’i prekin vetë. Imazhi mua më dhemb. Nëse nuk mjaftojnë arsyet logjike e shpirtërore, më lejoni t’ju jap edhe disa argumenta ekonomike. Të paktën prej 5 viteve, përveç tregut italian dhe francez po punoj ngushtësisht me tregun britanik.

Shpenzoj minimalisht çdo muaj 5 mijë euro, për krijimin e materialeve filmike, rrogat e stafit dhe promovimin e tyre, me qëllim ndarjen e përvojave pozitive të pacientëve dhe ndërtimin e  një imazhi pozitiv për Shqipërinë, si një vend, ku jo vetëm mund të gjesh shërbime cilësore të kurave dentare, por mundesh gjithashtu të kesh një turizëm në 360 gradë e gjithashtu një vend të sigurtë. Çfarë ndodh pas botimit të artikujve si ata që po lexojmë këto ditë? E merrni me mend vetë.

Është koha për nje strategji të re dhe agresive me komunikimin dhe PR. Është koha e orientimit konkret të buxheteve për “branding reputation” (për të mbrojtur brandin) duke përdorur më tej çdo mjet të mundshëm komunikimi për të rritur numrin e turistëve dhe të ardhurat në vend.

Shqipëria nuk është vetëm ajo e drogës, e Maseratit, e politikës dhe e çunave të Londrës. Ata janë vetëm një pjesë e vogël e saj. Shqipëria është e të gjithë atyre që vendin nuk e shajnë në dyert e botës, por punojnë aty ndershmërisht. Dhe të gjithë atyre, u keni një borxh të madh!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tosi: 16/08/2022 05:59

    E ke fjalen per Saje Qorrin apo Zoto Qaftrashin? Apo e ke fjalen per supermonstren Rama dhe "banden" me 200 hajdute por "strategjike" ama ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Tabaku nga Kuvendi: Fitorja e tretë e Profesionistëve të Lirë ndaj pandershmërisë së Qeverisë! Akti Normativ rikthen paratë e marra padrejtësisht

Tabaku nga Kuvendi: Fitorja e tretë e Profesionistëve të Lirë ndaj pandershmërisë së Qeverisë! Akti Normativ rikthen paratë e marra padrejtësisht