TIRANË- Këshilli i Ministrave miratoi strategjinë e re për reformimin e sistemit të Menaxhimit Financiar Publik (MFP) në Shqipëri për periudhën 2014-2020. Strategjia MFP e hartuar nga Ministria e Financave, me kontribut nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe këshillim nga BE, SIGMA, FMN dhe Banka Botërore, synon intensifikimin e përpjekjeve të vazhdueshme për përballimin e mangësive të të gjithë sistemit të menaxhimit financiar publik.
 
“Gjatë vitit që kaloi është bërë shumë për identifikimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Tashmë fokusi është kthyer drejt forcimit të Menaxhimit të Financave Publike përmes hartimit të një strategjie reformash për periudhën deri në vitin 2020. Strategjia e MFP është një instrument i rëndësishëm për drejtimin e reformave dhe monitorimin e progresit. Kjo është një përpjekje e përbashkët e qeverisë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë", tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani.

shkelqim cani
 
Shefja e Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ambasadorja Romana Vlahutin, përshëndeti miratimin e strategjisë. "Qeverisë shqiptare i duhen dhënë merita të plota për angazhimin e saj të fuqishëm për ndërmarrjen e këtij programi gjithëpërfshirës reformash për trajtimin e gamës së gjerë të të metave të sistemit të menaxhimit financiar publik. Zbatimi i qëndrueshëm i strategjisë do të jetë tani kyç. BE, nga ana e saj, do t'i mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për trajtimin e kësaj reforme shumë të vështirë strukturore", tha Ambasadorja Vlahutin.
 
romana vlahutin
Strategjia MFP e Shqipërisë është përshtatur për krijimin e një kuadri të kujdesshëm makrofiskal, përmirësimin e parashikimeve makroekonomike, kontrolle të angazhimeve shumëvjeçare, përmirësimin e mbledhjes së të ardhurave dhe mekanizma transparentë të raportimit financiar. Strategjia synon të vendosë një kontroll të brendshëm dhe praktika më të mira të menaxhimit financiar, parandalimin dhe luftën kundër mashtrimit dhe korrupsionit në menaxhimin e fondeve publike, si dhe forcimin e kontrollit të jashtëm dhe mbikëqyrjes së buxhetit.
 
Zbatimi i strategjisë MFP do të çojë në një administrim më efikas që do të japë shërbime më të mira për publikun.
 
Miratimi i Strategjisë shtron udhën për programin e BE-së për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit. Programi i BE-së për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit prej 40 milionë EUR do t'i sigurojë fonde buxhetit kombëtar mbi bazën e reformave të arritura.
Ai do të shoqërohet gjithashtu me rritjen e transparencës kundrejt publikut, mbështetje ndaj Parlamentit në rolin e tij mbikëqyrës dhe fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile.
 
Komiteti Drejtues i Reformës MFP, i udhëhequr nga Ministri i Financave do të drejtojë zbatimin e strategjisë. BE dhe palë të tjera të interesuara, si dhe organizatat e shoqërisë civile, do të kenë një rol aktiv në monitorimin e zhvillimeve.
 
Miratimi i programit për Mbështetjen Sektoriale të Buxhetit nga Komisioni Evropian parashikohet të kryhet para fundit të vitit./ATSH/

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)