Ajo që vlen është pikërisht, ajo çka njerëzit ndërtojnë me veprimet e tyre. Dhe veprimet kanë rezultat, kur shfaq edhe në portret dëshirën e mirë për të dëgjuar. Për këtë, e ftova në një bisedë. Në një bisedë për Shqiptarja.com, ku Besa me flokët e shkurtra flet në zërin e zëvendësministres së arsimit. Ajo ndan me ne, momentin e marrjes së vendimit për propozimin e bërë nga kryeministri Edi Rama dhe gjërat që la pas në Kosovë. Për Besën, teksa punon për strukturën e arsimit shqiptar e ka një model në mendje, atë të Finlandës, të cilin e ka studiuar prej vitesh.
Ndër të tjera, Besa Shahini shpjegon për Shqiptarja.com prioritetet bazë të Ministrisë së Arsimit, të cilat janë: tekstet shkollore dhe cilësia e mësimdhënies, që i zhvillon më tej duke treguar imtësisht risitë që do të sjellë. Ajo sqaron se cila do të jetë qasja e ministrisë në lidhje me sigurimin e librave falas për fëmijët, duke qartësuar kështu situatën e krijuar në këtë çështje, ku Partia Demokratike ka propozuar në Kuvend një amendament për mbulimin e teksteve shkollore nga klasa e parë deri në të nëntën; ministri Arben Ahmetaj ka deklaruar se do mbulojë librat falas për fëmijët nga klasa e parë deri në pestën, ndërsa kryeministri nga e para deri në të katërtën.
Pyetjet e intervistës:
-Znj. Shahini, faleminderit që pranuat të flisnit për gazetën Shqiptarja.com. Së pari, dua t’ju pyes për detyrën tuaj të re si zëvendësministre për arsimin parauniversitar. Ju jeni nga Prishtina, me një karrierë të pasur profesionale në fushën e arsimit, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë kufijve, Kanada apo Gjermani. Mund të tregoni, se si dhe nga kush erdhi propozimi për këtë detyrë në qeverinë shqiptare? Si nisi rrugëtimi juaj politik në Shqipëri?
Faleminderit ju së pari për intervistën. Po me kryeministrin Rama kemi pasur një bashkëpunim të kamotshëm. Prej vitit 2004-2006 kam pasur bashkëpunim me organizatën Mjaft, me Partinë Socialiste disa herë, sepse unë punoja me një organizatë në Gjermani European Stability Initiative kemi ardhur shpesh për të bërë edhe studime këtu, edhe projekte të ndryshme. Kështu që kryeministri Rama më ka pasur në vëmendje dhe ka përcjell punën time. Ai ma bëri propozimin.
-Ishte e lehtë marrja e vendimit?
Shiko, u ndjeva jashtëzakonisht shumë e nderuar që puna të cilën e kisha bërë deri në atë pikë, çmohej deri në atë masë sa të më ofrohej kjo pozitë. Pra në Shqipëri, as në Kosovë. Është një sakrificë natyrisht, së organizata të cilën e kam themeluar mbetej pa udhëheqës, disa projekte mbetën përgjysmë. Por u takuam me kolegët, biseduam dhe pamë që është më mirë edhe për organizatën nëse unë vij këtu për ato që kemi studiuar vitet e fundit fushën e arsimit në Kosovë. Mori pak kohë, mori ndoshta një ditë dy të mendoj, por vendosa pastaj. Edhe nuk jam pishman, jam shumë e lumtur që jam këtu.
-Cili është modeli juaj për arsimin shqiptar? Dhe a mund të bëni ju një krahasim në lidhje me fushën e arsimit në Kosovë, ndryshimet apo ngjashmëritë..
