Atmosfera në stadiumin “Air Albania” për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Çekisë pritet të jetë tepër elektrizuese pasi e ftuar speciale do të jetë dhe këngëtarja Shkurte Fejza. Ikona e muzikës shqiptare e cila do të këndojë këngën më të famshme të tifozave kuqezi në stadiumin “Air Albania”, “Mora fjalë”, kushtuar komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, ka interpretuar live në Report Tv ndërsa ka rrëfyer dhe emocionet para ndeshjes.

“Jam shumë e bindur se do kalojmë bukur dhe uroj për një fitore. Rezultati dhe mendimi vjen nga dëshira, njeriu e humb ndonjëherë por prej dëshirës unë do doja me tre zero neve ta kemi në dorë fitoren. Kjo është dëshira ime. Jam e kënaqur që do ta përjetoj një emocion të jashtëzakonshëm", tha ajo në një intervistë për gazetaren Enxhi Musaj.

Kënga "Mora Fjalë", interpretuar nga artistja mund të cilësohet si një nga “himnet” e tifozëve në çdo ndeshje ku luan kombëtarja shqiptare. Interpretimi i kësaj kënge në masë këngëtarja thotë se i përcjell një emocion të jashtëzakonshëm.

“Ndihem e bekuar dhe këtë ndjenjë dhe përjetim jam e sigurt që e ka dëshirë ta përjetojë secili këngëtar është dicka e jashtëzakonshem është hyjnore. Kur e kam dëgjuar fillimisht më është zënë fryma nga emocioni nga dashuria. Çdo gjë që flas është pak përpara kësaj atmosfere”, tha Fejza në Report Tv.


Lajmi kryesor:

Euro 2024, Shqipëria pret sot Çekinë! Luan si në Pragë! Qindra tifozë nga Kosova e përtej drejt Tiranës! Me Shkurte Fejzan këndojnë 'Mora Fjalë' në 'Air Albania'