Shqipëria i konsideron të mbyllur 5 kapitujt e radhës me Bashkimin Europian ndërsa pret vetëm vlerësimin e Komisionit Evropian. Kryenegociatorja Majlinda Dhuka tha në Komisionin e Jashtëm se vendi po ecën sipas udhërrëfyesit të hartuar nga BE i cili parashikon mbylljen e 6 kapitujve të tjerë brenda vitit 2026.
“Shqipëria ka përfunduar përgatitjet teknike edhe për pesë kapituj të tjerë për vitin 2026. Kapitulli 6, ‘Ligji i shoqërive tregtare’, kapitulli 7, ‘E drejta e pronësisë intelektuale’, kapitulli 21, ‘Rrjetet transeuropiane’, kapitulli 13, ‘Peshkimi’, dhe kapitulli 17, ‘Politika ekonomike dhe monetare’.
Puna ka përfunduar nga pikëpamja teknike dhe në javët që vijnë pritet vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian dhe fillimi i diskutimeve në COELA dhe COREPER. Është në proces edhe kapitulli 3, ‘Lëvizja e lirë e shërbimeve’. Jemi në proces diskutimesh. Nesër do të kemi një tjetër kapitull vlerësues”, tha Dhuka.
Buxheti i vitit 2027, tha kryenegociatorja, do të mbështesë si negociatat, ashtu edhe përgatitjen e institucioneve dhe të ekonomisë për anëtarësim. Mes prioriteteve ajo përmendi drejtësinë, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, përshtatjen e ekonomisë me standardet e tregut të përbashkët, si dhe integrimin në sistemet doganore e tatimore dhe në rrjetet europiane të transportit dhe energjisë.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Europian, Dhuka u ndal te vlerësimi për rezultatet e institucioneve të drejtësisë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
“Raporti njeh konsolidimin e rezultateve të punës nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykata e Posaçme. Shqipëria është e qëndrueshme në rrugën e saj të reformës në drejtësi dhe në rezultatet në luftën kundër krimit, korrupsionit, përfshirë atë të nivelit të lartë. Në këtë kuptim, diskutimi ka gjithmonë edhe anën e mundësive dhe të progresit, edhe anën e detyrave që kemi përpara”, tha Dhuka duke theksuar se Shqipëria është në kilometrin e fundit të negociatave për anëtarësim.










Komente
Komento