E para që e them vazhdimisht është që Shqipëria me politikën arsimore është një hap ose dy hapa më para Kosovës, apo ndoshta me praktikën arsimore. Politikat arsimore edhe në Kosovë janë shumë të mira, kanë pasur shumë financim ndërkombëtar për t’i bërë edhe kurrikulat apo strategjitë të ndryshme, por kur vjen puna tek implementimi Shqipëria është hapa para. Një rast janë tekstet shkollore, në Shqipëri janë ndryshuar dhe janë ndryshuar rrënjësisht, nuk janë të përsosura por edhe kritikë më të mëdhenj të teksteve shkollore e pranojnë që tekstet shkollore sot në Shqipëri janë më të mira se më përpara dhe janë definitivisht më të mira se në Kosovë se atë e kam studiuar dhe vetë, rreth dy vite jam munduar t’i ndryshoj tekstet shkollore atje.
Sa i përket se çfarë mundohemi të arrijmë këtu edhe unë por edhe ministrja Nikolla se kemi biseduar gjatë këtyre javëve sa jam këtu, kur vjen puna tek cilësia e arsimit, se ka pafund probleme në fushën e arsimit, është edhe administrimi i shkollës, është dhe infrastruktura... mirëpo kur vjen puna tek cilësia e arsimit janë dy elemente kyçe që duhet të adresohen. Njëra është tekstet shkollore që unë mendoj se Shqipëria ka bërë hap pozitiv, ka nevojë vazhdimisht për përmirësim, por jemi në rrugë shumë të mirë; tjetra është mësuesit, cilësia e mësimdhënies. Ky është dhe fokusi i ministres Nikolla tani, janë bërë disa hapa gjatë mandatit të kaluar, është themeluar portali ‘Mësues për Shqipërinë’, ku është transparenca për përzgjedhjen e mësuesve. Po të shikosh te pjesa e dytë, ku trajnimi i mësimdhënësve që janë në sistem të bëhet sipas nevojave të tyre dhe e dyta mësimdhënës që do të dalin në sistem nga Fakulteti i mësuesisë që dhe ata të marrin një trajnim rigoroz që të jenë mësues shumë të mirë.
-Ky është një plan konkret? Është ngritur grupi i punës?
Absolutisht që po, një pjesë është në përfundim e sipër. Janë duke u certifikuar tani të gjitha modulet për trajnim të mësimdhënësve. Ndërsa vitin e kaluar është bërë edhe një vlerësim edhe i nevojave të mësimdhënësve për trajnim. Në të kaluarën, mesa kam kuptuar nga bisedat këtu, mësuesit kanë mundur me lehtë të marrin një trajnim i cili në fakt nuk u ka shërbyer. Mirëpo kanë kaluar nëpër trajnime, sa për të thënë që janë duke progresuar në karrierën e tyre. Tash nuk mund të bëhet më ajo, sepse për secilin mësimdhënës ekziston një raport ku dihet se cilat janë nevojat e mësuesve për trajnime të mëtejshme. Kjo është për mësimdhënës që janë në sistem. Ndërsa pjesa e dytë që do të filloj tani, është që të bëhet një sistem ku mësimdhënësit e rinj dalin shumë më të përgatitur se sa ndoshta ai që ka dalë më përpara. Ligji për arsimin e lartë u jep një autonomi më të madhe institucionit për Arsimin e Lartë, mirëpo parasheh që kurrikulat për mësuesinë të jenë të njëjta deri në masën 80% në të gjitha universitetet. Pra mësuesi që del nga Elbasani të jetë njësoj i përgatitur si ai nga Tirana. Për ta bërë këtë, jemi në proces të themelimit të një grupi të punës ku do thërrasim universitetet që të bëjmë harmonizimin e kurrikulës dhe të rrisim cilësinë e mësimdhënies.
-Teksa punoni për ndërtimin apo strukturën e arsimit shqiptar a keni një model në mendje?
