Përse llogaridhënia e dobët në Shqipëri minon në mënyrë sistematike flukset e investimeve të BE-së, besimin e tregut dhe besueshmërinë e procesit të zgjerimit? 

Aplikimi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një test përcaktues për besueshmërinë e procesit të zgjerimit të BE-së.

Njëkohësisht, ky aplikim, po kthehet në një çështje të qeverisjes ekonomike dhe besimit të investitorëve, me pasoja të drejtpërdrejta për fondet e BE-së, flukset e kapitalit dhe stabilitetin e tregjeve. Prej vitesh, Brukseli e ka pozicionuar Ballkanin Perëndimor si front kryesor për përhapjen e qëndrueshmërisë,demokracisë dhe sundimit të ligjit në Evropë.  Por zhvillimet e fundit, ku përfshihet edhe një çështje të profilit të lartë që lidhet me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nxjerrin në pah sfida të thella të qeverisjes që BE-ja nuk e ka luksin t’i injorojë.

Veliaj, i zgjedhur kryetar bashkie tre herë dhe figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste të Shqipërisë, u arrestua më 10 shkurt 2025 nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Që prej arrestimit, ai është mbajtur në paraburgim për gati një vit pa akuza zyrtare të ngritura në kohë dhe pa iu dhënë masa alternative si lirimi me kusht apo akses domethënës te këshilltarët e tij ligjorë ndërkombëtarë.

Të shumtë janë ata që e kanë cilësuar arrestimin e tij si një përndjekje të motivuar politikisht, ndërsa ky ndalim i tejzgjatur ngre shqetësime serioze për procesin e rregullt ligjor dhe proporcionalitetin – standarde thelbësore evropiane që të gjithë kandidatët për anëtarësim në BE pritet t’i respektojnë dhe që përbëjnë bazën e sigurisë juridike të nevojshme për vendime afatgjata investimi.

Që nga fillimi, Brukseli i ka cilësuar reformat në drejtësi të Shqipërisë si thelbësore për rrugën drejt anëtarësimit. Këto reforma u krijuan gjithashtu që t’i siguronin taksapaguesit e BE-së, bankat e zhvillimit dhe investitorët privatë se institucionet publike në Shqipëri mund të menaxhonin fondet në mënyrë transparente dhe të parashikueshme.

Megjithatë, mënyra se si është trajtuar çështja Veliaj tregon se instrumentet anti-korrupsion mund të përdoren në mënyrë selektive. SPAK, institucioni që u forcua me mbështetje të BE-së për të luftuar korrupsionin, tani përballet me kritika për mënyrën e menaxhimit të hetimit dhe paraburgimit. Vëzhguesit theksojnë se mbajtja e vazhdueshme në burg e Veliajt, gati një vit pas arrestimit, dhe mohimi i garancive standarde ligjore, minojnë besimin jo vetëm në drejtësinë e procesit, por edhe në kornizën më të gjerë ligjore që këto reforma synojnë të shpalosin.

Kjo ka rëndësi për BE-në përtej politikës së brendshme shqiptare. Zgjerimi në thelb është një sistem kushtesh, ku përparimi drejt anëtarësimit lidhet me reforma të dëshmueshme dhe respektimin e normave demokratike. Ky kushtëzim rregullon gjithashtu aksesin në asistencën e para-anëtarësimit, garancitë e BE-së dhe besueshmërinë e nevojshme për të tërhequr investime të huaja direkte. Nëse Brukseli dështon të ngrejë shqetësime serioze për sundimin e ligjit në kryeqytetin e Shqipërisë, veçanërisht në një rast me parregullsi të qarta procedurale, rrezikon të dërgojë mesazhin se këto kushte janë të negociueshme. Një paqartësi e tillë dobëson ndikimin e BE-së në zbatimin e qeverisjes së shëndetshme dhe në mbrojtjen e përdorimit efektiv të fondeve evropiane.

Çështja Veliaj ka alarmuar ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile pikërisht sepse mjegullon vijën ndarëse mes zbatimit legjitim të ligjit kundër korrupsionit dhe ndjekjes penale me ngarkesë politike. Avokatët e Veliajt i janë drejtuar së fundmi Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për të përshpejtuar shqyrtimin e paraburgimit të tij, duke theksuar se vonesat në zgjidhjen e sfidave ligjore dëmtojnë jo vetëm të drejtat individuale, por edhe administrimin efektiv të Tiranës. Për bizneset dhe investitorët, paraliza e zgjatur institucionale në kryeqytet ngre gjithashtu shqetësime për vendimmarrjen bashkiake, prokurimet publike dhe vazhdimësinë rregullatore. Edhe vetë Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë në vendime politike të lidhura me këtë çështje, duke e rikthyer Veliajn si kryetar bashkie të ligjshëm pasi një përpjekje për ta shkarkuar u shpall antikushtetuese. Këto sinjale kontradiktore gjyqësore nxjerrin në pah tension institucional, jo qartësi.