Vazhdimisht e them dhe ndoshta nuk është teprim, marrim shembull Finlandën për një sistem të mirë arsimor, ee? Edhe kam studiuar me shumë kujdes, thuhet për shembull që në Finlandë fëmijët shkojnë në shkollë vetëm gjysmë dite, fillojnë mësimin pasi kanë bërë 7 vjet, nuk kanë detyra shtëpie dhe i shohin këto si elementë që kanë çuar tek cilësia më e mirë e arsimit në Finlandë...por prej ajo çfarë kam parë unë, duke e studiuar me shumë kujdes modelin e Finlandës është që momenti kur është bërë ndryshimi kryesor prej një sistemi gati sa skandaloz arsimor që ka pasur në vitet 60’ me sot, është momenti kur kanë vendosur të bëjnë trajnimin e mësuesve në mënyrë mjaft rigoroze të mundshme. Ka pasur shumë probleme për ta implementuar atë politikë, sepse është paksa kontroverse për të ndryshuar qasjen tek mësimdhënësit. Kanë vendosur që vetëm studentët më të mirë mund të bëhen mësimdhënës, pra duhet ta kenë notën mesatare shumë të lartë që të futen në fakultete të mësuesisë dhe më pas trajnimi rigoroz. Pjesa kryesore e atij trajnimi rigoroz është praktika. Një praktikë jo sa për sy e faqe, për të shkuar në shkollë për të kaluar pak kohë deri sa të marrësh certifikatën, por është një praktikë ku studenti ka një monitorim të jashtëzakonshëm.
-A është menduar një afat kohor për këtë? Sa kohë do të marri kjo politikë arsimore?
Unë po shpresoj në shtator të 2018 të ketë një politikë të re, pasi ministrja e ka shumë përzemër që ta fillojmë sa më shpejt.. në fakt, kjo në një farë mënyre ka filluar po që t’i japim një farë dinamizmi më të madh, po shpresoj në shtator të 2018 me pas një politikë të re, e cila është duke u implementuar nëpër fakultete të mësuesisë. Megjithatë është prapë herët të flas, për shkak se siç thashë universitetet kanë një pavarësi të plotë dhe duhet në bashkëpunim me ta...
-Meqenëse jemi në periudhën e diskutimit të buxhetit për vitin e ardhshëm, dhe ju përmendët dy prioritetet kyçe, tekstet shkollore dhe mësuesit, a do të fokusohet vetëm këtu edhe buxheti i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë?
Sa i përket cilësisë së teksteve shkollore, sistemi është i vendosur dhe kjo do të ecë me përmirësimin e tyre. Çka do të bëhet me buxhetin e vitit të ardhshëm do të sigurohen libra falas...
-Ndalemi pak këtu, se kjo është një situatë e paqartë për familjet shqiptare znj. Shahini. Më 1 nëntor, Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një amendament ku propozon që “shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, te mbulohen plotësisht nga Buxheti i Shtetit”. Më pas, disa ditë më vonë ministri i Financave, Arben Ahmetaj gjatë mbledhjes së shqyrtimit të buxhetit në Komisionin e Ekonomisë ka deklaruar se do të financohen nga buxheti i shtetit librat për fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka deklaruar këto ditë se librat do jepen falas, me të drejtë kthimi për fëmijët nga klasa e parë deri në të katërtën. Po fjala juaj cila është?
E vërteta është se dy grupe nxënësish do t’i marrin librat falas. Janë të gjithë nxënësit që rrezikojnë braktisjen dhe vijnë nga familje me gjendje të vështirë ekonomike, nga klasa e parë deri në të nëntën, siç ka qenë deri tani kjo do të vazhdojë. Dhe të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të katërtën nga shtatori 2018 do t’i marrin librat falas. Arsyeja pse nuk mund të mbulohet nga klasa e parë deri në të nëntën është pjesërisht financiare, si dhe pjesërisht duhet të testohet kjo pak, si do të funksionojë.
-Domethënë viti 2018 do të jetë provë? Do të ndryshojë ky në vitet që do të vijnë?