Korniza e zgjerimit të BE-së është tashmë nën vëzhgim kritik. Shumë vende anëtare janë të rezervuara ndaj zgjerimit të mëtejshëm të Bllokut mes sfidave të brendshme, dhe mbështetja për anëtarësime të reja varet nga garancitë se vendet kandidate nuk do të eksportojnë në BE një qeverisje të dobët apo paqëndrueshmëri demokratike brenda bllokut. Shqipëria ka normën më të lartë të paraburgimit në Evropë, dhe përdorimi i jashtëzakonshëm i këtij instrumenti në rastin e Veliajt ngre sinjale alarmi për proporcionalitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, të dyja thelbësore për ruajtjen e mjediseve të parashikueshme të biznesit dhe niveleve të menaxhueshme të riskut.

Brukseli duhet të shmangë kurthin e heshtjes selektive, duke lavdëruar progresin aty ku ekziston, ndërsa injoron shkelje të dukshme aty ku politika e brendshme errëson vlerësimin objektiv. Të anashkalosh problemet procedurale të dukshme në çështjen Veliaj, ose t’i trajtosh ato si çështje thjesht të brendshme, do të minonte vetë arsyetimin e politikës së zgjerimit të BE-së. Zbatimi i paqëndrueshëm i standardeve të sundimit të ligjit përkthehet përfundimisht në risk më të lartë të perceptuar për investitorët dhe në besim më të dobët ndaj kornizës së zgjerimit të BE-së.

Për më tepër, implikimet shtrihen përtej Shqipërisë. Ballkani Perëndimor ndodhet në një kryqëzim gjeopolitik, me ndikime konkurruese nga fuqi të mëdha që kërkojnë të forcojnë praninë e tyre në rajon. Një proces zgjerimi i besueshëm i BE-së forcon përafrimin rregullator dhe qëndrueshmërinë ekonomike ndaj presioneve të jashtme. Në të kundërt, një reagim i dobët ndaj erozionit të sundimit të ligjit në Shqipëri mund t’u sinjalizojë aktorëve vendas dhe të huaj se prirjet autoritare dhe manipulimi procedural nuk mbartin kosto reale në kontekstin e anëtarësimit në BE.

Kjo çështje rezonon edhe me qytetarët shqiptarë, shumë prej të cilëve kanë shprehur frustrim për zbatimin e pabarabartë të standardeve ligjore dhe rënien e besimit te institucionet. Këmbëngulja e BE-së për llogaridhënie nuk është thjesht çështje përputhshmërie teknike; ajo është një rikonfirmim i kontratës me qytetarët e Shqipërisë që aspirojnë t’i bashkohen projektit evropian. Besueshmëria e BE-së përballë shoqërisë civile, shpesh një aktor kyç i reformave demokratike, varet nga gatishmëria e saj për t’u përballur me realitete të pakëndshme, në vend që t’i anashkalojë ato për arsye politike.

Çfarë duhet të bëjë BE-ja? Së pari, ajo duhet të bëjë të qartë se pavarësia e gjyqësorit dhe procesi i rregullt ligjor janë kritere të panegociueshme në përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit. Këto kritere duhet të lidhen qartazi me asistencën financiare, garancitë për investime dhe vendimet për financimet e lidhura me procesin e anëtarësimit. Raportet e progresit duhet të vlerësojnë jo vetëm ekzistencën e institucioneve antikorrupsion, por edhe mënyrën se si ato funksionojnë në praktikë, duke garantuar transparencë, proporcionalitet dhe respekt për të drejtat themelore. Dialogu me Tiranën duhet të përfshijë pritshmëri të matshme për drejtësi procedurale dhe shqyrtim gjyqësor në kohë, me pasoja konkrete nëse këto kushte nuk përmbushen.

Për më tepër, BE-ja duhet të mbështesë akses më të gjerë për monitorë të pavarur, shoqërinë civile dhe ekspertë ligjorë ndërkombëtarë për të vëzhguar çështje me rëndësi të madhe politike. Transparenca më e madhe do të ndihmonte në rikthimin e besimit te politikëbërësit evropianë, tregjet dhe investitorët institucionalë. Kufizimi i mbikëqyrjes ushqen perceptimin e mungesës së transparencës dhe rrit mosbesimin si te shqiptarët ashtu edhe te vendimmarrësit evropianë.

Në fund, BE-ja duhet të kërkojë llogaridhënie jo si një akt ndëshkues, por si një afirmim i vlerave që e përcaktojnë atë. Këto vlera janë të pandashme nga besueshmëria ekonomike mbi të cilën mbështetet tregu i brendshëm i BE-së dhe strategjia e saj e zgjerimit. Nëse zgjerimi humbet integritetin duke toleruar devijime nga standardet bazë demokratike, atëherë premtimi për një Evropë “të bashkuar dhe të lirë” është bosh.

Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit duhet të mbështetet jo te oportunizmi politik, por te zbatimi i palëkundur i parimeve që mbajnë të bashkuar Bashkimin Evropian./EuropeanBusinessMagazine

European Business Magazine, është një revistë mujore biznesi, në formatin print dhe online që mbulon biznesin, financat, politikat ekonomike dhe investimet në Bashkimin Europian.