Jo vitet e tjera do të përfshihen edhe më shumë klasa. Tani a do të përfshihen klasa edhe 5-6 apo 5-6-7 nuk jam e sigurt në këtë pikë sepse duhet të shohim buxhetin në atë moment. Mirëpo me këtë buxhet ne do të sigurojmë që klasat 1-4 do t’i marrin librat falas dhe kjo na mundëson që ta shohim edhe në praktikë. Në Kosovë jepen nga klasa e 1-9, por në Kosovë ekziston libri i njëjtë mësimor, nuk ka altertekst. Ka disa shtëpi botuese, por është ndarë tregu në dysh dhe ministria ka vendosur të blejë disa libra nga një shtëpi, disa te tjera por çdo fëmijë kudo në Kosovë e ka librin e njëjtë.
-A do të ndodh kjo në Shqipëri?
Duhet ta shohim, kjo është arsyeja pse kemi vendosur ta realizojmë për një grupmoshe nga klasa 1-4, ta shohim tamam se si mund të çojmë librat më të mirë tek nxënësit dhe në qershor të 2019 e shohim se si mund t’i japim librat falas edhe për gjeneratat e tjera.
-Znj. Shahini një problem i vazhdueshëm në arsimin shqiptar mbeten mësuesit për fëmijët me aftësi të veçanta. Sa e mundur do të jetë kjo për këtë vit?
Mandatin e kaluar,ministrja Nikolla kishte arritur të siguronte 320 mësues ndihmës në mos gaboj në sistemin e arsimit në Shqipëri. Kjo do të thotë që nxënësit që kanë nevoja të ndryshme të veçanta, fizike apo psikike, kur të vijojnë shkollën kanë nevojë për ndihmën në shkollë. Kanë qenë 0 mësues ndihmës në 2012-2013 është krijuar mundësia që të bëhet një numër mësuesish të trajnuar. Për vitin 2018 kemi buxhet që të kemi edhe 300 mësues ndihmës të tjerë në shkolla, pra 600 në total. Ka nevojë për më shumë se kaq, por ky është një numër që kemi mundur të sigurojmë deri tani, por ideja është që këta të trajnohen mirë.
-Ka një perceptim sikur portali nuk i ka mbijetuar ndërhyrjeve politike për të emëruar mësues duke shmangur konkurrentët të cilët kanë marrë maksimumin e pikëve. Rasti i fundit ishte një emërim i paligjshëm në Koplik, për të cilin ministrja Nikolla mori masa. Sa i përhapur është ky fenomen dhe çfarë masash do ndërmerrni ju?
U përmend edhe në komision parlamentar gjatë seancës dëgjimore, e kam përshtypjen se janë raste shumë të rralla, por duket se ndodhin ndonjëherë. Ministrja i ka shumë të rëndësishme që këto në asnjë mënyrë të mos ndodhin. Domethënë portali është mënyra se si mësimdhënës të dalin nëpër shkolla, vetëm mësuesi më i mirë mund të jetë nëpër shkolla dhe nuk mund të ketë kapërcime. Por nganjëherë çfarë ndodh, se jam duke e mësuar edhe unë tani është se ata nuk duan të shkojnë tek shkolla ku u është caktuar sepse duan të punojnë tek një shkollë ku e kanë më afër. Pra, ka edhe kësi rastesh ku sistemi funksionon, mësimdhënësi refuzon dhe pastaj ka ankesa.. Sidoqoftë ky ishte vetëm një shpjegim, nuk është arsyetim, nuk duhet të ndodh në asnjë rast. Kjo duhet të shmanget patjetër, e nuk duhet të ndodh. Nuk ka tolerancë për kapërcimin e njerëzve që kanë marrë pikët maksimale në portal për të vendosur dikë tjetër në punë. Kjo ka mbaruar si dhe ka ardhur dhe me urdhër nga kryeministri i cili thotë që nuk duhet të ketë më kështu lëvizje.
-A keni ju kontakt të drejtpërdrejtë me kryeministrin?
Ne kemi takime të rregullta të qeverisë, një herë në javë. Edhe kur ka punë të cilat më takojnë edhe mua këtu, nganjëherë po. Takimi i fundit ishte mbledhja e qeverisë në Dibër...
d.c./shqiptarja.com